Procesi zgjedhor po ecën pa probleme në Kavajë, por ritmi i votuesve në mëngjes ishte i ulët dhe shumica i përkisnin moshës së tretë.
Muharrem Gazijani, 88 vjeç, ka ardhur herët në mëngjes për të votuar në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë.
“Kam dalë të bëj detyrën time patriotike,” tha Muharremi, i veshur me një kostum gri dhe kapele republike.
“I uroj shqiptarëve që të votojnë më zemër,” shtoi ai, ndërsa theksoi se mobilizimi i qytetarëve në zgjedhje ishte shqetësimi i tij kryesor.
Në shkollën ‘Rilindja’ ndodhen dy qendra votimit me nga 930 votues secila, por deri në orën 9:00 e kishin hedhur votuar vetëm 57 zgjedhës, shumica të moshuar – disa prej të cilëve duhet të ndihmoheshin nga familjarët për të ecur.
“Kam votuar që në kohën e Enverit,” tha Nexhmie Alija, e veshur me të zeza, me një krah të ngjeshur fort tek e bija dhe tjetrin të mbështetur mbi bastun.
“Asnjë zgjedhje nuk kam lënë pa votuar,” shtoi 84-vjeçarja.
Të dielën shqiptarët i janë drejtuar kutive të votimit në të gjithë vendin, për të zgjedhur deputetët që do t’i përfaqësojnë në parlamentin e ardhshëm. Rreth 3.6 milionë qytetarë mbi 18-vjeç gëzojnë të drejtën e votës, ndërsa procesi i votimit po realizohet në 5199 qendra votimi.
Qyteti i Kavajës i përket rajonit zgjedhor të qarkut Tiranë, i cili është më i madhi në vend dhe zgjedh 36 deputetë. BIRN vizitoi katër qendra votimi në Kavajë mëngjesin e së dielës – dy në shkollën “Rilindja” dhe dy të tjera në pallatin e kulturës “Kavaljon.”
Kadri Korbu, 70 vjeç, i cili kishte ardhur të votojë në shkollën ‘Rilindja”, e shihte gjithashtu pjesëmarrjen në zgjedhje si detyrë.
“Kemi ardhur vetëm të votojmë,” tha ai. “Po votuam jemi në rregull,” shtoi Korbi.
Fatjon Biba, 22 vjeç, monitorues me organizatën Qëndresa Qytetare, i tha BIRN se në qendra e votimit në shkollën “Rilindja” kishte pasur pak votues të rinj në moshë.
“Shumë pak të rinj kam parë të votojnë – deri tani dy-tre, pjesa më e madhe janë moshë e tretë,” tha Biba. “Më bën shumë përshtypje që ka pak të rinj, mbase është orari tani dhe do vijnë pak më vonë ose është mosintersim për të votuar, por është shqetësuese që nuk ka të rinj akoma,” theksoi ai.
Fatjoni është nga fshati Gosë i Rrogozhinës dhe prej 3 vitesh është angazhuar me organizatën Qëndresa Qytetare, e cila po monitoron procesin zgjedhore dhe mbledh opinione nga të rinjtë që votojnë nëpërmjet një pyetësori.
“Ne kemi një pyetësor për të rinjtë që vijnë të votojnë, për herë të parë, por edhe ata të moshës deri në 35 vjeç,” tha ai. “Gjithashtu kemi një vëzhgim të përgjithshëm se si ecën procesi,” shpjegoi Fatjoni.
Edhe në dy qendrat e vendosura në pallatin e kulturës “Kavaljon”, numri i votuesve ishte i pakët në mëngjes. Sipas anëtarëve të komisioneve deri në orën 9:30 në këto dy qendra votimi, kishin votuar më pak se 120 zgjedhës nga më shumë se 1850 të regjistruar.
Pranë pallatit të kulturës për pak minuta u duk dhe kryetari i bashkisë Kavajë, Redjan Krali, i cili nuk hyri brenda në qendrën e votimit.
Jashtë, pallatit të kulturës, dy burra që po merrnin diell të ulur përpara xhamisë së Kapllan Beut, i thanë BIRN se edhe ato do të votonin, edhe pse ishin skeptikë ndaj premtimeve elektorale.
“Do votoj se punoj në bashki,” tha një prej tyre, i cili shpjegoi se rishtazi kishte filluar punë në ndërmarrjen e gjelbërimit, por nuk donte të identifikohej me emër se mund t’i hapnin probleme në punë.
Burri, i cili tha se me profesion ishte hoxhë që lante të vdekurit dhe falte xhenaze, tregoi se në Kavajë shumë njerëz agjëronin dhe janë besimtarë.
“S’bëhet llaf këtu në Kavajë, se jemi si në mesjetë,” tha ai me shaka, ndërsa shtoi se sipas tij qyteti kishte më shumë besimtarë se çdo qytet tjetër në Shqipëri, për numër popullsie.
Ai theksoi se pandemia e COVID-19, kishte shkaktuar shumë viktima në muajin shkurt në këtë qytet dhe personalisht kishte falur dhjetëra xhenaze, por nuk kishte larë viktima se kishte frikë.
Punonjësi i bashkisë i tha BIRN se problemi kryesor që i shqetësonte votuesit në Kavajë ishte korrupsioni.
“Korrupsioni duket gjithandej, korrupsioni ka qenë gjithmonë, sepse nuk kanë të ngopur,” tha ai.
Ndërkohë miku i tij, hoxhë në fshatin Golem, kishte zbritur me të birin në pazar.
“Kam ardhur me shit gjizë, por do shkoj të votoj në fshat,” tha Hysni Dedja, 88 vjeç.
Ai shpjegoi se ka pasur probleme me pronësinë në fshat dhe kishte kërkuar ndihmë nga ish-kryetari i bashkisë por nuk kishte gjetur zgjidhje.
“Këta na kërkojnë të gjithë votën por nuk na japin zgjidhje,” tha Dedja duke ju referuar kandidatëve në zgjedhje. “Unë do votoj, por mbrapa e di zoti,” përfundoi ai.