AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja KPA

KPA njihet me parashtrimet në çështjen e Gjon Kodrës

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Gjon Kodra për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, konstatimin e konfliktit të interesit në hetimin e një çështje dhe një gjetje për figurën. Kodra i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet dhe kërkimet e komisionerit dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij.

Edmond HoxhajngaEdmond Hoxhaj
19:43 | 04/07/2022
në KPA, Lajme, Veting
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Prokurori i Tiranës, Gjon Kodra pas seancës në KPK.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën me parashtrimet në çështjen lidhur me ankimin e Komisionerit Publik kundër konfirmimit në detyrë të prokurorit të Tiranës, Gjon Kodra. Komisioneri Florian Ballhysa pretendoi se prokurori Kodra ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë, se nuk ka treguar kujdesin e duhur për të vlerësuar dhënien e dorëheqjes nga shqyrtimi i një çështje me palë kallëzuese një të njohurin e tij, si edhe bazuar në konstatimin e një komunikimi telefonik me një person të proceduar për krim të organizuar, kërkoi shkarkimin e tij nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Plator Bilibashi i cilësoi të pabazuara konstatimet e komisionerit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e Kodrës.

Prokurori Gjon Kodra u konfirmua në detyrë më 21 dhjetor 2021, pasi KPK u bind nga shpjegimet e tij lidhur me posedimin e kursimeve cash nga bashkëshortja para lidhjes së martesës mes tyre, vlerë që është pretenduar se kanë shërbyer për shlyerjen e një pjese të çmimit të një apartamenti në Tiranë; për hetimin e një çështje me kallëzues administratorin e shoqërisë ndërtuese ku kishte blerë apartamentin; si dhe për një bisedë telefonike me vëllain e një deputeti, të përfshirë në krimin e organizuar.

Bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Komisioneri Publik Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e Komisionit si të pabazuar dhe kërkoi shkarkimin e Kodrës.

Prokurori Kodra e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe prej rreth dy dekadash ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Parashtrimet për pasurinë

Sipas Komisionerit, prokurori Kodra nuk e ka pasqyruar në deklaratën “veting” burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 129 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2016 për çmimin 50 mijë e 952 euro. Këtë pasuri, subjekti e ka prenotuar në vitin 2006 kur ka deklaruar se deri në muajin dhjetor të atij viti ka shlyer shumën 35 mijë e 952 euro, me burim kursimet e deklaruara më parë gjatë periudhës 2005-2006 dhe të ardhurat e bashkëshortes në shumën 30 mijë euro. Në vitin 2007, Kodra ka deklaruar shlyerjen e një kësti 5000 euro dhe në vitin 2008 pagesën e vlerës 10 mijë euro. Ballhysa konstatoi se në këto dy deklarime nuk është pasqyruar burimi i krijimit të shumave të paguara.

Megjithëse në shkallën e parë të vetingut subjektit i është kaluar barrë prove lidhur me mosdeklarimin e të ardhurave të bashkëshortes gjatë periudhës 2004-2005, që në 2006-ën janë deklaruar si burim për apartamentin, KPK është bindur pas shpjegimeve të Kodrës se në ato vite ka pasur paqartësi në mënyrën e plotësimit të deklarimeve, se bashkëshortja që është shtetase e huaj nuk ka qenë e regjistruar në përbërjen e familjes dhe për rrjedhojë situata nuk ishte e kthjellët nëse duhej të deklaronte edhe pasuritë e saj në shtetin italian.

Për pamjafjaftueshmërinë e konstatuar për pagesën e këstit të fundit në vitin 2008, Komisioni ka vlerësuar se subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse, megjithatë nuk është konsideruar si gjetje penalizuese.

Ndryshe nga KPK, Ballhysa u shpreh se përfundimi i arritur nga Komisioni nuk gjen mbështetje në provat e administruara, ligjin e zbatueshëm, si dhe jurisprudencën e KPA-së. Komisioneri vëren se subjekti ka lidhur martesë me bashkëshorten në shtetin italian në vitin 1999 dhe se e ka deklaruar rregullisht në përbërjen familjare.

Sipas Ballhysës, as Kodra dhe as bashkëshortja nuk kanë pasqyruar në deklaratat e viteve 2004 dhe 2005 kursimet cash në shumën 35 mijë euro, të pretenduara në vitet në vijim. Në vijim, komisioneri e cilëson të pabazuar në ligj pretendimin e subjektit se ka qenë i paqartë për mënyrën e plotësimit të formlarëve lidhur me pasurinë e bashkëshortes të krijuara në një shtet të huaj.

Bazuar edhe në rekomandimin e ONM-së, Ballhysa konstaton se, veç faktit të mosdeklarimit të posedimit të shumës cash në vlerën 35 mijë euro, në fashikullin e Komisionit nuk rezulton që të jetë administruar ndonjë akt që të vertetojë një gjë të tillë, si dhe për transferimin e kësaj shume drejt Shqipërisë.  Për rrjedhojë, vlerëson se kjo shumë nuk mund të përfshihet në analizën financiare.

Për komisionerin, moskonsiderimi i kursimeve të bashkëshortes së subjektit në shumën 35 mijë euro, sjell pasoja edhe për burimin e pagesës së këstit të dytë 5000 euro në 2007-ën, shumë e deklaruar se rrjedh nga e njëjta gjendje cash.

Po ashtu, Ballhysa sjell në vëmendje edhe balancën negative në shumën 563 mijë lekë për pagesën e këstit 10 mijë euro në vitin 2008.

Avokati Bilibashi vërejti se prokurori Kodra ka dhënë shpjegime të hollësishme në KPK lidhur pagesat e kryera për apartamentin, duke i shoqëruar edhe me dokumente. Sipas tij, subjekti ka dhënë sqarime dhe lidhur me arsyet e mosdeklarimit të kursimeve dhe burimeve të vlerave të paguara.

Bilibashi këmbënguli se kur ka hyrë në fuqi legjislacioni për deklarimet e magjistratëve, nuk ka qenë e qartë nëse do të deklaroheshin pasuritë e bashkëshortes në rastet ajo do të ishte shtetase e huaj. “A duhej që ajo të deklaronte edhe ato që kishte në bashkëpronësi apo i kishin dhënë prindërit”, vërejti Bilibashi dhe theksoi se bashkëshortja e Kodrës i ka provuar të gjitha të ardhurat e përfituara nga puna në shtetin italian, si dhe të ardhurat e tjera ngë Shqipëri.

“Për mosdeklarimin e këtyre të ardhurave në vitet 2003-2005, subjekti i rivlerësimit i qëndron faktit se ka qenë një moment specifik. Bashkëshortja ishte shtetase e huaj dhe pasuria e saj e krijuar në Itali, nuk dukej e logjikshme për t’u deklarur në atë periudhë,” pohoi avokati Bilibashi.

Ai solli në vëmendje deklarimet e Kodrës për këto të ardhura të bashkëshortes në ILDKPKI dhe pretendoi se përbëjnë provë shkresore lidhur me burimet e pasurive të viteve të mëparshme. “Rezulton se subjekti ka qenë konseguent dhe i besueshëm për këto të ardhura, si dhe ka paraqitur 6 mandat pagesat për gjithë vlerën e apartamentit me sipërfaqe 129 m2”, pohoi Bilibashi dhe e cilësoi të drejtë konstatimin e KPK-së, se mosdeklarimi i këtyre kursimeve është vetëm një pasaktësi që nuk mund të sjellë pasoja për subjektin.

Konflikti i interesit

Komisioneri Ballhysa konstaton se në vitin 2010, subjekti ka hetuar një kallëzim penal të kryer nga administratori i pallatit ku ka blerë apartamentin, ndaj punonjësve të OSSH-së. Nisur nga fakti se Kodra dhe kallëzuesi kanë pasur njohje shoqërore vijuese, KPK ka ngritur fillimisht dyshime për gjendjen e subjektit të rivlerësimit në kushtet e konfliktit të interesit.

Subjekti ka shpjeguar në Komision se e ka njoftuar drejtuesin e sektorit për situatën, por se ai e ka orjentuar të kryejë veprimet hetimore dhe nëse do të konkludohej përgjegjësi penale ndaj të kallëzuarve, atëherë do të duhej të jepte dorehqjen. KPK ka arritur në përfundimin se subjekti nuk ka pasur trajtim preferencial në blerjen e apartamentit si dhe shlyerja e çmimit të apartamentit është kryer në vitin 2008. Po ashtu Kodra ka vendosur pushimin e çështjes që kishte të bënte me kallëzimin e administratorit të pallatit.

Komisioneri vlerëson se marrdhënia mes subjektit dhe administratorit të pallatit nuk duhet të konsiderohet si e përfunduar në vitin 2008 ashtu si ka konsideruar KPK, pasi ajo ka vijuar deri në 2016-ën kur është finalizuar kontrata e shitblerjes.

Po ashtu, fakti se vendimarrja e subjektit është gjetur e drejtë edhe prej gjykatës pas ankimit të kryer nga administratori i pallatit, sipas Ballhysës nuk është përcaktuese. “Gjendja e konfliktit të interesit, në raport me provat e administruara është gjendje fakti dhe kur konstatohet si e tillë, duhet të vlerësohet në këndvështrim të etikës dhe vlerave profesionale të magjistratit”, pohoi Ballhysa dhe shtoi se duket se në këtë rast subjekti ka qenë i detyruar të hiqte dorë nga hetimi i çështjes.

Bilibashi deklaroi se prokurori Kodra ka vendosur menjëherë në dijeni zv/drejtuesin e prokurorisë lidhur me faktin se kishte njohje me palën kallëzuese. Ai theksoi se nuk rezultuar ndonjë favorizim dhe se kur subjekti e kishte pushuar çështjen, administratori i pallatitA.A., kishte kryer ankim.

“Gjykata e ka vlerësuar të drejtë vendimarrjen e subjektit. Në çfarë momenti është konsumuar konflikti i interesit. Subjekti e ka vendosur në dijeni zv/drejtuesin dhe ishte tagri i këtij të fundit. “Vetë vendimarrja e subjektit është në disfavor të kallëzuesit A.A. dhe për rrjedhojë në asnjë moment nuk ka gjendje në kushtet e konfliktit të interesit”, u shpreh Bilibashi duke këmbëngulur se Kodra e kishte plotësuar detyrimin e tij ligjor.

Trupa e Kolegjit vendosi të hënën të administrojë si prova dy dokumente të dorëzuara nga Kodra për të vërtetuar se e kishte njoftuar zv/drejtuesin e prokurorisë lidhur me njohjen që kishte me kallëzuesin A.A.. Bilibashi dorëzoi si prova urdhërin e drejtuesit të prokuorisë për ndarjen e çështjeve për prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, si dhe një deklaratë e zv.drejtuesit të atëhershëm.

Kriteri i figurës

Ballhysa kërkoi që të verifikohen prej Kolegjit edhe konkluzionet e Komisionit për figurën, konkretisht lidhur me një bisedë telefonike që Kodra ka pasur me një person të dënuar për krim të organizuar në Itali.

KPK ka vlerësuar se ky rast nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm për subjektin, pasi ka qenë personi i dënuar ai që e ka telefonuar dhe se kjo ka qenë biseda e vetme telefonike. Po ashtu, KPK ka vlerësuar se Kodra ka qenë në padijeni të situatës ligjore të telefonuesit, duke mos e marrë në konsideratë përmbajtjen e bisedës.

Komisioneri vërejti se gjetja e ONM-së përbën provë dhe është e barazvlefshme me mendimin e një eksperti. Sipas tij, shkaku i ngritur për figurën duhet të merret në konsideratë.

Në përfundim, Ballhysa u shpreh se në vlerësimin tërësor të çështjes nuk e gjen të bazuar vendimarjen e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Kodra dhe kërkoi shkarkimin e tij.

Avokati Bilibashi e cilësoi të thelluar hetimin e kryer në KPK për figurën. Ai vërejti se Drejtoria e Sigurimit të Klasifikuar, DSIK kiste paraqitur dy raporte, një pozitiv dhe tjetrin negativ.

Ai e kundërshtoi konstatimin për kontakt jorastësor, duke argumentuar se është vetëm një telefonatë dhe se thirrja është kryer nga shtetasi tjetër. “Është kontakt rastësor dhe një i vetëm”, pohoi Bilibashi.

Sipas avokatit, nëse do të kishte pasur ndonjë dyshim për përfshirje të subjektit, atëherë do të kishte pasur raportime në institucionet përkatëse, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Bilibashi solli në vëmendje edhe faktin se procedimi penal i filluar ndaj personit që kishte telefonuar Kodrën, ishte pushuar.

Bilibashi deklaroi se subjekti nuk kishte nga ta dinte për procedimin e personit që e kishte telefonuar.

Në përfundim, Kolegji vendosi të riçelë hetimin gjyqësor si dhe i kërkoi komisionerit Ballhysa të përgatisë një analizë financiare për pasurinë brenda datës 12 korrik. Seanca u shty për më datë 18 korrik, në orën 10:00.

Etiketa: AnalizëAnkimDSIKEuroFlorianFlorian BallhysaGjon KodraGjykataGjykatëGjykatësGjyqILDKPKIItaliKolegjiKolegji iKolegji i Posaçëm i ApelimitKomisioneriKomisioneri PublikKonflikti i interesitKPAKPKKrimKrimeLigjMagjistratmbështetjeONMParapasojapasuriaProcedimiprokurorProkuroreProkuroriProkuroria e Rrethit TiranëraportSeancaSHshqipShqipëriTiranëVeting
I mëparshmi

KPK i kërkon shpjegime prokurorit Çlirim Sino për bilancet negative dhe profesionalizmin

Tjetri

Leonard Filopati jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Tjetri
Leonard Filopati jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Leonard Filopati jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

gjykata

Strasburgu i jep të drejtë prokurorit Ferdinand Elezi

17:24 | 23/06/2026
revolucioni i flamingove slogani dhe simboli i protestave masive ne tirane. foto nensi bogdani

Mosbesimi dhe teoritë e komplotit janë litari që na la jashtë komunizmi

17:19 | 23/06/2026
gentjan osmani duke dale nga kpk

Strasburgu i hap rrugën prokurorit Gentjan Osmani të kthehet në detyrë

14:08 | 23/06/2026
gozi pde

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie

11:37 | 23/06/2026
rama 2 ps

“Nga lajmi te lajmësi”: Manuali i propagandës së Ramës kundër protestës

08:46 | 23/06/2026
Shqipëria hap dyert e ‘skllavërisë moderne’ për punëtorët e huaj

Punëtorët e huaj në Shqipëri: Narrativa mediatike lustron realitetin

17:46 | 22/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.