Aktivistët e mjedisit në Shqipëri kanë kritikuar vendimin e qeverisë për të ndryshuar hartën e Zonave të Mbrojtura.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, më 26 janar bëri të ditur se ndryshimet do t’i japin disa zonave një status të ri, ndërsa lumi Vjosa do të shpallet “Park Natyror”.
I cilësuar si një nga lumenjtë e fundit “të egër” në Evropë, Vjosa ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve dhe ambientalistëve ndërkombëtarë vitet e fundit për shkak të kërcënimit të digave që po ndërtohen në shtratin e lumit.
Prej vitesh ambientalistët kanë kundërshtuar plane të tilla ndërtimi dhe më shumë se një vit më parë nisën një fushatë ndërkombëtare për ta shpallur atë “Park Kombëtar”, si e vetmja mënyrë për të garantuar mbrojtjen e plotë të tij.
Duke kundërshtuar masën e qeverisë, 25 organizata mjedisore dhe katër përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike thanë se ndryshimet në hartë do t’i vënë Zonat e Mbrojtura në më shumë rrezik se më parë.
Ata thonë se plani mund të prekë zona të rëndësishme të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore, si Liqeni i Shkodrës, ekosistemi Bunë-Velipojë, lagunat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare në Divjakë-Karavasta dhe Butrint dhe zonat Vjosë-Nartë dhe Pishë-Poro.
“Vendimet janë fillimi i fundit për Zonat e Mbrojtura ligatinore të Shqipërisë dhe … do të shkatërrojnë të gjithë diversitetin biologjik të vendit”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.
Ata shtuan se procesi i përdorur për miratimin e këtyre vendimeve u shfaq “i mbushur me shkelje të shumta ligjore” dhe do të kundërshtohet në gjykata.
Hapet rrugë për më shumë ndërtime në zonat bregdetare
Frika më e madhe e ambientalistëve është se harta e re e rishikuar do të hapë rrugën për më shumë ndërtime në zonat bregdetare që humbasin statusin “Zonë e Mbrojtur”.
Sipas tyre, qeveria synon rritjen e Zonave të Mbrojtura në male në kurriz të Zonave të Mbrojtura në bregdet, ku kërkesa për ndërtim është më e madhe.
Ekspertët thanë për BIRN se harta po rishikohej në mënyrë arbitrare, të shpejtë, me konsultimin e një numri të kufizuar ekspertësh dhe akademikësh. Ata pretenduan se ndryshimet shkelin Ligjin e Zonave të Mbrojtura.
Annette Spangenberg, nga EuroNatur, një organizatë mjedisore që fokusohet në mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe habitateve të çmuara, tha për BIRN: “Ne gjithashtu nuk jemi të kënaqur me rishikimin e fundit të zonave të mbrojtura. Procesi nuk ishte plotësisht gjithëpërfshirës; OJQ-të ishin të informuara, por jo të përfshira siç duhet”, tha ajo.
“Disa zona të mbrojtura po zvogëlohen në madhësi dhe në shumicën e rasteve hamendësimi ynë është se rishikimi i shërben shkëputjes së disa pjesëve për të mundësuar një lloj zhvillimi të infrastrukturës”, shtoi ajo.
Aleko Miho, profesor i biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, tha për BIRN se shumë Zona të Mbrojtura ekzistuese, veçanërisht ato bregdetare, hapësira urbane apo toka bujqësore, janë lënë jashtë hartës së rishikuar.
“Këto zona janë të lidhura ekologjikisht dhe ndihmojnë në zbutjen e ndikimit njerëzor në Zonën Qendrore (të një Zone të Mbrojtur), e cila duhet të jetë një hapësirë e patrazuar, pasi përfshin habitate me vlera natyrore dhe biodiversitet të lartë”, tha ai.
“Heqja e hapësirave të sipërpërmendura nga harta e Zonave të Mbrojtura hap rrugën për zhvillim të paqëndrueshëm brenda ose pranë tyre, rrit presionin negativ në zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura dhe rrit fragmentimin e habitateve”, tha ai për BIRN.
“Kjo nuk e rrit, por e dobëson mbrojtjen, duke çuar në varfërimin e habitateve dhe specieve, në dëm të diversitetit biologjik të Zonave të Mbrojtura ekzistuese”, shtoi Miho.
Ai kritikoi procesin e konsultimit përpara rishikimit të hartës, duke thënë se takimet me ministren e mjedisit kanë rezultuar “të padobishme”.
“Nuk e kam shumë të qartë se cilat mund të jetë rruga e mëtejshme duke pasur parasysh kokëfortësinë e qeverisë sonë për qasjen e saj neglizhente ndaj mbrojtjes së natyrës. Ndoshta përmes gjykatave, ndoshta duke rritur presionin në vend dhe nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare që janë të interesuara për të mbrojtur mjedisin në Shqipëri?” shtoi ai.
Ferdinand Bego, një profesor i Shkencave të Natyrës, tha për BIRN se shqetësimi i tij më i madh ishte ulja e sipërfaqes së Zonave të Mbrojtura bregdetare – me 11 për qind – dhe largimi prej tyre i habitateve të vlefshme që janë të rëndësishme për ruajtjen e jetës së egër.
“Procesi i ndjekur për miratimin e këtyre vendimeve është i mbushur me shkelje të njëpasnjëshme ligjore”, shtoi ai, i pyetur nëse qeveria u konsultua me ekspertë dhe akademikë.
“Procesi i konsultimit ka mangësi dhe është i pamjaftueshëm për të justifikuar apo mbështetur këto ndryshime në zonat e mbrojtura bregdetare. Përmbajtja e vendimeve përmban paligjshmëri”, tha Bego.
Taulant Bino, një profesor i Shkencave të Natyrës dhe kreu i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare, tha për BIRN se vendimet “shkelin integritetin ekologjik të pothuajse çdo zone të mbrojtur ligatinore bregdetare”.
Ai shtoi gjithashtu se procesi i konsultimit nuk ishte i duhuri dhe do të kundërshtohet në gjykatë dhe se shqetësimi i tij më i madh ishte “urbanizimi” i qëndrueshëm i këtyre zonave.
Aeroporti i ri krijon precedent shqetësues
“Sapo lejohet urbanizimi i parë, hapet rruga për më shumë”, tha ai. “Rasti i zonës Vjosë-Nartë është flagrant. Këtu qeveria propozon, përveç aeroportit, zhvillimin e resorteve. Këto zhvillime padyshim që do të shoqërohen me infrastrukturë ndihmëse për transport, energji elektrike, trajtimin e ujit e kështu me radhë”, shtoi ai.
“Kjo panoramë është plotësisht në përputhje me atë të urbanizimit masiv. Dhe, nëse qeveria e përdor këtë argument për një zonë, ndoshta do ta përdorë më vonë për zona të tjera”, tha ai për BIRN.
Ai tha se përcaktimi i Vjosës si Park Natyror nuk do të garantonte mbrojtjen e lumit nga digat sipas ligjit.
Aleksander Trajçe, studiues i kafshëve të egra në Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, tha se në shikim të parë rishikimi jep një përshtypje pozitive, pasi rrit sipërfaqen totale të Zonave të Mbrojtura, por shtoi se reduktimi i disa zonave bregdetare do të hapë mënyra për zhvillimin e turizmit.
Sipas tij, aeroporti i ri i Vlorës, i cili ndodhet në Zonën e Mbrojtur Vjose-Nartë, është një rast evident.
“Me ndryshimet e reja, zona e saktë ku do të ndërtohet aeroporti është hequr nga Zona e Mbrojtur… për t’i hapur rrugën ndërtimit të aeroportit, i cili është kontestuar për më shumë se tre vjet nga grupet e mbrojtjes së natyrës dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha Trajçe për BIRN.
Ministrja e mjedisit Kumbaro tha për BIRN se vendimet e qeverisë do të përmirësonin Zonat e Mbrojtura dhe përsëriti se ato do të rriteshin nga 18 në 21 për qind të territorit kombëtar dhe se procesi përfshin konsultim.
Kumbaro tha se vendimi erdhi pas më shumë se dy vitesh punë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe agjenci të tjera shtetërore, krahas ekspertëve.
Lumi i çmuar ende i pambrojtur plotësisht
Çështja e lumit Vjosa ka qenë prej kohësh pjesë e diskutimit publik në Shqipëri, dhe midis ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, sepse konsiderohet gjerësisht si “një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë”, me biodiversitet dhe vlera ekologjike të spikatura.
Më shumë se një vit më parë, disa organizata nisën një fushatë të quajtur “Vjosa Park Kombëtar tani” për ta shpallur atë Park Kombëtar, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur atë nga kërcënimi i digave.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndërkohë ka deklaruar se Vjosa në vend të kësaj do të jetë “Park Natyror”, por shumë ambientalistë thonë se ky nivel më i ulët mbrojtjeje nuk mjafton.
Annette Spangenberg tha se EuroNatur ishte “natyrisht e zhgënjyer që Vjosa nuk ishte caktuar si Park Kombëtar.
“Ajo që na shqetëson është se në Parkun Natyror nuk përfshihen degët, por vetëm Vjosa. Degët meritojnë gjithashtu mbrojtje”, shtoi ajo.
Ulrich Eichelmann, kreu i OJQ-së Riverëatch, ishte më pozitiv. I përfshirë në mbrojtjen e Vjosës për më shumë se 10 vjet dhe një figurë kyçe në fushatën “Vjosa Park Kombëtar Tani”, ai tha për BIRN: “Është hera e parë që Vjosa ka një mbrojtje, ndaj është më mirë se më parë.”
Por ai shtoi: “Ky mund të jetë vetëm një hap i parë. Pas kësaj duhet të vijë hapi i dytë – përgatitja dhe përcaktimi i tij si park kombëtar”.
Eichelmann shpjegoi se Parku Natyror aktual nuk përfshin degë të rëndësishme të Vjosës si Shushica dhe Bënça, nuk do të mbrojë natyrën dhe nuk do të tërheqë shumë eko-turizëm, siç do të bënte me siguri një Park Kombëtar.
“Në anën pozitive, qeveria shqiptare duket se po i kupton shanset që vijnë me shpalljen e një Parku Kombëtar… duke caktuar Parkun e Parë Kombëtar të Lumit të Egër të Evropës”, tha ai.
Ndërsa prezantonte vendimet, ministrja Kumbaro tha se gjithçka që kishte ndodhur në terren gjatë 30 viteve të fundit ishte rishikuar përpara se të bëheshin emërtimet e reja.
“Ne kishim një mospërputhje të realitetit me ndryshimet që kishin ndodhur për arsye urbanistike, demografike apo natyrore”, tha ajo.
Por Spangenberg nga EuroNatur mbetet thellësisht e zhgënjyer. “I gjithë rishikimi nuk shërbeu për përmirësimin e rrjetit të Zonës së Mbrojtur, siç do të kishim pritur”, përfundoi ajo.