Shumë të rinj janë kthyer për të votuar në Berat, të joshur nga premtimet e partive poltike për vende pune në administratë.
Ilirian Hoxha, 27 vjeç nga qyteti i Beratit priti më shumë se rreth 30 minuta për të votuar në qendrën e votimit me numër 3270, në godinën e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat . Një problem me paisjen biometrike që shërben për verifikimin e kartave të identitetit bëri që në këtë qendër votimi procesi të ndalej për disa minuta. Por, 27 vjeçari nuk u mërzit nga vonesa dhe e ushtroi të drejtën e tij të votës.
“Kam ardhur që mbrëmë në Berat për të votuar dhe nuk do të ikja dhe sikur të prisja disa orë,” tha ai.
“Dua të kthehem në Berat me shpresë se do të gjejë një vend pune, nuk do të punojë gjithë jetën në call center,” shtoi 27-vjeçari.
I riu, nuk e ka shijuar ende dipomën e tij si ekonomist dhe zgjedhjet këtë herë i japin shpresë për tu rikthyer në qytetin e tij dhe pse nuk I fsheh zhgënjimet e mëparshme.
“Më kanë premtuar dhe mua një vend pune, ndaj erdha të votojë se dua të kthehem në Berat, më ka lodhur ajo jetë në Tiranë pa prespektivë,” theksoi Hoxha.
Në një tjetër qendër votimi, në atë me numër 32701, po në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku votojnë banorët e lagjes “22 Tetori” një tjetër i ri i tha BIRN se i kishin premtuar punë.
“Po erdha për të votuar se prindërve ju është premtuar një vend pune për mua dhe motrën,” tha ai, pa pranuar të indetifikohet.
“S’di se si do të shkojnë gjërat, por ne sytë tek puna i kemi se ky qytet të gjitha i ka, por punë nuk ka, vetëm po të jesh me ndonjë parti ta sigurojnë,” shtoi ai.
Në qarkun e Beratit votohet sot për shtatë mandate, ndërkohë që janë të rregjistruar 183,119 zgjedhës në 277 qendra votimi, ndërkohë që Bashkia e Beratit ka dhe numrin më të madh të zgjedhësve – 80345 zgjedhës që po votojnë në 119 qendra votimi.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare Partia Socialiste fitoi katër mandate në qarkun që konsiderohet i majtë dhe Partia Demokratike mori vetëm një mandat dhe LSI dy mandate. Largimet ndër rradhët e LSI që u kryesuan nga ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço e të tjerë pas tij, e kanë rihapur garën elektorale.
Në bashkinë e Beratit të rinjtë kanë shpresa tek zhvillimi i qytetit, pasi vitet e fundit lulëzoi turizmi duke u janë hapur 30 bujtina dhe shtëpi pritëse, përpara se pandemie e COVID-19 ta godiste sektorin.
Në qendrën e votimit me numër 3314, që ndodhet në lagjen “Çlirim” të qytetit dhe ku janë të regjistuar 676 zgjedhës, Saimiri një i ri banor i kësaj lagje e ushtroi të drejtën e votës pa pirë as kafen e mëngjesit.
“Po në orën 11:00 votova dhe pse as kafen nuk kam pirë,” tha ai duke qeshur.
26 vjeçari ka përfunduar arsimin e lartë për edukim fizik, por punon si guidë, pasi nuk ka arritur që të gjejë punë në profilin e tij dhe për të këto zgjedhje janë shpresa e vetme për një punë.
“Po kjo pandemia e shkatërroi turizmin fare, shpresën e vetme që kishim,” tha ai. “Unë kam një vit pa punuar – asnjë ditë të vetme, sepse nuk ka turistë, ndaj i kam sytë tek një pune shteti, prandaj po votojë për herë të parë në jetën timë,” shtoi Saimiri.
Qarku i Beratit numëronte rreth 56 raste aktive me COVID-19 deri ditën e shtunë 24 prill. Sipas të dhënave zyrtare, në bazë të numrit të banorëve Berati është qarku më i prekur nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Në këtë qark janë shënuar dhjetra jetë të humbura dhe mijëra të infektuar.
Situata e COVID-19 bëri që turizmi historik, kulturor dhe ai i trashëgimisë kulturore të preket rëndë. Këtë pranverë ky qyteti ka pak vizitorë, ndërkohë që në vitet e mëparshme sezoni turistik ka nisur që në muajin mars.
Rrugë për sera në Dimal
Por, ndërsa në bashkinë e Beratit zhvillimi i qytetit nëpërmjet turizmit varet nga pandemia dhe zgjedhësit pritshmëritë i kanë tek puna në shtet, në zonat rurale të bashkisë së Dimalit – një tjetër bashki e qarkut, zgjedhësit kërkojnë rrugë për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre.
Në Dimal janë të regjistruar të votojnë 31,109 votues, të cilët votojnë 47 qendra votimi.
Në qendrën e votimit me numër 3343 në fshatin Goriçan, të Njësisë Administrative Kutalli, Agim Hoxha një pensionist është ndër të parët që ka votuar këtë të dielë sëbashku me bashkëshorten.
“Votova, po që në mëngjes. Jo se jam mësuar që të votojë që nga sistemi kaluar, por se dua që ta mbajnë llafin këtë herë për rrugët, se ai është halli jonë, punë kemi serrat ne,” tha Agimi.
Me fshatrat; Kutalli, Sqepur, Drenovicë, Samaticë, Pobrat, Rërëz, Protoduar, Goriçan Qendër, Goriçan Çlirim, Malas Breg, Njësia Administrative Kutalli në Bashkinë Dimal është zona më e madhe e prodhimit të serrave jo vetëm në qark, por edhe më gjerë.
Nga 800 hektarë me serra që ka qarku i Beratit, 600 hektarë me sera ndodhen në këtë njësi administrative, prodhimet e së cilave – kryesisht domate, shiten në rajon dhe më gjerë.
Por, ndërsa banorët e këtyre fshatrave kanë investruar miliona në këtë sektor, problem për ta mbetet gjendja e rrugëve që lidh fshatrat me Njësinë Administrative, fshatrat mes tyre dhe banesat me zonat prodhuese me sera.
“Nga fshati jonë Kutalli deri në Roskovecë të Fierit vetëm emrin ka rrugë se është gjithë gropa, por do Zoti që ti çojë deri në fund punimet që kanë nisur se nuk e mbajnë fjalën këta, ikën zgjedhjet ngel dhe rruga”, thotë pensionisti për BIRN.
Janë një sërë rrugësh në këtë njësi administrative që kërkojnë ndërhyrje, pasi fermerët vihen në vështirësi të aktivitetit të tyre.
Në dalje të fshatit Kutalli, në një lokal të vogël një banor ka nxjerrë në shitje perime të stinës me shpresën se lëvizjet e shtuara në rrugë për shkak të zgjedhjeve do të sjellin blerës.
“Votova dhe nxora ca sallata, qepë për të shitur,” tha ai. “Më shumë nuk prodhojmë dot ne se kush do ti blejë, kush vjen deri në fshatin tonë,” theksoi ai.
Fermeri shpreson se këtë herë gjërat do të jenë ndryshe dhe halli i tij do të gjejë zgjedhje dhe nuk është i vetmi që mendon kështu.
“Nuk duam çakull se jemi ngopur, duam rrugë, asgjë tjetër, ndaj votova këtë herë, bashkë me familjen”, shtoi fermeri, duke treguar bojën në gishtin e madh të dorës së djathtë, si shenjë e ushtrimit të së drejtës legjitime.