Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
Reporter.al
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Blog

Pavarësia energjetike e kujt?

Kryeministri flet për ndërtimin e Skavicës nga amerikanët dhe gazin e Azerbajxhanit në brigjet e Shqipërisë, duke premtuar Shqipërinë “vend eksportues” dhe “pavarësi energjetike”. Problemet e Shqipërisë me burimet energjetike duket se janë krejt tjetër nga këto.

Gjergj ErebaraNgaGjergj Erebara
19:33 | 27/04/2022
Në Artikull kryesor Blog, Blog
Kohe leximi: 7 minuta
A A
0
Amnistia fiskale për emigrantët, një alibi jobindëse

Kryeministri Edi Rama duke folur gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste. Foto:LSA

Share on FacebookShare on Twitter

Vendet në zhvillim në të gjithë botën kanë dy tregues për të patur parasysh: sigurimin e energjisë sa më ekonomike për të financuar zhvillimin e vet nga ekonomi të prapambetura në ekonomi të zhvilluara dhe; eficienca energjetike e ekonomisë së tyre të re.

Përkundrejt kësaj, kryeministri Edi Rama, ka plane të ndryshme. Në një konferencë për energjinë, të mërkurën, ai tha:

“Me shumë kënaqësi dëshmoj progresin për shndërrimin e impiantit të Vlorës në një impiant për prodhimin e energjisë. Shtoj këtu energjinë diellore, të erës. Ëndrra e gjatë e Skavicës që do rrisë me 20%  prodhimin e energjisë dhe do na japë një shtysë drejt pavarësisë energjetike. Këto tregojnë një potencial për ta shndërruar Shqipërinë brenda këtij viti në prodhues neto të energjisë dhe kjo është  gjë e madhe.”

Koncepti i pavarësisë energjetike dhe ai i “prodhuesit neto të energjisë” janë paksa të çuditshëm në shekullin e njëzet e një. Pyetja e parë është se nga kush Rama dëshiron që Shqipëria të jetë në pavarësi energjetike. Dhe pastaj, pyetja tjetër është, çfarë do të thotë për ekonominë kombëtare të qenit “prodhues neto” i energjisë. E për më shumë, prodhues neto për sa kohë.

Si rregull, ekonomitë e varfra dhe të prapambetura, si kjo e Shqipërisë, kanë konsum të ulët energjetik, pikërisht për shkak se janë të varfra. Për shembull, shqiptarët konsumuan 800 kg naftë ekuivalente për frymë në vitin 2014, (të dhënat e fundit të disponueshme), ndërsa amerikanët konsumuan 6800 kg. [Link]

Pra nëse duan të zhvillohen, atëherë kjo do të thotë se ekonomitë e varfra do të duhet të konsumojnë më shumë energji. Dhe pyetja e parë në këtë diskurs duhet të jetë: a ka Shqipëria burime energjetike të vetat për të mbuluar nevojat e një ekonomie të zhvilluar? Përgjigjja është e thjeshtë: Jo! Nafta e nxjerrë nga nëntoka shqiptare, aktualisht në rendin e 900 mijë tonëve në vit, si dhe hidroenergjia, ajo aktualisht e shfrytëzueshme dhe ajo ende e pashfrytëzuar, si Skavica, nuk mjaftojnë për të mbuluar konsumin e një ekonomie të varfër si kjo ekzistuesja që kemi, me PBB për frymë prej 6200 dollarësh, një nga vendet më të varfra në Evropë. Dhe nëse ekonomia do të duhet të rritet, jo vitin e ardhshëm, por dekadën e ardhshme, në fjala vjen, 12 mijë dollarë për frymë, atëhere logjika ta do se konsumi i burimeve energjetike do të rritet. Teorikisht shqiptarët nuk kanë arsye se pse të mos synojnë ndërtimin e një ekonomie moderne, me PBB për frymë prej 65 mijë dollarësh, si ajo e Shteteve të Bashkuara, apo prej 34 mijë dollarësh, që është mesatarja e BE-së. Por për momentin po diskutojmë thjeshtë se çfarë mund të ndodhë kur ekonomia jonë të jetë 12 mijë dollarë për frymë. Kjo do të thotë që të konsumosh më shumë energji dhe, përveçse nëse qëllon që këtu te ne të zbulohet ndonjë burim i stërmadh nafte apo gazi, (me shumë gjasa që nuk do të ndodhë), atëhere shumica dërrmuese e energjisë së nevojshme për një ekonomi të zhvilluar do të duhet të importohet.

Rrjedhimisht, nëse duam një vend me ekonomi të zhvilluar, nuk mund të flasim për “pavarësi energjetike” dhe as për Shqipërinë si “eksportues neto” dhe nuk ka kurrfarë tragjedie në këtë. Në fund të fundit, vetëm një bari është krejtësisht i pavarur nga pikëpamja energjetike. Ai nuk përdor elektricitet në majë të malit dhe përdor këmbët për të shëtitur delet nëpër kullota. Por nëse duam të kemi ndonjë ekonomi pak më të zhvilluar se sa delet, fjala vjen, duam të prodhojmë djathë me qumësht deleje, atëhere na duhet energji elektrike për të nxehur e ftohur qumështin, na duhet naftë për të transportuar mallin, ndërsa sasia e energjisë së konsumuar varet nga sasia e djathit të prodhuar dhe eficienca energjetike e pajisjeve të përdorura për prodhim apo për transport.

Nëse ekonomia shqiptare rritet me 6% në vit, sa është normalja në kushtet e një ekonomie të prapambetur dhe qeverisjes pa korrupsion, atëhere ne do të kemi 12 mijë dollarë PBB për frymë në vitin 2033, pra pas 11 vitesh. Nëse ekonomia rritet me 3% në vit, atëhere ekonomia shqiptare do të dyfishohet nga niveli aktual në vitin 2045, pra 24 vjet nga sot. Përgjatë kësaj kohe, konsumi total i energjisë mund të rritet më shpejt se sa rritja ekononike, njësoj me rritjen ekonomike, ose më ngadalë se sa rritja ekonomike. Kjo varet shumë nga lloji i ekonomisë që do të ndërtohet dhe eficienca energjetike.

Duke pasur parasysh këto dy tregues, pra rritjen ekonomike dhe eficiencën energjetike, mund të hamendësojmë se tre skenarë bazë: i pari është që eficienca energjetike të jetë më e keqe ndërsa prodhimi rritet. Me pak fjalë, kur Shqipëria të ketë GDP për frymë prej 12 mijë dollarësh në vit, atëhere konsumi energjetik do të duhet të jetë rritur me më shumë se sa dy herë. Kjo do të thotë se nëse Shqipëria konsumon sot 8.4 TW/h energji elektrike, atëhere kur ekonomia të dyfishohet, do të na duhen më shumë se 16.8 TW/h. Skavica, e cila, kur të ndërtohet, nëse ndërtohet, do të prodhojë 1.8 TW/h në vit, vështirë se do të mbulojë nevojat e zhvillimit ekonomik për më shumë se pak vite. Veçse në rast se Rama ka ndonjë plan për ta mbajtur vendin të pazhvilluar, atëhere po, Shqipëria mund të bëhet një vend i vetëmjaftueshëm energjetik, njësoj siç është i pavarur bariu në mal.

Diskursi për “pavarësi energjetike” është absurd edhe në një drejtim tjetër. Aktualisht, nga të 8.4 TW/h energji që ne konsumojmë, 64% prodhohen nga KESH ndërsa pjesa tjetër prodhohet privatisht ose importohet. Prodhimi privat në Shqipëri paguhet njësoj si importi. Dhe Skavica, ka gjasa që do të ndërtohet privatisht dhe shqiptarët do të duhet ta paguajnë. Rama nuk ka dhënë ndonjë shpjegim publik se sa do të na kushtojë Skavica, sa do të na kushtojë energjia e prodhuar prej saj dhe se si do të paguhet. Por besoj gjithsesi se ai në fund fare do të duhet në ndonjë farë mënyre, të na shpjegojë se ku qëndron pavarësia energjetike dhe vetëmjaftueshmëria energjetike në rast se shqiptarët paguajnë energji private të prodhuar në Dibër në vend që të paguajnë energji private të importuar. Pasoja ekonomike dukshëm është njësoj. Nëse sot shqiptarët paguajnë energjinë e prodhuar privatisht në Devoll njësoj me energjinë e importuar, në kushtet kur Devolli është një kaskadë në prodhim të huaj, shqiptarëve dukshëm nuk i ndryshon gjë.

Ekonomi e pistë apo ekonomi neutrale

Nëse ne biem dakord se Shqipëria është një vend i varfër dhe synimi është që të zhvillohet, atëhere na duhet të mendojmë me të vërtetë për llojin e ekonomisë që duam të zhvillojmë, impaktin mjedisor të kësaj ekonomie, ritmin e rritjes dhe intensitetin energjetik.

Ka një teori, e cila quhet Kurba mjedisore e Kuznets-it, e cila thotë se një vend në zhvillim detyrimisht do të duhet të konsumojë më shumë energji për dollarë vlerë të shtuar se sa një vend i zhvilluar.

Simon Kuznets është ekonomisti amerikan që përkufizoi një mënyrë të matjes së ecurisë së ekonomisë, të cilën sot e njohin si Prodhimi i Brendshëm Bruto. Ai njihet se ka zhvilluar edhe teorinë e Kurbës Kuznets, e cila sugjeron se pabarazia rritet gjatë fazës së parë të industrializimit për t’u pakësuar më vonë. Nga kjo teoria e pabarazisë ka rrjedhur edhe teoria e Kurbës Mjedisore, e cila sugjeron se një ekonomi në zhvillim konsumon sasi të mëdha energjie dhe rrjedhimisht shkakton ndotje të mëdha para se të bëhet një ekonomi moderne, me intensitet energjetik të ulët dhe mallra e shërbime me vlerë të shtuar të lartë, njolla energjetike e të cilave është e vogël.

Gjithsesi, duke e ditur eksperiencën e botës që është zhvilluar para nesh, Shqipëria ka mundësi që të punojë në drejtimin që kurba mjedisore e Kuznetsit të mos bëhet realitet, që vendi të mund të bëhet njëkohësisht edhe i zhvilluar edhe jo shumë i ndotur. Për shembull, përdorimi i energjisë diellore për ujë të ngrohtë, aty ku është e mundur, fjala vjen, shkolla, kopshte, institucione publike, mund të kursejë konsum të energjisë elektrike. Përdorimi i gazit ose i naftës së rëndë për ngrohje, së paku në institucionet publike të mëdha, si fjala vjen, kryeministria, kursen paratë dhe impaktin mjedisor të kondicionimit. Përdorimi i drejtpërdrejtë i naftës ose gazit për ngrohje dhe ftohje është masa më elementare kursyese e energjisë, sepse nëse përdor energji elektrike, atëhere zakonisht të duhet të djegësh naftë ose gaz për të prodhuar energji elektrike para se të përdorësh këtë të fundit për ngrohje apo për ftohje.

Ndërsa përdorimi i paneleve fotovoltaike në zonat bregdetare mund të reduktojë impaktin mjedisor të sektorit të turizmit, i cili ta ha mendja se mund të jetë një faktor pozitiv në rritjen ekonomike. Në rast se punohet mirë dhe me politikat e duhura, vendi mundet që të arrijë të rrisë ekonominë, me fjala vjen, 6% në vit ndërsa rrit konsumin e energjisë me 3% në vit. Në këtë skenar, konsumi i energjisë elektrike në vitin 2033 do të jetë 12 TW, nga e cila, Skavica nuk do të mbulojë dot as gjysmën ndërsa pjesa tjetër do të duhet të importohet, ose të prodhohet në termocentrale me naftë ose gaz të importuar.

Të gjitha këto janë diskutime të vlefshme për politikat publike. Por “pavarësia energjetike” dhe “Shqipëria vend eksportues neto”, këto janë diskutime po aq të vlefshme sa edhe “Shqipëria, fanar ndriçues” dhe “Shqipëria, shkëmb i pamposhtur përballë imperializmit dhe revizionizmit”.

Etiketa: Edi RamaEkonomiaEnergjiaSkavica
Tjetri
‘Brenda shkeljes jam treguar i kujdesshëm’: Gjergji Tako jep shpjegime në veting

‘Brenda shkeljes jam treguar i kujdesshëm’: Gjergji Tako jep shpjegime në veting

Më të lexuarat

Amnistia fiskale për emigrantët, një alibi jobindëse

Pavarësia energjetike e kujt?

19:33 | 27/04/2022
Gjyqtari Emiljano Ruli përballet me probleme të pasurisë

Gjyqtari Emiljano Ruli përballet me probleme të pasurisë

18:28 | 11/05/2022
‘Investime strategjike’: Resortet kërcënojnë zonat e mbrojtura në bregdet

‘Investime strategjike’: Resortet kërcënojnë zonat e mbrojtura në bregdet

18:16 | 10/05/2022
Etien Kapo përballet pa telashe me vetingun

Etien Kapo përballet pa telashe me vetingun

17:35 | 12/05/2022
Marsida Frashëri dërgohet për trajnim në Magjistraturë

Marsida Frashëri dërgohet për trajnim në Magjistraturë

16:42 | 13/05/2022
“Neglizhencë dhe pakujdesi”: Marsida Frashëri jep shpjegime për profesionalizmin

“Neglizhencë dhe pakujdesi”: Marsida Frashëri jep shpjegime për profesionalizmin

17:01 | 10/05/2022
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.