Sekretari amerikan i shtetit Antony J. Blinken shpalli ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjen e tij non grata “për korrupsion madhor”, personi i katërt shqiptar që merr këtë “dekoratë” nga Shtetet e Bashkuara.
Në një njoftim për shtyp, Blinken deklaroi: “Sot unë po shpall publikisht Sali Berishën, ish-President i Shqipërisë, ish-kryeministër dhe ish-anëtar i Parlamentit për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor.”
Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”
Retorika e tij demonstron gatishmërinë e tij për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politikë nga hetimet e pavarura dhe përpjekjet antikorrupsion, shton deklarata.
Bashkë me Berishën u dizenjuan si të tillë edhe bashkëshortja, Liri Berisha, i biri, Shkëlzen berisha dhe vajza e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.