Qarku i Tiranës është përcaktues në fatin e zgjedhjeve të së dielës. Me 36 mandate në lojë dhe me një elektorat “gri” me përmasa të konsiderueshme, njëzet apo tridhjetë mijë vota me krah të ndryshuar mund të përcaktojnë se cili nga konkurrentët do të qeverisë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.
Votuesit në Tiranës kanë qenë historikisht shënjestër e partive të vjetra dhe të reja politike, për arsyen e thjeshtë se në një metropol, një pjesë thelbësore e zgjedhësve klasifikohen si “elektorat gri”, ndërsa partitë e reja dhe ato të vogla kanë synuar të kapin mandate, me raste duke shfrytëzuar votën e protestës dhe me raste të tjera, duke shfrytëzuar makinerinë e bollshme elektorale të votave në shkëmbim të vendeve të punës.
Banorët e Tiranës ishin gjithashtu ata që në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, nxorën “kandidatin” e votës së pavlefshme në vend të dytë me gati 13 mijë fletë të zhgarravitura.
Rezultati i zgjedhjeve në Tiranë ka një rëndësi edhe më të madhe sot nga sa kishte katër apo tetë vjet më parë. Më 2009, në qark u zgjodhën 32 deputetë, ndërsa të dielën pritet të zgjidhen 36 të tillë. Të katër deputetët e shtuar në Tiranë kanë rënë në qarqet Berat, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, ku tre nga katër mandatet duket se i përkasin zonave tradicionalisht të majta, ndërsa një i përket një zone tradicionalisht të djathtë. Rrjedhimisht, gara për mandatet shtesë në Tiranë është e tillë që përcakton rezultatin kombëtar.
Por pavarësisht kësaj, rezultati në mandate në zgjedhjet e Qarkut Tiranë historikisht ka qenë më pranë barazimit sesa përmbysjes. Në zgjedhjet e vitit 2009, nga të 32 mandatet, PS mori 15 dhe PD 15, LSI 1 dhe PR, 1, ku edhe rezultati në vota ishte pothuajse barazim. Në zgjedhjet e vitit 2013, kur LSI garoi në koalicion me socialistët, PS mori 16 mandate, LSI 3 dhe dhe PDIU e PR nga një mandat. Socialistët morën mbi 36 mijë vota më shumë se sa më 2009, ndërsa LSI u dyfishua në 35 mijë vota. Megjithatë, orteku i votës qytetare për socialistët nuk u maksimizua aq shumë në mandate zgjedhore, për shkak se aleanca me LSI hoqi deputetë nga PS-ja te kjo parti.
Katër vjet më vonë, më 2017, kur në Tiranë u zgjodhën 34 mandate dhe jo më 32, demokratët ranë akoma më shumë, ndërsa LSI u rrit, por në total, socialistët arritën të marrin matematikisht vetëm 17 mandate me 48% të votave. Në mënyrë aksidentale, PS mori edhe mandatin e 18 për shkak se Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk arriti të kalojë pragun 3% të kohës dhe e humbi për një grusht votash mandatin e saj. Formula e ndarjes së mandateve D’Hondt favorizon në këto raste partinë më të madhe. PD dhe LSI morën së bashku 16 mandate pasi arritën së bashku 44% të votave.
Në zgjedhjet e vitit 2017, vota apo mospjesëmarrja në votime në formë proteste u shfaq në dy forma. Dy parti të reja, LIBRA dhe Sfida morën së bashku 12 mijë vota, të barazvlefshme teorikisht me një mandat deputeti, por të pavlefshme për asgjë në llogaritë e ndarjes së kandidatëve. Mospjesëmarrja në zgjedhje ishte një fenomen shumëfish më dramatik se sa vota për partitë e vogla.
Në Tiranë më 2017 kishte 850 mijë votues, gati 65 mijë më shumë se sa më 2013, por nga këta, vetëm 424 mijë votuan ose 50% të totalit. Gjithsej në Tiranë u hodhën 34 mijë vota më pak se sa më 2013, ndërkohë që në qark kishte një popullsi votuese prej 65 mijë vetësh më shumë.
Këto shifra sugjerojnë se i ashtuquajturi “elektorati gri” në Tiranë është në rendin e dhjetëramijëra votave, të mjaftueshme këto për t’i dhënë mandatin qeverisës një pale të caktuar, në rast se mobilizohen.
Por pavarësisht se mijëra votues në qarkun Tiranë dhe kryesisht në qytetin e Tiranës presin ofertë politike, konvertimi i popullsisë urbane në mandate deputetësh, deri më sot ka rezultuar një iluzion.
Gjatë zgjedhjeve të së shkuarës, partitë e protestës si LIBRA apo SFIDA nuk kanë arritur të bindin mjaftueshëm votues për të nxjerrë deputetë, ndëra makineritë elektorale, pra partitë që duket se pëlqejnë të mobilizojnë vota për interes, kanë pasur më shumë sukses. Partia Republikane shpëtoi kryetarin e saj, Fatmir Mediu në vitin 2009 duke marrë një mandat në Tiranë si pjesë e koalicionit të djathtë, ndërsa PDIU realizoi të njëjtën gjë më 2013 dhe e humbi për një grusht votash më 2017.
LSI është partia që ka pasur rritjen më të fuqishme në qark: nga 17 mijë vota më 2009 në 56 mijë më 2017. Ndërkohë, partitë e protestës janë shfaqur dhe janë zhdukur pa prodhuar kurrfarë strukture politike të qëndrueshme.
Në zgjedhjet e së dielës gjithsesi ekziston mundësia që kjo votë proteste të kthehet për herë të parë në mandat deputeti. Kandidati Brojken Abazi garon si i pavarur, por është i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës, një degë të së cilës drejton në Tiranë.
Abazit i duhet të marrë më shumë se sa 17 mijë vota të dielën për t’u zgjedhur deputet. Nëse kandidati i Vetëvendosjes nuk zgjidhet në Tiranë të dielën dhe palët nuk lëvizin nga pozicionet e vitit 2017, rezultati i zgjedhjeve mund të mbetet barazim në mandate, ku PS merr 18 dhe PD+LSI merr 18 të tjera.
Një rezultat i tillë në Tiranë do ta linte fatin e qeverisë së ardhshme të Shqipërisë te makineritë politike të qarqeve të vogla, ku mobilizimi i një grushti votash me mjete nga më të ndryshmet do t’i japë mandate njërës palë apo tjetrës, duke përcaktuar edhe maxhorancën.
Socialistët garojnë në zgjedhje duke vendosur në krye të listës Luljeta Bozon, e cila tërhoqi vëmendjen e medias vendëse dhe ndërkombëtare në veçanti për komente lavdëruese për regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha, dhe më pas me mjeken Najada Çomo, e cila u bë prani e përditshme në ekran për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Në Tiranë garojnë gjithashtu shtatë ministra socialistë bashkë me disa ish-ministra, zëvendësministra si dhe deputetë të opozitës së re.
Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, i cili theu një rekord në vitin 1999 kur u bë kryeministër në moshën 28 vjeçare, garon për herë të parë në 12 vjet në një pozicion të pasigurt, në vend të 19. Nëse popullsia e Tiranës do t’i japë PS gjysmën e votave, ose 18 mandate, Majko do të duhet të llogarisë nëse mbi 10 mijë socialistë i kanë dhënë atij apo jo një votë pëlqyese.
Po kështu me vota pëlqyese duket se shpreson të zgjidhet edhe ish-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila garon në vend të 21, apo ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në vend të 23.
Eduart Shalsi, ministër pa portofol për “Mbrojtjen e Sipërmarrjes” garon në vend të 18, ndërsa Alqi Bllako, i akuzuar për aferën e incineratorëve, konkurron nga pozita më të sigurta në vendin e 17.
PS nuk ka lënë pas dore mundësinë për të marrë vota çamësh në Tiranë. Ornaldo Rakipi, 27 vjeç, i biri i ish-deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, është kandidati i 30 në listën e Tiranës dhe duket se ka për synim të mobilizojë vota në zonën e Rrogozhinës dhe Kavajës. Edhe Tahir Muhedini, i cili ka qenë themelues i PDIU-së dhe vijon të shpallë në CV-në e tij se është President Nderi i kësaj partie, garon në vend të 36 në listën e PS-së.
As ish-deputetë të LSI-së nuk janë injoruar. Këngëtari Ylli Shehu, të cilin LSI e mori nga Partia Republikane, garon në vend të 24, ndërsa Spartak Braho, i cili dikur shihej si më pranë LSI-së, garon në vend të 28.
Partia Demokratike ka vendosur në listën e saj në pjesën e vendeve të sigurta udhëheqësit e saj kryesorë, me ndryshimin që ish-kryeministri Sali Berisha është në vend të pestë dhe jo si dikur, në vend të parë. Dy udhëheqës të partisë PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili ka qenë dikur funksionar dhe deputet socialist, garon në vend të sigurt dhe mban numrin 9, ndërsa Mesila Doda mban numrin 12.
Demokratët duket se janë përpjekur të japin një imazh më rinor duke kandiduar prezantuesen televizive dhe influencer-in në median sociale Oriela Nebiaj në vend të 18 si dhe Lediana Fratarin, vajza e një biznesmeni ndërtimi në vend të 34.
Demokratët kanë kandiduar edhe 40 vjeçaren Anduena Qefalia, një menaxhere biznesi të arsimuar në Vjenë dhe që është besimtare myslimane praktikante në vend të 29-të.
Lëvizja Socialiste për Integrim garon në vend të parë kryetaren e vet Monika Kryemadhi për të pasuar me ish-deputetë, ish-ministra e ish-zëvendësministra të kësaj partie.
Linqe:
Kliko këtu për të parë listën e kandidatëve të PS