
Dhuna ndaj grave dhe vajzave rritet gjatë periudhave të krizës. Pra, nuk duhet të jetë habi që COVID-19 ka shtuar rrezikun e dhunës me bazë gjinore. Edhe para pandemisë, një në tre gra në mbarë botën raportoi se kishte përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga një partner intim. Por, duke i kufizuar gratë në shtëpi me abuzuesit e tyre, izolimet për shkak të pandemisë kanë rritur ekspozimin e tyre ndaj dhunës. Karantina ka kontribuar gjithashtu në stresin ekonomik dhe kanë zvogëluar aksesin e grave në burimet dhe sistemet mbështetëse që i ndihmojnë ato të shpëtojnë nga marrëdhëniet abuzive.
Në prill 2020, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antinio Guterres bëri thirrje për veprim për të trajtuar dhunën me bazë gjinore gjatë pandemisë. Kjo thirrje u mbështet nga 146 vende. Në të njëjtin muaj, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë vlerësoi se çdo tre muaj izolim do të sillnin 15 milionë raste shtesë të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, ka prova që qeveritë iu përgjigjën thirrjes së Antonio Guterres. Të dhënat e gjurmuara nga Programi i OKB-së për Zhvillim tregojnë se, nga 4,968 masa politikash për COVID-19, 853 u fokusuan në dhunën ndaj grave. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, miliona dollarë në shpenzime për lehtësimin e pandemisë po drejtohen për të forcuar burimet e nevojshme urgjentisht – të tilla si streha, shërbime psikologjike dhe ndihmë për strehim – që adresojnë nevojat imediate të grave që përjetojnë dhunë.
Por vetëm këto përpjekje nuk do ta ndalojnë shfaqjen e dhunës. Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave nevojiten strategji efikase parandaluese që synojnë shkaqet kryesore të saj. Programe të tilla trajtojnë pabarazitë e përhapura dhe diferencat e pushtetit – veçanërisht normat gjinore që justifikojnë dhe normalizojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Ka shumë shembuj të qasjeve efikase dhe të provuara për parandalimin e dhunës ndaj grave që mund të zbatohen edhe gjatë një pandemie globale. Një grup i madh provash – duke përfshirë praktika më të mira dhe vlerësime të forta të krijuara gjatë disa dekadave – demonstrojnë se cilat qasje funksionojnë më mirë. Në veçanti, vlerësimet e rastësishme të ndikimit mund të udhëheqin vendimet se si të ndërtojmë popullsi të shëndetshme dhe pa dhunë.
Një lloj qasjeje efikase, e bazuar në prova është dialogu gjinor i ndërmjetësuar. Këto biseda i ndihmojnë burrat dhe gratë të shqyrtojnë dhe sfidojnë normat dhe rolet e pabarabarta gjinore dhe të praktikojnë aftësitë e marrëdhënieve në hapësira të sigurta. Një program i tillë në Etiopi, i quajtur “Bashkohu për një jetë më të mirë” (UBL), u zhvillua në kuadër të ceremonisë etiopiane të kafesë, një forum tradicional për diskutime në komunitet.
Një vlerësim i rastësishëm tregoi se UBL mund ta ulë dhunën e partnerit intim deri në 50 për qind kur kjo zhvillohet në grupe burrash. UBL çoi në marrëdhënie më të barabarta, duke përfshirë vendimmarrje më të madhe të përbashkët, përfshirjen e burrave në punët e shtëpisë si gatimi dhe kujdesi për fëmijët, dhe rritje të komunikimit midis partnerëve për tema të ndjeshme si seksualiteti. Përfitimet e programit përhapen përtej familjeve pjesëmarrëse. Efektet pozitive, duke përfshirë uljen e dhunës, u vunë re edhe në mesin e anëtarëve të komunitetit që nuk ishin bashkuar në seancat e UBL.
Ky hulumtim tregon se sa e rëndësishme është përfshirja e burrave në përpjekjet parandaluese. Ndërhyrje të ngjashme, si ato të zbatuara në kuadër të programit “Çfarë funksionon për të parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave”, ofrojnë dëshmi të mëtejshme në mbështetje të dialogëve pjesëmarrës që përfshijnë burrat.
Qasje të tjera premtuese përfshijnë kurrikula shkollore, mikrofinanca ose programe kursimesh dhe kredish për fuqizimin e grave dhe ndërhyrje në marketingun social ose në media. Këto të fundit përfshijnë programet radiofonike dhe televizive në formën e “edukimit”, i cili integron mesazhe të ndryshimit shoqëror. Vlerësime të rastësishme në Ugandë, Meksikë dhe Nigeri kanë treguar se edukimi mund të zvogëlojë pranimin e dhunës ndaj grave dhe incidencën e saj, duke inkurajuar gjithashtu raportimin e saj.
Fushatat në media ofrojnë një mënyrë me kosto të ulët për të arritur shumë njerëz nga distanca. Për shembull, përshtatja e podcast-it të UBL-së u krijua për krizat humanitare ku njerëzit mund të jenë në lëvizje dhe mund të mos jenë në gjendje të marrin pjesë fizikisht në seanca. Këto podcast-e mund të shpërndahen lehtësisht dhe të aksesohen në një pajisje të thjesht celulari. Nevojitet punë shtesë për të kuptuar se si programet e tjera mund të përshtaten në mënyrë efikase për të ndihmuar njerëzit në kohë krize, si pandemia; por provat ekzistuese ofrojnë një vend nga mund të fillohet.
Nuk ka kohë për të humbur. Politikëbërësit duhet të përdorin provat që kanë në dispozicion për të zgjeruar programet efektive të parandalimit dhe për të mbështetur përshtatjen e tyre në kontekste të reja. Dhe kërkimi dhe vlerësimi shtesë i strategjive parandaluese të reja ose të pa testuara është thelbësor.
Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, qeveritë duhet të bëjnë më shumë sesa thjesht të ofrojnë mbështetje për të mbijetuarit. Ato gjithashtu duhet të investojnë dhe zbatojnë programe efikase të parandalimit të dhunës që sfidojnë normat e dëmshme gjinore dhe promovojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të barabarta.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. End the Pandemic of Violence Against Women