Që nga takimi i fundit në Davos, rrjedha e historisë ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Rusia pushtoi Ukrainën. Kjo e ka tronditur Evropën deri në palcë. Bashkimi Evropian u krijua për të parandaluar një gjë të tillë. Edhe kur luftimet të ndalojnë, siç duhet të ndodhë, situata nuk do të kthehet kurrë në status quo ante. Në fakt, pushtimi rus mund të rezultojë të jetë fillimi i Luftës së Tretë Botërore dhe qytetërimi ynë mund të mos i mbijetojë asaj.
Pushtimi i Ukrainës nuk erdhi i papritur. Bota ka qenë gjithnjë e më shumë e angazhuar gjatë gjysmë dekadës së fundit, ose më gjatë, në një luftë midis dy sistemeve diametralisht të kundërta të qeverisjes: shoqëria e hapur dhe shoqëria e mbyllur. Më lejoni t’i përcaktoj dallimet sa më thjeshtë që të mundem.
Në një shoqëri të hapur, roli i shtetit është të mbrojë lirinë e individit; në një shoqëri të mbyllur, roli i individit është t’u shërbejë pushtetarëve. Çështje të tjera që shqetësojnë të gjithë njerëzimin – lufta kundër pandemive dhe ndryshimeve klimatike, shmangia e luftës bërthamore, ruajtja e institucioneve globale – janë dashur të zënë vendin e dytë në këtë luftë sistematike. Kjo është arsyeja pse unë them se qytetërimi ynë mund të mos mbijetojë.
Unë u angazhova në atë që e quaj filantropi politike në vitet 1980, një kohë kur një pjesë e madhe e botës vuante nën sundimin komunist. Doja të ndihmoja njerëzit që ishin të indinjuar dhe luftonin kundër shtypjes. Themelova një fondacion pas tjetrit në vazhdimësi të shpejtë në atë që atëherë ishte perandoria sovjetike. Përpjekja rezultoi më e suksesshme nga sa prisja.
Ishin ditë emocionuese. Ato përkuan edhe me një periudhë suksesit financiar personal që më lejoi të rrisja dhënien time vjetore nga 3 milionë dollarë në 1984 në më shumë se 300 milion dollarë tre vjet më vonë.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në 2001, batica filloi të kthehej kundër shoqërive të hapura. Regjimet represive tani janë në rritje dhe shoqëritë e hapura janë nën rrethim. Sot, Kina dhe Rusia përfaqësojnë kërcënimet më të mëdha për shoqëritë e hapura.
E kam menduar gjatë se pse ndodhi ky ndryshim. Një pjesë e përgjigjes duhet të gjendet në zhvillimin e shpejtë të teknologjisë digjitale, veçanërisht të inteligjencës artificiale.
Rreziku teknologjik
Në teori, AI duhet të jetë politikisht neutrale: mund të përdoret për të mirë ose për keq. Në praktikë, efekti është asimetrik. Inteligjenca artificiale është veçanërisht e mirë në prodhimin e instrumenteve të kontrollit që ndihmojnë regjimet represive dhe rrezikojnë shoqëritë e hapura. COVID-19 gjithashtu ndihmoi në legjitimimin e instrumenteve të tilla të kontrollit, sepse ato janë vërtet të dobishme në adresimin e pandemisë.
Zhvillimi i shpejtë i AI ka ecur paralelisht me ngritjen e Big Tech dhe platformave të rrjeteve sociale. Me pak fjalë, këto konglomerate kanë arritur të dominojnë ekonominë globale, shtrirja e tyre shtrihet në mbarë botën.
Këto zhvillime kanë pasur pasoja të gjera. Ato kanë ashpërsuar konfliktin midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kina i ka kthyer platformat e saj teknologjike në kampione kombëtare. SHBA-ja ka qenë më hezituese, sepse është shqetësuar për efektin e këtyre teknologjive në lirinë individuale.
Këto qëndrime të ndryshme hedhin dritë të re mbi konfliktin midis dy sistemeve të ndryshme të qeverisjes. Kina e presidentit Xi Jinping, e cila mbledh të dhëna personale për të vëzhguar dhe kontrolluar qytetarët e saj në mënyrë më agresive se çdo vend tjetër në histori, duhet të përfitojë nga këto zhvillime. Por, siç do ta shpjegoj, nuk është kështu.
Putin dhe Xi bashkohen
Më lejoni të kthehem fillimisht te zhvillimet e fundit, veçanërisht te takimi midis Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin më 4 shkurt në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Ata bënë një deklaratë të gjatë duke bërë të ditur se bashkëpunimi mes tyre “nuk ka kufij”. Putin e informoi Xi-n për një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, por është e paqartë nëse ai i tha Xi-së se kishte në mendje një pushtim në shkallë të plotë. Ekspertët ushtarakë amerikanë dhe britanikë me siguri u thanë homologëve të tyre kinezë se çfarë po përgatitej. Xi e aprovoi, por i kërkoi Putinit të priste deri në përfundimin e Lojërave Dimërore.
Nga ana e tij, Xi vendosi të zhvillonte Lojërat Olimpike pavarësisht shfaqjes së variantit shumë ngjitës Omicron, që sapo kishte filluar të përhapej në Kinë. Organizatorët bënë përpjekje të mëdha për të krijuar një flluskë hermetike për konkurrentët dhe Lojërat Olimpike Dimërore përfunduan pa probleme.
Por Omicron u përhap në komunitet, fillimisht në Shangai, qyteti më i madh dhe qendra tregtare e Kinës. Tani ai po përhapet në pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, Xi vazhdon edhe sot e kësaj dite me politikën e tij zero-COVID, e cila i ka shkaktuar vështirësi të mëdha popullatës së Shangait duke i detyruar banorët të karantinohen në qendra të improvizuara karantine në vend që t’i lejojë ata të vetëkarantinohen në shtëpi. Banorët e Shangait janë në prag të një rebelimi të hapur.
Shumë njerëz janë të hutuar nga kjo qasje në dukje irracionale ndaj pandemisë, por unë mund t’ju jap shpjegimin: Xi është përgjegjës për një gabim. Ai nuk i tha kurrë popullit kinez se ata ishin vaksinuar me një vaksinë që ishte krijuar për variantin origjinal të sëmundjes në Ëuhan, por që ofron pak mbrojtje kundër varianteve të reja.
Xi nuk mund t’ia lejojë vetes ta sqarojë këtë, sepse është në një moment shumë delikat të karrierës së tij. Mandati i tij i dytë në detyrë skadon këtë vjeshtë dhe ai dëshiron të zgjidhet për një mandat të tretë të paprecedentë dhe përfundimisht të bëhet sundimtar i përjetshëm. Ai ka koregrafuar me kujdes një proces që do ta lejonte të përmbushte ambicien e jetës së tij dhe gjithçka duhet t’i nënshtrohet këtij qëllimi.
Rezistenca ndaj Rusisë
Ndërkohë, “operacioni special ushtarak” i Putinit nuk ka ecur sipas planit. Ai priste që ushtria e tij të pritej si çlirimtare nga popullsia rusisht-folëse e Ukrainës. Ushtarët e tij kishin uniforma për një paradë fitoreje.
Në vend të kësaj, Ukraina bëri një rezistencë të fortë të papritur dhe shkaktoi dëme të mëdha në ushtrinë pushtuese ruse, e cila ishte e pajisur keq, e udhëhequr keq dhe shpejt u demoralizua. SHBA-ja dhe BE-ja u mblodhën për mbështetjen e Ukrainës dhe e furnizuan atë me armatime. Me ndihmën e tyre, Ukraina ishte në gjendje të mposhtte ushtrinë shumë më të madhe ruse në betejën për Kievin.
Putini nuk mund të përballonte ta pranonte humbjen dhe i ndryshoi planet e tij në përputhje me rrethanat. Ai vuri në krye gjeneralin Vladimir Shamanov, i njohur për mizorinë e tij në rrethimin e Groznit, dhe më vonë për egërsinë e fushatës që kreu në Siri, dhe e urdhëroi të arrinte njëfarë suksesi deri më 9 maj, kur do të festohej Dita e Fitores.
Por Putini kishte shumë pak për të festuar. Shamanov i përqendroi përpjekjet e tij në qytetin portual të Mariupolit, i cili dikur kishte 400,000 banorë. Ai e shndërroi atë në rrënoja, siç kishte bërë me Groznin, por mbrojtësit ukrainas rezistuan për një kohë të gjatë.
Tërheqja e nxituar nga Kievi zbuloi mizoritë që ushtria e Putinit kishte kryer ndaj popullatës civile në periferitë veriore të qytetit. Krimet e luftës janë të dokumentuara mirë dhe imazhet e civilëve të vrarë nga trupat ruse në qytete si Bucha kanë shkaktuar zemërim të gjerë ndërkombëtar, megjithëse jo në Rusi, ku popullsia është mbajtur në errësirë për luftën e Putinit.
Pushtimi i Ukrainës tani ka hyrë në një fazë të re, më sfiduese për mbrojtësit e vendit. Ushtria ukrainase duhet të luftojë në terren të hapur ku epërsia numerike e forcave ruse është më e vështirë për t’u kapërcyer.
Ukrainasit po bëjnë më të mirën e tyre, duke kundërsulmuar, madje ndonjëherë duke depërtuar me guxim në territorin rus. Taktika të tilla kanë bërë që popullata ruse të mësojë atë që po ndodh vërtet.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjithashtu të pamundurën për të reduktuar hendekun financiar midis Rusisë dhe Ukrainës, së fundmi duke ndarë një ndihmë të paprecedentë ushtarake dhe financiare për qeverinë e Ukrainës. Nuk mund ta parashikoj rezultatin, por Ukraina sigurisht që e ka një shans për të luftuar.
Një Evropë më e Bashkuar
Kohët e fundit, kryeministri italian Mario Draghi dhe liderë të tjerë evropianë shkuan edhe më tej. Ata duan të përdorin pushtimin rus të Ukrainës për të promovuar një integrim më të madh evropian, në mënyrë që ajo që po bën Putini të mos ndodhë më kurrë.
Ish-kryeministri italian Enrico Letta, kreu i Partito Democratico, propozoi një plan për një Evropë pjesërisht të federuar. Pjesa federale do të mbulonte çështjet e jashtme, azilin, energjinë, mbrojtjen dhe politikat sociale dhe shëndetësore. Shumë njerëz, duke përfshirë edhe mua, këmbëngulin që në listë duhet të shtohen edhe siguria ushqimore dhe klima.
Në thelbin federal të Evropës, asnjë shtet anëtar nuk do të kishte të drejtën e vetos. Në fusha të tjera politikash, shtetet anëtare mund të bashkohen me koalicionet ose thjesht të ruajnë fuqinë e tyre të vetos.
Presidenti francez Emmanuel Macron, në një zgjerim të konsiderueshëm të qasjes së tij pro-evropiane, ka mbrojtur rëndësinë e zgjerimit gjeografik dhe nevojën që BE-ja të përgatitet për të. Jo vetëm Ukraina, por edhe Moldavia, Gjeorgjia dhe Ballkani Perëndimor duhet të kualifikohen për anëtarësim në BE. Përpunimi i detajeve do të dojë kohë, por Evropa duket se po ecën në drejtimin e duhur. Ajo i është përgjigjur pushtimit të Ukrainës me shpejtësi, unitet dhe vrull më të madh se kurrë më parë në historinë e saj. Pas një fillimi hezitues, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjithashtu ka gjetur një zë të fortë pro-evropian.
Por varësia e Evropës nga lëndët djegëse fosile ruse mbetet e tepruar, kryesisht për shkak të politikave merkantiliste të ndjekura nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo kishte bërë marrëveshje speciale me Rusinë për furnizimin me gaz dhe e bëri Kinën partneren më të madhe tregtare të Gjermanisë. Gjermania u bë ekonomia me performancën më të mirë në Evropë, por tani i duhet të paguajë një çmim të madh. Ekonomia e Gjermanisë duhet të riorientohet. Dhe kjo do të dojë shumë kohë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u zgjodh sepse premtoi vazhdimësi me politikat dhe stilin e qeverisjes së Merkelit. Por ngjarjet e detyruan atë të hiqte dorë nga kjo vazhdimësi, gjë që nuk rezultoi të ishte e lehtë, sepse iu desh të thyente disa tradita të shenjta të Partisë së tij Socialdemokrate.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për ruajtjen e unitetit evropian, Scholz gjithmonë duket se në fund bën gjënë e duhur. Ai pezulloi gazsjellësin Nord Stream 2, caktoi 100 miliardë euro (104.8 miliardë dollarë) për mbrojtjen dhe ofroi armë për Ukrainën, duke thyer një tabu të gjatë. Dhe demokracitë perëndimore në përgjithësi iu përgjigjën me të njëjtën vendosmëri pushtimit rus të Ukrainës.
Katastrofa despotike
Çfarë kanë për të treguar për veten e tyre dy diktatorët, Putin dhe Xi, tani të lidhur së bashku në një aleancë? Ata kanë shumë të përbashkëta. Ata sundojnë me anë të kanosjes, dhe si pasojë bëjnë gabime të habitshme. Putini priste të mirëpritej si çlirimtar në Ukrainë; po kështu, Xi po i përmbahet një politike zero-COVID që nuk mund të mbështetet.
Putini duket se e ka kuptuar se bëri një gabim të tmerrshëm kur pushtoi Ukrainën dhe tani po përgatit terrenin për të negociuar një armëpushim. Por një armëpushim është i paarritshëm, sepse atij nuk mund t’ia ketë besën njeri. Putinit do t’i duhej të fillonte negociatat e paqes, gjë që ai nuk do ta bëjë kurrë sepse kjo do të ishte e barabartë me dorëheqjen.
Situata është konfuze. Një ekspert ushtarak që kishte qenë kundër pushtimit u lejua të dilte në televizionin rus për të informuar publikun se sa keq ishte situata. Më vonë, ai u betua për besnikëri ndaj Putinit. Është interesante se si Xi vazhdon të mbështesë Putinin, por jo më pa kufij.
Kjo fillon të shpjegojë pse Xi është i prirur të dështojë. Dhënia e lejes së Putinit për të nisur një sulm të pasuksesshëm kundër Ukrainës nuk i shërbeu interesave më të mira të Kinës. Edhe pse Kina duhet të jetë partneri i lartë në aleancën me Rusinë, mungesa e vendosmërisë së Xi-së e lejoi Putinin të uzurponte atë pozicion. Por gabimi më i keq i Xi-së ishte dyfishimi i politikës së tij zero-COVID.
Izolimet e vazhdueshme kanë pasur pasoja katastrofike, duke e shtyrë ekonominë kineze në një rënie të lirë që nga marsi. Në prill, indeksi i logjistikës së autostradave mbarëkombëtare, i cili mat transportin rrugor nëpër Kinë, ra në 70% të nivelit të tij një vit më parë. Vetëm për Shangain, indeksi i logjistikës së autostradave ka rënë në 17% të nivelit të tij të një viti më parë. Me mbi 80% të vëllimit të përgjithshëm të mallrave të transportuara nga kamionë në Kinë, këto shifra tregojnë për një kolaps pothuajse të transportit tregtar vendas.
Për më tepër, indeksi Caixin Composite PMI, i cili përdor të dhënat e mbledhura nga rreth 400 kompani për të gjurmuar tendencat e biznesit të sektorit privat në Kinë – duke përfshirë shitjet, porositë e reja, punësimin, inventarët dhe çmimet – ra në 37.2, nga 43.9 që ishte në mars. Kur vlera e PMI është nën 50, ekonomia po tkurret. Aktiviteti ekonomik në rënie të madhe i Kinës do të ketë pasoja globale, por, të paktën deri më tani, përgatitjet për këtë kanë qenë të pakta.
Këto rezultate negative do të vazhdojnë të marrin vrull derisa Xi të ndryshojë kursin – gjë që ai nuk do ta bëjë kurrë, sepse nuk mund ta pranojë një gabim. Dëmi do të jetë aq i madh sa do të prekë ekonominë globale. Me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, inflacioni global mund të kthehet në depresion global.
Minimizimi i rreziqeve
Për Perëndimin, dilema në trajtimin e Rusisë është se sa më i dobët Putini, aq më i paparashikueshëm bëhet ai. Shtetet anëtare të BE-së e ndjejnë presionin. Ata e kuptojnë se Putini mund të mos presë derisa ata të zhvillojnë burime alternative të energjisë përpara se të mbyllë vetë rubinetët e gazit, ndërkohë që kjo është vërtet e dëmshme, siç ka bërë me Bullgarinë, Poloninë dhe Finlandën.
Programi REPoëerEU i prezantuar javën e kaluar pasqyron këto frikë. Scholz është veçanërisht i shqetësuar për shkak të marrëveshjeve speciale që Merkel bëri me Rusinë. Draghi është më i guximshëm, megjithëse varësia e Italisë nga gazi është pothuajse aq e lartë sa ajo e Gjermanisë. Kohezioni i Evropës do të përballet me një sprovë të rëndë, por nëse ajo vazhdon të veprojë e bashkuar, mund të forcojë sigurinë energjetike të Evropës dhe lidershipin në ndryshimet klimatike.
Po Kina? Xi ka shumë armiq. Askush nuk guxon ta sulmojë drejtpërdrejt sepse ai kontrollon të gjitha instrumentet e survejimit dhe represionit. Por dihet mirë se brenda Partisë Komuniste, përçarja është bërë aq e madhe, saqë është pasqyruar edhe në artikuj që njerëzit e zakonshëm mund t’i lexojnë.
Ndryshe nga pritshmëritë, Xi mund të mos marrë mandatin e tretë aq shumë të lakmuar për shkak të gabimeve që ka bërë. Por edhe nëse e bën këtë, Byroja Politike mund të mos i lërë dorë të lirë për të zgjedhur anëtarët e Byrosë Politike të ardhshme. Kjo do ta zvogëlonte shumë fuqinë dhe ndikimin e tij dhe do ta bënte më pak të gjasë mundësinë që ai të bëhej sundimtar i përjetshëm.
Ndërkohë, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, lufta kundër ndryshimeve klimatike është dashur të kalojë në vend të dytë. Megjithatë, ekspertët na thonë se tashmë kemi mbetur pas dhe se ndryshimet klimatike janë në prag të një pike të pakthyeshme. Ky mund të jetë fundi i qytetërimit tonë.
Kjo perspektivë më duket shumë e frikshme. Shumica prej nesh e pranojnë idenë se një ditë do të duhet të ikim nga kjo jetë, por e marrim të mirëqenë që qytetërimi ynë do të mbijetojë.
Prandaj, ne duhet të mobilizojmë të gjitha burimet tona për t’i dhënë fund sa më parë luftës. Mënyra më e mirë dhe ndoshta e vetmja për të ruajtur qytetërimin tonë është të mposhtim Putinin. Kjo është një nevojë esenciale.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Fight of Our Lives