Hasan Gokal, drejtori mjekësor i ekipit përgjegjës për COVID-9 në Kontenë Harris, Teksas, refuzoi të lejonte një flakon vaksinash të skadonte dhe kërkoi kandidatë të kualifikuar para se dozat të shkonin dëm. Për këtë veprim nga ana e tij, ai u pushua nga puna dhe rrezikon ndjekje penale.
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, Hasan Gokal, drejtori mjekësor i ekipit përgjegjës për COVID-19 në Harris County, Teksas (i cili përfshin Hjustonin, qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara për nga popullsia), ishte duke mbikëqyrur administrimin e vaksinës Moderna, e cila po merrej kryesisht nga punonjësit e urgjencës. Vaksina është në flakone që përmbajnë njëmbëdhjetë doza. Një flakon, pasi hapet, skadon për gjashtë orë dhe vaksina e papërdorur duhet të hidhet.
Atë ditë dhjetori, një pacient arriti pak para se të mbyllej qendra, kështu që një infermiere u desh të hapte një flakon të ri, duke bërë që Gokalit t’i mbeteshin edhe dhjetë doza të tjera. Ai ua ofroi ato punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe dy oficerëve të policisë që punonin aty, por ata ose ishin vaksinuar ose nuk pranuan. Ai i telefonoi një kolegu, prindërit dhe vjehrrit e të cilit i plotësonin kriteret e vaksinimit – mund të vaksinohej kushdo mbi 65 vjeç ose me një problem mjekësor që shton rrezikun nga koronavirusi – por ata nuk ishin të disponueshëm.
Gokal filloi t’i telefononte kontakteve që kishte në telefon për të pyetur nëse ata njihnin ndokënd që plotësonte kriteret dhe që dëshironte të vaksinohej dhe u tha se mund të shkonin në shtëpinë e tij atë mbrëmje. Kur arriti në shtëpi, dy persona po e prisnin atë atje dhe ai i vaksinoi. Pastaj ai shkoi me makinën e tij nëpër shtëpi ku e dinte që kishte njerëz që i plotësonin kriteret dhe vaksinoi edhe pesë të tjerë.
Ndërkohë ai vazhdonte të telefononte. Edhe tre të tjerë ranë dakord të vinin në shtëpinë e tij. Me këtë, sasia e vaksinave do të kishte mbaruar, por njësi e anuloi vaksinimin. Gruaja e Gokalit ka sarkoidozë pulmonare, një problem me mushkëritë që e bën atë të kualifikueshme për t’u vaksinuar. “Nuk kisha ndërmend të ta bëja ty këtë vaksinë”, i tha ai të shoqes, “por për gjysmë ore do të më duhet ta hedh.” Pesëmbëdhjetë minuta para se të skadonte doza e fundit, ai ia injektoi vaksinën të shoqes.
Të nesërmen në mëngjes kur shkoi në punë, Gokal i tregoi mbikëqyrësit të tij se çfarë kishte ndodhur dhe raportoi emrat e atyre që kishin marrë dhjetë doza. Disa ditë më vonë, ai u thirr nga mbikëqyrësi i tij, i cili i tha se ai duhet t’i kishte kthyer pas dozat e mbetura, edhe nëse ato më pas do të kishin skaduar dhe do të hidheshin. Për faktin se nuk kishte vepruar kështu, ai u pushua nga puna.
Dy javë më vonë, avokatja e kontesë Harris, Kim Ogg, e akuzoi atë për vjedhje dhe shkelje të protokolleve të qarkut. Avokati i Gokalit kërkoi një kopje të protokolleve që pretendohej se kishte shkelur klienti i tij. I thanë se ato nuk ekzistonin.
Një gjykatës hodhi poshtë akuzat, duke thënë se avokatja e kontesë nuk kishte arritur të tregonte se Gokal nuk kishte të drejtë të vendoste kë të vaksinonte. Ogg ka thënë se ajo do ta provojë përsëri.
Disa sisteme morale i trajtojnë rregullat si të pashkelshme. Kisha Katolike Romane, për shembull, thotë se është gjithmonë gabim të marrësh një jetë njerëzore të pafajshme.
Ndonjëherë ndodh që gjatë lindjes, kafka e foshnjës ngec në vaginë dhe të gjitha përpjekjet për ta lëvizur atë dështojnë. Në këtë situatë, nëse nuk bëhet asgjë, si nëna dhe foshnja do të vdesin. Deri në zhvillimin e obstetrikës moderne, mënyra e vetme për të parandaluar një tragjedi të tillë të dyfishtë ishte që një mjek të shtypte kafkën e foshnjës. Foshnja do të vdiste, por gruaja do të jetonte. Në vendet katolike, kjo procedurë ishte e ndaluar sepse ishte vrasje e drejtpërdrejtë e foshnjës. Si rezultat, gratë që mund të ishin shpëtuar, ndërronin jetë.
Utilitarizmi mban një qëndrim të kundërt. Themeluesi i tij, Jeremy Bentham, do të pyeste për çdo ligj, zakon ose rregull moral, “Cili është përdorimi i tij?”. Nëpërmjet kësaj, si nënkuptonte se çfarë bën ky/kjo për të rritur lumturinë ose për të zvogëluar vuajtjet? Bentham dhe pasuesit e tij e vunë në zbatim këtë test në një gamë të gjerë ligjesh dhe institucionesh: privilegjet e aristokracisë, tregtia e skllevërve, kufizimet për personat që mund të votojnë, krimet pa viktima të tilla si homoseksualiteti dhe statusi i nënshtruar i grave.
Rregullat kanë një vend të rëndësishëm, madje edhe për utilitaristët. John Stuart Mill mendonte se rregullat mishëronin mençurinë dhe përvojën e brezave të kaluar rreth asaj se çfarë sjellje ka të ngjarë të sjellë një jetë më të mirë për të gjithë. Megjithatë, për Mill, rregullat nuk janë absolute. “Për të shpëtuar një jetë,” shkroi ai, “mund të jetë jo vetëm e lejueshme, por madje një detyrë, të vjedhësh.”
Ne nuk do të dimë kurrë nëse një nga dhjetë injeksionet e Gokal shpëtoi ndonjë jetë, por ato sigurisht shtuan qetësinë e atyre që përndryshe do të duhej të prisnin ditë ose javë të tëra për t’u vaksinuar. Gjithsesi, ai nuk vodhi. Padyshim, përdorimi i dozave për të vaksinuar njerëzit kishte pasoja më të mira sesa hedhja e tyre në plehra- ose më mirë, do të kishte pasur pasoja më të mira, nëse Gokal nuk do të ishte shkarkuar nga puna dhe nuk do të kërcënohej me ndjekje penale.
Një gjë që mund të mësojmë nga padrejtësia që iu bë Gokalit është vlera e rregullave të arsyeshme për të drejtuar administratorët e vaksinimit. Në Los Anxhelos, radhët e njerëzve që presin jashtë klinikave, megjithëse jozyrtare, janë pranuar nga Departamenti i Shëndetit Publik i Kontesë së Los Anxhelesit, i cili u ka thënë ofruesve të kujdesit shëndetësor të mos i hedhin dozat e papërdorura. Në Izrael, njerëzit që normalisht nuk do të vaksinohen tani afër mund të regjistrohen për të marrë një mesazh në rast se një qendër vaksinimi ka doza vaksinash që në rast se nuk përdoren do të shkojnë dëm. Siç tregojnë këta shembuj, nuk është e vështirë të mendosh për diçka më të mirë sesa të hedhësh vaksina që mund edhe të shpëtojnë jetë.
Mësimi tjetër që duhet të nxjerrim nga kjo është se është gabim të ndëshkosh njerëz që bëjnë më të mirën e tyre në mungesë të rregullave të qarta, ose në situata që bien jashtë rrezes së mundësive të parashikuara nga ata që hartuan rregullat mbizotëruese. Në këto situata, njerëzit duhet të inkurajohen të vënë në përdorim gjykimin e tyre për veprime që do të sjellin pasoja më të mira për të gjithë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. When Vaccination Is a “Crime”?