Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi mediat në orën 7.00 të mëngjesit të së premtes se ish-deputeti i Partisë Socialiste është vetëdorëzuar në polici pas një vendimi të gjykatës për masën “arrest me burg”. Ai akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në çështjen e inceneratorëve.
Policia i cilëson “lajme të rreme” aludimet e mediave të enjten në darkë për arratisjen e Bllakos, pasi vendimi i gjykatës ishte dërguar për ekzekutim në Prokurorinë e Posaçme që në orën 4 pasdite dhe deri në mesnatë policia nuk konfirmoi ndalimin e tij.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme. Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”- thuhet në njoftimin e policisë.
Bllako dorëzoi mandatin e deputetit të mërkurën duke shmangur shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e tij nga parlamenti.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi se ka vendosur masën e sigurisë për Bllakon, por pa e specifikuar nëse masa ishte “arrest me burg”.
Bllako akuzohet se ka marrë përfitime të paligshme nga kompanitë konçensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues” si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve
Gjykata i kërkoi parlamentit autorizim për arrestimin e tij për shkak të imunitetit politik, por Bllako dorëzoi mandatin e deputetit të mërkurën, para se të ndodhte procedura parlamentari për shqyrtimin e kërkesës.
Akuza ndaj Bllakos u ngrit nga SPAK të martën bashkë me 9 zyrtarë të tjerë që ishin të lidhur me procedurat e koncensionit për inceneratorin e Fierit, përfshi dhe ish-ministrin Lefter Koka i cili ndodhet në burg për inceneratorin e Elbasanit. Gjatë ditës së enjte GJKKO vlerësoi lënien në fuqi për vendimet e dhëna në mungesë për këta zyrtarë, 7 me masën “arrest në burg” dhe 2 me masën “arrest shtëpie”.
Akuzat që rëndojnë mbi Bllakon
SPAK arrestoi të martën anëtarët e komisionit të koncensionit të inceneratorit të Fierit për “abuzim me detyrën” dhe administratorin Arenc Myrtezani për korrupsion aktiv dhe i kërkoi Kuvendit të japë miratimin për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako pasi gëzon imunitet parlamentar.
Ai akuzohet për shpërndorim detyre dhe korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më tej si drejtor i i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) gjatë periudhës kur janë lidhur dhe janë zbatuar kontratat konçensionare për ndërtimin e inceneratorëve.
Bllako akuzohet për falsifikimin e të dhënave për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall” gjë që ka çuar në një rritje të kostos së shpronësimit me 16 milionë lekë.
Në relacionin e dorëzuar në Kuvend SPAK sqaron skemën se si u ndryshua titulli i tokës duke shtuar vlerën e kompensimit të saj. Kryetari i komisionit të shpronësimit zyrtar i lartë i Ministrisë së Mjedisit, Pëllumb Abeshi, pa e mbledhur komisionin vetëm me firmën e tij kishte përgatitur procedurën e shpronësimit, “duke paraqitur të dhënat për llojin e pronës, “toke truall, si dhe duke paraqitur vlerën e shpronësimit për tokë truall në vlerën e caktuar në shumën 46 299 060 lekë, pa u mbajtur asnje dokument tjetër për të provuar mënyrën e përllogaritjes së kësaj shume”. Sipas SPAK lista e përllogaritur nga Abeshi është miratuar nga Bllako dhe Koka dhe i janë përcjellë për miratim Këshillit të Ministrave. Edhe kur kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili do të kryente shpronësimin, u vë në dukje “lapsusin” në ndryshimin e llojit të tokës, Bllako dhe më pas Koka i kthejnë përgjigje që të vijojë me shpronësimin sipas vlerës së përcaktuar në VKM duke e cilësuar “gabim” ndryshimin e kartelës së pasurisë.
“Lidhur me sa më sipër, nga ana e shtetasit Lefter Koka, me detyrë ish Ministër i Mjedisit në bashkëpunim me shtetasin Alqi Bilako, me detyre ish Sekretari Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe shtetasin Pellumb Abeshi, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kundraligjshme, duke lejuar me dashje ardhjen e pasojës, shkaktimin e dëmit në buxhetin e shtetit, prej 16.288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë, dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit te detyres”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal”- thuhet në relacionin e SPAK.
Deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë “Integrated Energy BV SPY” konçensionare e inceneratorit të Tiranës.
Ai dyshohet i ka marrë këto përfitime ndërkohë që si drejtor i AKUM-it ushtronte detyrën e Autoriteti Kontraktor me kompanitë konçensionare, duke mbajtur komunikimet dhe miratuar amendimet e kontratës për zgjatjen e afatit të punimeve.
Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Edmond Bllako është punësuar me funksionin “Drejtor Kantieri” pranë shoqërisë “Integrated Energy BV SPY” sh.p.k, me aksioner shtetasin Klodian Zoto, me një pagë mujore 6 mijë euro nga muaji. “Bazuar në këtë kontratë pune rezulton se shtetasi Edmond Bllako nga muaji tetor i vitit 2018 deri në muajin janar të vitit 2020, ka përfituar shumen prej 14,964,900 lekë”- thuhet në relacionin e SPAK, ndërkohë që nga hetimet ka rezultuar se babai i Bllakos nuk ka vajtur në punë dhe detyrën “drejtor kantieri” për të cilën paguhej e ushtronin realisht 3 shtetas të tjerë.
Këto të dhëna kanë çuar në dyshimet se Bllako ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv”, ndërsa SPAK ka vënë në sekuestro një apartament në pronësi të të babait të tij me vlerë 144 mijë euro.
Alqi Bllako vendosi t’i futej karrierës politike një vit më parë duke u zgjedhur deputet si përfaqësues i qarkut Tiranë në listat e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Skema korruptive në inceneratorin e Fierit
Nën akuzë për shpërdorim detyre janë edhe Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Erjon Murataj, Sabina Cenameri dhe Etleva Kondi, të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit të koncesionit. Sipas prokurorisë, këta shtetas, në bashkëpunim me Bllakon dhe Kokën, kanë shkelur ligjin për Partneritetin Publik Privat për të favorizuar kompaninë Integrated Technology Services, e cila fitoi koncesionin. Akuza për shpërdorim detyre parashikon dënim me deri në shtatë vjet burg për të dyshuarit.
Po ashtu SPAK thotë se ka identifikuar në inceneratorin e Fierit një skemë të ngjashme me atë të Elbasanit, në bazë të së cilës, kompanitë koncesionare kanë paguar ryshfet te zyrtarët duke përdorur kompani fiktive dhe fatura për punime të pakryera.
“…nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Ëaste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Një shumë prej 146 milionë lekësh besohet se ka përfunduar në xhepat e ish-ministrit Lefter Koka, i cili është aktualisht në burg, i dyshuar për përfitime të ngjashme nga koncesioni i inceneratorit të Elbasanit.
“Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”,” thuhet në njoftim.
Përgjegjësit për këtë skemë dyshohet se janë shtetasit Klodjan Zoto, i cili sakaq është shpallur në kërkim dhe shtetasi Arenc Myrtezani, i cili është administrator i kompanisë së koncesionit të Fierit.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Koncesioni i parë, inceneratori i Elbasanit, u sekuestrua nga prokuroria dhjetorin e kaluar, pak ditë para se kompania t’i transferohej Bashkisë së Elbasanit pas përfundimit të kontratës së koncesionit.
Të martën SPAK njoftoi se ka vendosur nën sekuestro preventive edhe kompaninë e inceneratorit të Fierit, kontrata për të cilën është pranë fundit. Prokurorët njoftuan se kanë vendosur nën sekuestro preventive katër nga pasuritë e Lefter Kokës, të cilat, sipas tyre, përmbushin shumën prej 146 milionë lekësh, e cila dyshohet se është përfituar si korrupsion. Zyrtarisht hetimet për kontratën më të madhe, atë të inceneratorit të Tiranës, vazhdojnë.