Zyra e prokurorit ngriti një padi të mërkurën, duke kërkuar mbylljen e “Platformës Ne do ta ndalojmë femicidin”, OJQ-ja kryesore e grave në Turqi, nën arsyetimin për “veprime kundër ligjit dhe kundër moralit”.
OJQ-ja u krijua 12 vjet më parë për të protestuar kundër vrasjeve të grave në vend, por që atëherë është bërë një nga lëvizjet sociale më të spikatura në Turqi dhe ka organizuar disa demonstrata masive për shkak të rritjes së numrit të femicideve dhe mosveprimit të qeverisë për të mbrojtur gratë dhe për t’i dhënë fund dhunës në familje.
OJQ-ja tha se padia kundër saj ishte ngritur pasi në prokurori ishin dërguar peticione të ndryshme ankesash kundër saj.
“Këto peticione përbëhen nga pretendime me shkrim që shprehen se shoqata jonë ka ‘shpërbërë strukturën e familjes duke shpërfillur konceptin e familjes nën maskën e mbrojtjes së të drejtave të grave’, një pretendim që nuk bazohet në asnjë fakt konkret”, tha OJQ-ja në një deklaratë me shkrim.
Ajo shtoi se padia përfshin gjithashtu hetime të mëparshme policore ndaj administratorëve të OJQ-së, të cilat nuk rezultuan sollën akuza.
“Ndërsa ne u bëjmë thirrje autoriteteve politike, prokurorëve dhe gjykatave që të bëjnë detyrën e tyre në emër të grave, ata preferojnë të shënjestrojnë ata që po e trajtojnë këtë çështje me padi të pakuptimta”, tha ajo.
Femicidi dhe dhuna ndaj grave janë probleme të mëdha në Turqi. Deri më tani këtë vit, të paktën 111 gra janë vrarë nga burrat; 419 gra u vranë nga burrat në vitin 2021 dhe 413 në 2020.
Turqia ishte vendi i parë që ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave, të ashtuquajturën Konventa e Stambollit.
Por kritikët islamikë dhe konservatorë pohuan se ajo minon vlerat tradicionale të familjes dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan e tërhoqi vendin nga traktati.
Platforma Ne do ta Ndalim Femicidin dhe drejtuesja e saj Gulsum Kav ishin në krye të disa demonstratave mbarëkombëtare për t’i kërkuar qeverisë t’i ribashkohej Konventës së Stambollit, por këto thirrje u hodhën poshtë nga autoritetet.
Gulsum Kav është një mjeke dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila i ka kushtuar jetën e saj mbrojtjes së grave nga dhuna dhe vrasja me bazë gjinore në Turqi. Kav u cilësua si një nga Heronjtë e Balkan Insight të vitit 2020: Njerëzit që bënë ndryshim.
Më 16 prill, Platforma Ne do ta Ndalim Femicidin do të mbajë një protestë në lagjen Kadikoy të Stambollit kundër padisë për mbylljen e OJQ-së.