Grupet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve thonë se të gjitha partitë kryesore po vazhdojnë të përdorin dhe abuzojnë me fëmijët në reklamat dhe propagandën e tyre, pavarësisht paralajmërimeve se kjo shkel të drejtat e tyre dhe ligjin.
Imazhe të fëmijëve janë përhapur shumë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, pavarësisht paralajmërimeve nga grupet e të drejtave të njeriut se ekspozimi dhe shfrytëzimi i tyre në reklamat e politikanëve shkel të drejtat e tyre dhe ligjin.
Ligji i Shqipërisë për të drejtat e fëmijëve përcakton që pjesëmarrja e të rinjve nën 14 vjeç në debate publike dhe programe audio-vizuale “duhet të bëhet vetëm me miratimin e prindërve ose kujdestarit të tyre”.
Kur fushata zgjedhore filloi zyrtarisht në Shqipëri më 25 mars, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, një OJQ, i bëri thirrje publike partive që të mos përdorin fëmijë gjatë fushatave të tyre për përfitime politike.
“Shqipëria ka një histori të gjatë dhe të tmerrshme të shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime elektorale”, tha CRCA. “Nuk ka pasur asnjë fushatë elektorale nga partitë politike në Shqipëri që nuk ka përdorur ose shfrytëzuar fëmijët në postera zgjedhore ose reklama televizive, duke i trajtuar ata thjesht si figurina që duken bukur në reklama ose postera, kur ata nuk kanë zë, kërkesa apo pritshmëri ndaj partive politike që marrin pjesë në zgjedhje”, shtoi ajo.
Thirrja ra në vesh të shurdhër.
BIRN u dërgoi pyetje tre partive kryesore që garojnë në zgjedhje, Partisë Socialiste në pushtet, e udhëhequr nga Edi Rama, Partisë Demokratike të opozitës, e udhëhequr nga Lulzim Basha, dhe Lëvizjes Sociale për Integrim, LSI, duke pyetur nëse ata kishin marrë pëlqimi i prindërve për çdo fëmijë që mund të shihet në rrjetet sociale të politikanëve.
Deri në kohën e publikimit, vetëm Partia Socialiste ishte përgjigjur, duke thënë se kishte kërkuar “pëlqimin verbal” të prindërve para se të përdorte imazhet e fëmijëve të tyre në fushatë.
Kur kryeministri dhe dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, inauguroi aeroportin e ri në qytetin verior të Kuksit të dielën e kaluar, zakonisht ai shoqërohej nga fëmijë të vegjël dhe ata u ekspozuan në të llogaritë e tij personale në rrjete sociale.
Fëmijët gjithashtu janë të pranishëm nëpër tubime zgjedhore, shpesh duke mbajtur flamuj të partive politike ose me kapele apo logo të partive. Ata shpesh përqafohen ose puthen nga politikanët para kamerave.
Zyra e UNICEF në Shqipëri i tha BIRN se çdo gjë që bëhet në lidhje me fëmijët në këtë kontekst duhet të drejtohet nga interesat e vetë fëmijëve.
“E drejta e fëmijëve për dinjitet, respekt, mbrojtje dhe pjesëmarrje janë kriteret themelore që përcaktojnë se cilat imazhe duhet të përdoren dhe si duhet të përdoren”, tha UNICEF.
“Një këshillë e dobishme në procesin e përdorimit të imazheve të përshtatshme është pyetja themelore: Nëse ai/ajo do të ishte fëmija im, si do të doja që ai/ajo të portretizohej?”
“Parashtrimi i kësaj pyetjeje eliminon tendencën për t’i trajtuar fëmijët në fotografi si objekte të përdorura për mbështetje të përkohshme ose për nevoja për mbledhje fondesh. Fëmijët janë qenie njerëzore që janë nën kujdesin tonë dhe meritojnë të përfaqësohen me respekt dhe sa më drejt që të jetë e mundur”, shtoi ajo.
Altin Hazizaj që drejton Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, i tha BIRN se fenomeni është veçanërisht shqetësues sepse llogaritë e politikanëve nëpër rrjete sociale ndoqen nga mijëra apo edhe miliona njerëz të cilët më pas i shpërndarjnë postimet në të cilat janë të pranishëm edhe fëmijë, duke përhapur kështu pasivisht imazhet e tyre.
“Asnjë politikan nuk ka mbetur pa përqafuar një fëmijë për një foto, veçanërisht dy liderët kryesorë, Rama dhe Basha”, tha Hazizaj për BIRN.
“Pothuajse në të gjitha takimet e Ramës, nëse nuk ka fëmijë për t’i përqafuar, ata i vendosin ata rresht si kukulla. Këto ditë kemi vërejtur gjithashtu përdorimin e fëmijëve në shumë fotografi të takimeve të Bashës me elektoratin”, shtoi ai.
Elvin Luku, një pedagog dhe autor i një raporti mbi abuzimin seksual të fëmijëve në Shqipëri, tha për BIRN se përdorimi i fëmijëve për përfitime në këtë mënyrë nuk lejohet me ligj.
“Ligji ndalon ekspozimin e fëmijëve për përfitim edhe në rastet kur botuesi, në këtë rast politikani, ka miratimin e prindit ose kujdestarit”, vuri në dukje Luku.
“Gjatë fushatës elektorale ne po përballemi me një problem të tillë, që kemi të bëjmë me përdorimin e imazhit të fëmijës për të rritur ‘veprimet’ politike të kandidatëve”, tha ai.
“Ky fenomen merr një dimension edhe më të madh kur mediat audiovizive marrin dhe përdorin fotografi dhe video të politikanëve nga profilet e tyre të rrjeteve sociale, duke i shpërndarë ato në audienca edhe më të mëdha”, shtoi ai.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve i tha BIRN se ata i kanë kërkuar Zyrës së Edukimit të Rrethit Tiranë të zbatojë Ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe se u kanë kërkuar punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve t’i kushtojnë vëmendje të drejtave të fëmijëve gjatë fushatës zgjedhore.
“Agjencia gjithashtu ka kërkuar ndërgjegjësimin e shkollave dhe kandidatëve për deputetë në lidhje me këto dispozita ligjit kur është e mundur”, tha Agjencia.