Në mbledhjen rutinë të së mërkurës Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e epidemisë në vend dhe masat AntiCovid njoftoi se kishte vendosur heqjen e orës policore, që ndalonte qarkullimin pa leje të posaçme nga ora 23.00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Zëvendës ministrja Mira Rakacolli tha në takim se situata ishte përmirësuar. “Ka ulje të ndjeshme të rasteve ditore”, tha ajo ndërsa shtoi se kishte edhe ulje të numrit të rasteve që kërkonin trajtim spitalorë.
Komiteti po ashtu njoftoi se koha e izolimit për pacientë të infektuar ulej nga 10 në pesë ditë. Nga ana tjetër u lanë në fuqi masat ndaj grumbullimeve dhe aktiviteteve me shumë pjesëmarrës, edhe pse këto defakto nuk janë zbatuar që prej fushatës së fundit elektorale vitin që shkoi.
Komiteti po ashtu la në fuqi detyrimin për mbajtje të maskave në mjedise të mbyllura. Rakacolli këmbënguli se përmirësimet vinin si pasojë e vaksinimit dhe bëri me dije se situata do të monitorohej në vijim.
Bazuar në statistikat zyrtare deri këtë të mërkurë Shqipëria kishte 271 mijë raste me COVID-19 dhe 3472 të vdekur nga virusi. Aktualisht në vend janë 2211 persona të identifikuar si të infektuar dhe 45 persona të shtruar në spital prej të cilëve 8 në terapi intensive. Ditën e fundit pas 2030 testime dhe u diagnostikuan 139 raste pozitive.
Megjithatë të dhënat zyrtare sa i përket numri të personave të prekur dhe të vdekur nga pandemia janë të diskutueshme për shkak të kapaciteteve të ulëta diagnostikuese. Të dhënat e Institutit të Statistikave për shkallën e vdekshmërisë tregojnë se gjatë vitit të shkuar 2021, në vendin tonë pati mbi 10 mijë vdekje më shumë se sa në një vit normal.
Masat ndaj virusit përfshi orën policore filluan në maj të vitit 2020.