Sali Berisha ishte politikani që rriste pensionet. Jo vetëm kaq, por i rriste me raste më shumë se sa rritja ekonomike, duke shkaktuar frikë për stabilitetin financiar të vendit. E megjithatë, perceptimi i përgjithshëm është që mosha e tretë, e cila e ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës nën sistemin komunist, nuk ka qenë kurrë mbështetëse e fortë e Partisë Demokratike.
Në anën tjetër, Edi Rama duket se është politikani më armiqësor ndaj pensionistëve, duke u mjaftuar përgjatë të gjithë këtyre viteve në pushtet me “indeksim” të pensioneve. E megjithatë, perceptimi i përgjithshëm është që pensionistët dhe pensionistet janë në masë mbështetës të socialistëve.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, pensioni mesatar i qytetit përgjatë periudhës 2005-2013, u rritën me mesatarisht 7% në vit duke u rritur nga 8,400 lekë në 14 mijë lekë. Pensioni mesatar rural u rrit me 14% përgjatë të njëjtës periudhë.
Ndërkohë, gjatë periudhës 2014-2020, pensioni mesatar urban u rrit me 1.6% në vit, nga 14 mijë në 15,700 lekë. Gjatë të njëjtës periudhë, pensioni rural u rrit me mesatarisht 3.2%.
Këtu po flasim vetëm në terma nominalë. Një lek në vitin 2005 është më i vlefshëm se sa në vitin 2021 kështu që për ta parë ecurinë e pensionit në terma realë, duhet t'i zbresim rritjes së pensioneve, rritjen e çmimeve. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2000-2014, rritja e pensioneve ka mbuluar inflacionin dhe i ka ofruar pensionistëve një përmirësim modest në kushtet e jetesës. Ndërsa mes viteve 2005 dhe 2013 pensionet urbane u rritën me 67%, inflacioni i matur nga INSTAT u rrit me 24%. Por gjatë tetë viteve të fundit, situata duket se është përmbysur: Pensionet urbane janë rritur me 11.7%, inflacioni është rritur me 14.7%.
Rritja e pensioneve është diçka, por masa e pensioneve është tregues më i vlefshëm. Në vitin 2020, (të dhënat e vitit 2021 nuk janë publikuar ende), pensioni mesatar urban ishte 15,700 lekë ndërsa ai rural ishte 9,300 lekë. Një pensionist qyteti jetoi me mesatarisht 500 lekë në ditë ndërsa ai i fshatit me 300 lekë në ditë.
Skema e pensioneve është gjithsesi në krizë pavarësisht mosrritjes së pensioneve
Masa e pensionit mesatar është njëra anë e medaljes. Numri i pensionistëve dhe kostoja e përgjithshme e pensioneve në buxhetin e shtetit është ana tjetër, veçanërisht në krahasim me të ardhurat e buxhetit nga sigurimet shoqërore. Dhe fakti është që numri i pensionistëve është në rritje të fortë ndërsa numri i të punësuarve që paguajnë sigurime, nuk është rritur aq shpejt sa të mbulojë shtimin e pensionistëve.
Numri i pensionistëve arriti në 550 mijë në vitin 2020 sipas të dhënave të INSTAT dhe është rritur me mesatarisht 4% përgjatë viteve të fundit. Me pak fjalë, qeverisë i duhet të shpenzojë para shtesë për pensionet pavarësisht nëse pensioni mesatar rritet apo jo. Dhe pesha e sigurimeve shoqërore në buxhetin e shtetit është rritur, nga 7.4% e PBB-së më 2014, në 8.4% më 2021 pavarësisht se pensioni mesatar nuk është rritur. Qeveria shpenzoi vitin e kaluar afro 380 milionë euro më shumë se sa më 2014 për të paguar sigurimet shoqërore, pavarësisht rritjes minimale të pensioneve.
Dhe fakti është që struktura e popullsisë sugjeron se numri i pensionistëve do të vijojë të rritet akoma para se të shënojë pikun. Të dhënat e popullsisë sipas grupmoshave të INSTAT tregojnë se brezi i shqiptarëve që janë sot në moshën 55-64 vjeç, të cilët do të dalin në pension përgjatë dekadës së ardhshme, janë rreth 387 mijë vetë. Në anë të kundërt, brezi i shqiptarëve 10-19 vjeç, të cilët do të dalin në jetë përgjatë dekadës së fundit janë rreth 351 mijë vetë. Me pak fjalë, nëse supozojmë se të gjithë të rinjtë e sotëm do të rrijnë në Shqipëri për të punuar dhe kontribuuar për pensionet e gjyshërve dhe nuk do të ikin në emigrim, siç ka gjasa të ndodhë, sërish në fund të dekadës do të ketë rreth 40 mijë pensionistë më shumë se sa punëtorë të rinj. Dhe e njëjta situatë është me gjeneratat para këtyre. Shqiptarët në moshën 45-54 vjeç sot llogaritet nga INSTAT të jenë 356 mijë vetë. Shqiptarët 0-9 vjeç, të cilët do të hyjnë në jetë në dekadën 2030-2040, janë 305 mijë vetë, ose rreth 50 mijë më pak se sa gjenerata që do të duhet të zëvendësojnë në tregun e punës.
Ky është një deficit demografik që detyrimisht do të duhet të mbulohet me pensione më të ulëta ose me barrë fiskale ndjeshëm më të lartë se sa sot.
Alternativa e vetme ndaj rritjes së kontributeve duket se është shtimi i imigrantëve, pra të huajve që të vijnë të punojnë në Shqipëri për të paguar sigurime shoqërore dhe, rrjedhimisht, pensione për shqiptarët. Por Shqipëria është dukshëm larg të qenit një vend joshës për imigrantët, me ekonominë e vet të prapambetur, me pagat e ulëta dhe me tregun e banesave të inflacionuar me tepri nga paratë e drogës dhe korrupsionit.
Në një skenar tjetër, Shqipëria mund të zbatojë ndonjë plan zhvillimi ekonomik që sjell punësim me paga më të larta, të cilat, për rrjedhojë, të jenë në gjendje të paguajnë më shumë sigurime shoqërore. Por për këtë, korrupsioni politik dukshëm ndalon çfarëdolloj alokimi burimesh te rritja ekonomike.
Situata në sfondin politik gjithsesi mbetet e vështirë për t'u shpjeguar. Pensionistët janë ata që marrin pjesë në votime dhe megjithatë forcave politike aktuale nuk ua ndjen që t'i ftojnë për të votuar alternativën e tyre duke i premtuar rritje pensionesh. Dhe rezultati i votimit nga pensionistët nuk duket se ndryshon shumë.