Ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump nxiti qëllimisht dhe drejtpërdrejt sulmin e fundit në Kapitol, ai nuk e mban i vetëm këtë përgjegjësi. Të gjithë mbështetësit e tjerë janë fajtorë – përfshirë bankierët dhe politikanët që kanë arritur të qëndrojnë kryesisht në hije.

Që nga 6 janari, kur një turmë me mbështetës të Donald Trump sulmoi Kapitolin e SHBA-së, dhjetëra protestues janë akuzuar për krime. Trump, i cili nxiti kryengritjen, tani është dëbuar nga të gjitha platformat kryesore të rrjeteve sociale dhe përballet me mundësinë e një gjyqi tjetër, ndërsa shumë senatorë dhe përfaqësues republikanë janë përballur me kritika të ashpra se kanë mbështetur pretendimet e rreme të Trump për mashtrim në votime.
Shumë prej palëve më fajtorë, megjithatë, po shpëtojnë pa u lagur. Nuk është sekret, për shembull, që Fox News – mekanizmi më fitimprurës në makinerinë amerikane të mediave të Rupert Murdoch – ndihmoi në përgatitjen e skenës për kryengritjen e Kapitolit. Që nga themelimi i saj në vitet 1990, retorika e saj përçarëse dhe manipulimi fitimprurës i fakteve (ose fakteve alternative, sipas frazës famëkeqe të ish-këshilltarit Trump, Kellyanne Conway) kanë shtrembëruar diskursin politik amerikan dhe thelluar polarizimin. Dhe, që kur Trump doli në skenën politike, Fox Neës ka amplifikuar me gëzim (dhe ka frymëzuar) gënjeshtrat e tij.
Ndërsa Fox News e sfidoi Trump-in duke pranuar fitoren e Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, kjo media mbetet e përkushtuar për të mbështetur dhe zgjeruar botën e fantazisë në të cilën jetojnë protestuesit e Kapitolit. Në të vërtetë, prezantuesit, kontribuesit dhe të ftuarit e rrjetit e kanë kaluar javën e fundit duke mbrojtur dhunën dhe duke promovuar teori të pabazuara konspirative.
Por ndërsa Murdoch, djali i tij Lachlan dhe yjet e Fox News si Sean Hannity dhe Tucker Carlson janë të paktën të njohur për pabesinë e tyre, shumë nga mbështetësit e tyre më të rëndësishëm e kanë shmangur vëmendjen. Kjo përfshin, liderin me ndikim të institucioneve kryesore financiare amerikane – duke përfshirë BlackRock, Morgan Stanley, T. Rowe Price, Vanguard Group, John Hancock dhe Invesco – që janë aksionerët kryesorë në Fox News dhe kompaninë e saj mëmë, Fox Corp.
Për shembull, Bill Stromberg, drejtori ekzekutiv i T. Roëe Price, i cili zotëron mbi 16% të News Corp dhe pothuajse 7% të Fox Corp. Ndërsa firma e tij dhe ai përfiton shumë nga gënjeshtrat që bëjnë këto organizata, Stromberg paraqitet si një anëtar i pafaj i të njëjtës elitë amerikane të Fox News që shikuesit e shajnë. Përtej pozicioneve të tij në bordet e Universitetit Johns Hopkins dhe të bamirësisë katolike, Stromberg gjoja mbështeti lëvizjen “Jetët me ngjyrë kanë rëndësi”, duke bërë një deklaratë duke u zotuar të ndihmonte në luftën kundër padrejtësisë racore.
Por ndërsa Stromberg e prezanton veten si një qytetar i mirë dhe një katolik i mirë, ai padyshim që i kushton shumë pak rëndësi mësimeve të Biblës. Siç thotë Mateu 18: 6: “Por nëse dikush shtyn në mëkat njërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për ata do të ishte më mirë të lidhte në qafë një gur të madh mulliri dhe të mbytej thellë në det.”
Pastaj është Mortimer J. “Tim” Buckley, president dhe drejtor ekzekutiv i Vanguard, i cili zotëron rreth 13% të News Corp dhe mbi 7% të Fox Corp. Ashtu si Stromberg, Buckley ka mbajtur pozicione me reputacion në borde, të tilla si në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias. Dhe Vanguard në vetvete është e dashur për shumë pensionistë amerikanë, të cilët kanë përfituar nga strategjitë e investimeve të iniciuara nga themeluesi i saj, John C. Bogle. Por dikush pyet veten se sa pensionistë kanë vdekur para kohe sepse Fox News i gënjeu për pandeminë COVID-19.
Bordi i News Corp ka akoma më shumë përfitues të komplotit hipokrit. Si kryeministër i Spanjës nga viti 1996 deri në 2004, José María Aznar u përball me sulme të tmerrshme terroriste, duke përfshirë bombardimin e trenit në Madrid, i cili vrau gati 200 njerëz. Megjithatë Aznar duket se nuk shqetësohet nga 15 vitet e tij në bordin e një kompanie që ka destabilizuar me gëzim demokracinë amerikane, përfshirë edhe duke nxitur dhunën e turmës.
Bordi i News Corp përfshin gjithashtu Kelly Ayotte, një ish-senatore republikane. Duke pasur parasysh rolin e saj të mëparshëm si prokurore e përgjithshme e Nju Hempshajër, mund të pritet që Ayotte të ketë të paktën pak respekt për sundimin e ligjit. Mjerisht, ajo ka rezultuar se është njësoj si pjesa tjetër e News Corp.
E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët e bordit të Fox Corp. Dikush pyet veten se si Paul Ryan, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e justifikon bashkëpunimin e tij në trajtimin që kompania i bëri senatorit Mitt Romney, i cili zgjodhi Ryan si shokun e tij të kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Romney është një nga shumë pak republikanë të moshuar që ka dënuar haptazi dhe vazhdimisht sulmet e Trump ndaj demokracisë gjatë katër viteve të fundit.
E vërtetë, Ryan kohët e fundit dëmtoi përpjekjet e Republikanëve të Kongresit për të sfiduar votën e Kolegjit Zgjedhor dhe për të mbjellë dyshime për fitoren elektorale të presidentit të zgjedhur Joe Biden – veprime që ai thotë se “godasin themelet e Republikës sonë”. Por shumë pak njerëz kanë bërë më shumë sesa Fox News për të gërryer ato themele, dhe Ryan, me sa duket, është i lumtur të përfitojë nga suksesi i Fox News.
Dhe mos u gaboni, çdo gjë bëhet për fitime. As bankat dhe as anëtarët e bordit nuk kanë ndonjë motiv të pazbuluar bindës që justifikon mbështetjen e tyre për News Corp dhe Fox News. Ata janë thjesht lakmitarë.
As roli i tyre pasiv nuk i heq ata nga përgjegjësia për sulmet ndaj demokracisë amerikane të ndërmarra nga kompanitë të cilave u shërbejnë. Siç e njohu ligji romak, Qui tacet consentire videtur (heshtja nënkupton miratim).
Trump qëllimisht dhe drejtpërdrejt nxiti kryengritjen e 6 janarit. Por ai nuk e mban i vetëm këtë përgjegjësi. Secili nga mundësuesit e këtij sulmi, dhe mbështetësit e këtyre mundësuesve, janë fajtorë. Mbështetësit e fshehur të Fox Corp, veçanërisht ata që janë e shprehin me aq zell devotshmërinë e tyre, tani duhet të pyesin veten, siç udhëzon Ungjilli i Markut: Çfarë përfiton njeriu duke fituar gjithë botën dhe duke humbur shpirtin e tij?
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Who Profits From the Assault on American Democracy?