Ndërsa qeveria kineze ka filluar të shqetësohet për rritjen e ulët të popullsisë së vendit, ajo ka relaksuar në mënyrë progresive politikën e saj të planifikimit familjar. Hartuesit e politikave tani duhet të shkojnë më tej dhe të ofrojnë shpërblime të konsiderueshme financiare për prindërit e vajzave.
Censusi i fundit i popullsisë në Kinë konfirmon vazhdimësinë e tepricës alarmante të meshkujve të vendit në raport me normën globale. Ky çekuilibër numerik që nga lindja e në vazhdim ka disa implikime të rëndësishme ekonomike – dhe jo vetëm për Kinën.
Për shkak se gratë jetojnë mesatarisht më gatë se burrat, popullsia e shumicës së vendeve ka më shumë femra sesa meshkuj. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, kishte 96 meshkuj për 100 femra në vitin 2020. Kina, përkundrazi, ka 105 meshkuj për çdo 100 femra, sipas censusit të fundit të popullsisë. Gratë kineze jetojnë mesatarisht rreth tre vjet më shumë se burrat kinezë, kështu që “meshkujt e tepërt” janë krejtësisht rezultat i një raporti jashtëzakonisht të lartë midis djemve dhe vajzave në lindje.
Raporti i gjinisë në lindje normalisht është rreth 106 djem për 100 vajza. Për shkak se djemtë dhe burrat e rinj kanë një normë vdekshmërie pak më të lartë, dhe sepse bashkëshortët priren të jenë disi më të moshuar sesa bashkëshortet, një raport i tillë në lindje është mënyra sesi natyra siguron një raport afërsisht 1: 1 deri në kohën kur ata arrijnë moshën riprodhuese.
Edhe pse raporti mashkull-femër i Kinës në lindje ishte afër kësaj shkalle natyrore në vitet 1970, një kombinim faktorësh nxitën rritjen e qëndrueshme të tij. Më e rëndësishmja ishte preferenca për djemtë, disponueshmëria e ekove dhe teknologjive të tjera që u mundësojnë prindërve të ardhshëm të mësojnë seksin e një fetusi dhe imponimi i qeverisë në 1980 i një politike të rreptë planifikimi familjar që nuk lejonte shumicën e familjeve të kishin aq fëmijë sa ata dëshironin.
Disa prindër kanë zgjedhur abortet për shkak të gjinisë së fetusit. Qeveria u përpoq ta ndalonte këtë praktikë, por kjo është e vështirë të parandalohet për sa kohë që abortet përdoren si një mjet për të respektuar kufijtë e lindjes. Si rezultat, raporti i gjinisë u rrit në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur kulmin në rreth 121 djem për 100 vajza në vitin 2009. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ky raport ka rënë që atëherë në 111.3 djem për çdo 100 vajza – më i ekuilibruar se më parë, por ende dukshëm më i lartë se sa do të ishte në mungesë të aborteve të përzgjedhura gjinore.
“Teprica” e lindjeve të fëmijëve meshkuj në Kinë bën që një numër i madh djemsh të rinj të mos jenë në gjendje të martohen. Në terma matematikorë, rreth një në nëntë të rinj në Kinë nuk mund të gjejë një të dashur ose një bashkëshorte. Ky problem është edhe më serioz në rajone të tilla si Anhui rural dhe Guangdong, ku një në gjashtë të rinj has vështirësi në gjetjen e një partnereje për martesë.
Në një seri dokumentesh hulumtuese me bashkë-autorë të ndryshëm, kam dokumentuar disa nga pasojat e mëdha ekonomike dhe ndonjëherë të habitshme të këtij raporti gjinor për Kinën dhe për botën. Si fillim, të rinjtë – dhe veçanërisht prindërit me djem të pamartuar – rrisin ndjeshëm kursimet e tyre në mënyrë që të rrisin konkurrencën e tyre relative në tregjet e njohjeve dhe martesave. Në një studim të vitit 2011, unë dhe Xiaobo Zhang zbuluam se rritja e raportit mashkull-femër në grupin e moshës para martesore të Kinës nga viti 1990 në 2007 përbënte rreth gjysmën e rritjes së normës së kursimeve të familjeve gjatë asaj periudhe.
Një rritje në normën e kursimeve ka prirje të rrisë tepricën tregtare të një vendi. Në vitin 2013, unë dhe Qingyuan Du treguam se një rritje në raportin mashkull-femër të Kinës mund të ketë kontribuar në midis një të tretës dhe gjysmës së rritjes së tepricës së saj tregtare me vendet e tjera. Mungesa e ekuilibrit gjinor ka të ngjarë të përforcojë një burim të rëndësishëm tensioni midis Kinës dhe SHBA-së. Megjithatë, angazhimi dypalësh i ka kushtuar shumë pak vëmendje kësaj lidhjeje.
Siç tregoj në studimin e ardhshëm me Zhibo Tan dhe Xiaobo Zhang në Journal of Development Economics, raporti i paekuilibruar mashkull-femër i Kinës gjithashtu kontribuon në praktika të pasigurta në vendin e punës, duke çuar në shumë lëndime dhe vdekje të parandalueshme. Një mungesë e nuseve të mundshme bën që shumë prindër me djem në moshë për t’u martuar të punojnë më shumë dhe të kërkojnë punë me paga më të larta, por potencialisht të rrezikshme në sektorë të tillë si miniera dhe ndërtimi, ose punë që i ekspozojnë ata ndaj materialeve të rrezikshme, nxehtësisë ose të ftohtit ekstrem. Për shkak se njerëzit janë më të gatshëm të pranojnë punë të tilla, punëdhënësit shpesh investojnë më pak në sigurinë në vendin e punës, gjë që shton lëndimet dhe vdekshmërinë e lidhur me punën.
Unë dhe bashkë-autorët e mi zbuluam se lëndimet dhe vdekjet aksidentale në vendin e punës janë dukshëm më të larta në zonat me një mungesë më të madhe të grave të reja në krahasim me burrat. Dhe prindërit me djem në moshë për t’u martuar përbëjnë një pjesë disproporcionale të viktimave.
Mungesa e ekuilibrit gjinor mund të vetë-korrigjohet, por vetëm ngadalë. Teksa shohin prindërit me djem që mbajnë një barrë më të madhe financiare dhe fizike për të ndihmuar bijtë e tyre të shmangin një beqari të pavullnetshme, shumë çifte të reja mund të vendosin se të sjellësh në jetë një vajzë është diçka po aq e mirë, në mos edhe më e mirë. Por regjistrimi i fundit i popullsisë, i cili tregon se raporti i gjinisë në lindje mbetet i paekuilibruar, na tregon se diskriminimi ndaj vajzave vazhdon.
Ndërsa Kina shqetësohet për rritjen e ulët të popullsisë së vendit, ajo ka relaksuar në mënyrë progresive (por ende nuk ka përfunduar) politikën e saj të planifikimit familjar. Politikbërësit tani duhet të shkojnë më tej dhe të sigurojnë një shpërblim të konsiderueshëm financiar për prindërit e vajzave. Një masë e tillë do të përshpejtonte njëkohësisht korrigjimin e çekuilibrit të raportit gjinor dhe do të ndalte rënien e shkallës së përgjithshme të lindjeve.
Një raport gjinor më i ekuilibruar do të zvogëlojë nevojën e shumë familjeve kineze për të sakrifikuar konsumin aktual për kursime më të larta dhe do të nxiste mjedise më të sigurta pune. Kjo do të ndihmonte gjithashtu në uljen e tensioneve tregtare me vendet e tjera.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Sex and the Chinese Economy