Prof. asc. dr. Brikena Shkodra ngre alarmin në një intervistë për BIRN se aktiviteti i rindërtimit në zonën arkeologjike A të rëndësisë së veçantë në Durrës po kryhet pa praninë e specialistëve të arkeologjisë.
Bërthama e qendrës së qytetit Epidamnos – Dyrrachion vazhdon të befasojë me gjetjet arkeologjike, por nëse zbulimet e shekullit të kaluar janë kthyer në pika të rëndësishme turistike për Durrësin modern, gjetjet e reja ose janë nën themelet e godinave të ndërtuara vitet e fundit, ose nuk arrijnë të zbulohen plotësisht për mungesë të financimeve.
Nga zbulimet e këtij fillimshekulli vetëm në qendër të qytetit kanë dalë në dritë pjesë të lagjeve të fillimit të erës sonë, punishte dhe mozaikë, të cilat në rastin më të mirë janë ruajtur pjesërisht në bodrumet e pallateve mbi to, ndërsa mjaft të tjera nuk e kanë riparë dritën për shkak të ndërhyrjeve ndërtimore brutale.
Brikena Shkodra, arkeologe në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë në një intervistë për BIRN tha se zbulimet e para arkeologjike në trekëndëshin që shtrihet mes bulevardeve “Dyrrah” dhe “Aleksandër Goga” e që kufizohen në veri nga “Rruga e Dëshmorëve” i përkasin një shekulli më parë.
Në territorin që njihet si Lagjia 11, austriakët Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober – arkeologë në Institutin e Arkeologjisë në Vienë, në kohën e Luftës së Parë Botërore, gjatë punimeve për ndërtimin e një vendstrehimi kundër bombardimeve arritën të zbulojnë mozaikun e njohur si “Bukuroshja e Durrësit”.
Prof. asc. dr. Brikena Shkodra thotë se publikimi dhe ruajtja e kësaj vepre të rëndësishme urbane jo vetëm mundësoi rizbulimin e saj nga prof. Vangjel Toçi pas gati një gjysëm shekulli, por njëkohësisht lejoi dokumentimin e fillesave të artit të mozaikut në qytet që në shek 4-rt para Krishtit, si dhe nivelin luksoz të banimit në këtë zonë qendrore.
Duke folur për profesionalizimin e arkeologëve austriakë edhe në kohë lufte, Shkodra shprehet se “ata jo vetëm e dokumentuan dhe e arkivuan vlerën e jashtëzakonshme që ruhej aty ku detyroheshin të ngrinin vendstrehimin, por njëkohësisht e ruajtën të paprekur këtë vlerë”.
“Fatkeqësisht, krejt e kundërta ka ndodhur kohët e fundit,” thotë ajo.
Njëlloj si në 30 viteve të fundit, ndërhyrjet dhe restaurimet e banesave gëlojnë edhe sot në lagjen 11 në Durrës, madje edhe në godinën ngjitur me vendzbulimin e mozaikut të “Bukuroshes”.
Megjithëse është transferuar nga Durrësi në sallën hyrëse të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit në vitin 1981, mozaiku afro 2,400-vjeçar mbetet një nga vlerat e trashëgimisë së papërsëritshme të qytetit antik.
30 vjet, asnjë monument i zbuluar në guidën turistike
Sipas Shkodrës, edhe zbulimi e ruajtja e Termave antike nën themelet e Teatrit si dhe Forumi Bizantin, që ndodhen pikërisht në hyrje të lagjes 11, janë atribut i angazhimit të institucioneve para viteve ’90. Projekti i teatrit “Moisiu” ndryshoi menjëherë pas zbulimit, duke lejuar vizitat në Termat e hapura që ndodhen nën pjesën e fundit të godinës.
“Në përvojen time mbi 20-vjeçare, në arkeologjinë e Durrësit nuk është shtuar asnjë monument në guidën turistike të qytetit, ndërkohë që çdo pallat i ri i ngritur në hapësirën e lagjes 11 është prova e zhdukjes ose mbulimit të një monumenti të ri,” thotë me keqardhje prof. asc. dr. Brikena Shkodra, e cila shton se i vetmi angazhim i administratës lokale pas viteve ’90, i përket financimit për zbulimin e plotë të Forumit rrethor bizantin dhe sistemimit të infrastrukturës përreth këtij monumenti në periudhën 1999-2000.
Brikena punon prej kohësh në territorin e lagjes 11 dhe është e bindur për vlerat e mëdha arkeologjike që fsheh kjo zonë.
“Do të fokusohem në një prej hapësirave të gërmuara gjate viteve 2016-2018, jo vetëm për zbulimin, por mbi të gjitha për të kuptuar rëndësinë që ka ndjekja dhe dokumentimi i shtresëzimeve të depozitimeve të nëntokës,” tha ajo.
Në oborrin e një shtëpie shumë pranë qendrës së qytetit, në një hapësirë prej 15 metra gjatësi dhe 5 metra gjërësi arkeologia nuk ka mundur të gërmojë më shumë në thellësi për shkak të rrezikut të shembjes.
“Historia këtu mund të dokumentohet vetëm pas shek 4-rt pas Krishtit, kur Dyrrachium, si kryeqendër e e provincës së Epirit të Ri përfiton drejtpërdrejt nga angazhimet e administratës drejtuese të Perandorisë Romake, përmes investimit për ngritjen e një monumenti të ri termal në qytet,” shpjegoi Shkodra.
Në oborrin e shtëpisë u zbuluan mure cilësore të veshura me afreske disangjyrësh e me pllaka mermeri, njëlloj si edhe dyshemetë.
Sipas punonjëses së Institutit të Arkeologjisë, kjo është vetëm një pjesë e vogël e monumentit termal, i cili ka funksionuar si i tillë për afro dy shekuj.
“Në fillimet e shek. të 6-të në përshtatjet e formatimeve të reja urbane në qytetin, që tashmë ishte edhe vendlindje e perandorit Anastas, Termat transformohen në një pallat perandorak ose monument religjioz, përcaktim i cili mund të avancohet vetëm kur të krijohen mundesitë për gërmime të tjera në këtë zonë,” tha Shkodra.
Kanë mjaftuar vetëm disa metra gërmim në thellësi për të kuptuar edhe ndryshimet e mëvonshme në territorin ku u zbulua monumenti.
Në ngjarjet konfliktuale ku u përfshi qyteti gjatë shekullit të 11-të strukturat e braktisura të termave janë shfrytëzuar nga banorët për instalimin e një furre shkrirjeje dhe përpunimi të hekurit, me shumë gjasa për prodhimin e armëve.
Tre shekuj më vonë mbi punishten e artizanit të hekurit do të ngrihej një furrë për prodhimin e gëlqeres.
“Ishte koha e presionit të dyfishtë osman dhe venedikas për ta zotëruar qytetin,” shpjegoi Brikena Shkodra, duke shtuar se kjo furrë në mes të lagjes 11 është e vetmja e zbuluar, nga gjashtë të tilla që dëshmohen në Durrës nga burimet e shkruara mesjetare.
Rindërtimi pas tërmetit, pa specialistë të arkeologjisë
Territori i lagjes 11 përfshihet në zonën arkeologjike A të rëndësisë së veçantë, por sipas arkeologes nga Durrësi aktiviteti ndërtimor shpesh herë kryhet pa praninë e specialistëve të arkeologjisë.
“Jam ndeshur shpesh me situata ndërhyrjesh të pakontrolluara. Rasti më i fundit është ai i rindërtimit të pallatit në bulevardin’Dyrrah’,” tha Shkodra, duke shtuar se megjithë kërkesën për gërmime arkeologjike paraprake nga Instituti i Arkeologjisë, proçesi i rindërtimit ka nisur dhe ndërhyrja nën tokë ka përfunduar pa praninë e asnjë specialisti.
Shumë pranë godinës që po rindërtohet pas shëmbjes nga tërmeti i fundit, vite më parë janë gjetur mjaft objekte arkeologjjike, mes të cilave monumenti i Geas, perëndeshës së tokës dhe pjellorisë.
Brikena Shkodra e konsideron emergjencë kombëtare procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, por sipas saj mbetjet arkeologjike po mbulohen nga betoni, pa e mësuar kurrë se cila ishte trashëgimia.
Shkodra përcjell të njejtin shqetësim edhe për projektet e reja të ndërtimit në qytet.
Ajo thotë se ideja për të ndërtuar një parkim nëntokësor mes ish-lulishtes “1 Maji” dhe shkollës “Shaqe Mazreku” do të ndeshet me siguri me objektet arkeologjike të periudhës romake, të dokumentuara pranë saj.
“Kjo hapësirë, që i përkiste dikur merkatos së vjetër, duhet të gërmohet sistematikisht nga specialistë të Institutit të Arkeologjise,” tha Shkodra.
“Do të ishte një mundësi e mrekullueshme për ti shtuar qytetit një muze në natyrë, një park arkeologjik, një pikë të re të vizitueshme në guidën turistike, një aset të shtuar ekonomik për qytetin” përfundoi ajo.