Jo shumë kohë më parë, vagonët e mbushur deri në buzë me qymyr do të rreshtoheshin në radhë të gjata, ditë e natë, verë dhe dimër, për t’u shkarkuar në sheshin me kalldrëm të terminaleve të transportit të Braniewo-s në Poloninë veriore.
Tani jo më. Tani, sheshi qëndron gjysmë bosh; grumbuj të vegjël qymyri presin për t’u marrë nga klientët e fundit; makineritë, duke përfshirë një linjë gjigante klasifikimi qymyri e blerë vitin e kaluar dhe e pa përdorur kurrë, qëndrojnë pa punë, disa në një sallë industriale që rrallë ka qenë kaq e qetë sa tani.
“Ka pasur ngadalësime të ndryshme në historinë e kompanisë sonë. Por kurrë më parë nuk ka qenë kaq keq”, tha Dariusz Lewko, 46 vjeç, drejtor i përgjithshëm i Polfrost, një nga gjashtë terminalet e ngarkesave në Braniewo, në jug të gjysmë-eksklavës së vogël ruse të Kaliningradit.
Deri kohët e fundit, qymyri rus – sipas Lewko – përbënte rreth 70 për qind të mallrave të trajtuara nga terminalet në Braniewo. Në vitin 2020, Polonia, vendi më i varur nga qymyri në Bashkimin Evropian, mori 72 për qind të importeve të saj të qymyrit nga Rusia, ose rreth 15 për qind të përdorimit të brendshëm të vendit.
Kur Varshava ndaloi qymyrin rus dhe produktet e tjera në shenjë hakmarrje për pushtimin rus të Ukrainës në fillim të prillit, Braniewo u zhyt në krizë.
“Ne ishim në gjendje të mbanim rreth 95 për qind të stafit tonë, por na u desh të shkurtonim pagat me 30 për qind”, tha Leëko. Në të gjashtë terminalet, megjithatë, ai tha se rreth 300-400 nga një forcë totale punëtore prej më shumë se një mijë vetësh kishin humbur punën e tyre. “Sigurisht që duhet të ndihmojmë Ukrainën”, tha Lewko, “por pse të mos mendojmë në fillim për veten tonë?”
Kufiri i mbyllur
Polonia ish-komuniste, e cila kaloi gati pesë dekada nën kontrollin e Kremlinit, ka qenë prej kohësh një nga kritikët më të ashpër të Vladimir Putinit. Aktualisht, 94 për qind e polakëve e shohin Rusinë si një “kërcënim të madh”, nga 65 për qind në vitin 2018, sipas një sondazhi të Pew Research.
Por në Braniewo, që ndodhet në fund të bishtit të Polonisë, siç thonë me shaka shumë vendas, Rusia tradicionalisht është lidhur me parashikueshmërinë dhe fitimin.
Sot, me çmimet e mallrave dhe të energjisë elektrike që rriten ndjeshëm, shumë njerëz këtu kujtojnë një kohë kur terminalet e shkarkimit të qymyrit rus siguronin punë të qëndrueshme dhe të paguara mirë, kur rusët do të bënin pazare në Braniewo dhe polakët do të udhëtonin në Kaliningrad për karburant të lirë, ose që disa të bënin kotrabandë cigaresh, vodke ose makinash.
“Atje, kishte radhë që shkonin deri në 2-3 kilometra”, tha Wojciech Pietrzak, 45 vjeç, një punonjës shërbimi i kalimit kufitar, duke treguar rrugën e zbrazët pranë shtëpisë së tij, e fundit përpara pikës së mbyllur të kalimit në fshatin Gronowo. “Gjithçka ishte plot jetë.”
Për rusët nga Kaliningrad, ai tha: “Ata janë po aq evropianë sa ne. Nuk kishte “rusofobi” në këtë rajon.”
Shenja e parë e telasheve erdhi në vitin 2016, kur qeveria nacionaliste e Polonisë e Ligj dhe Drejtësi (PiS) ndërmori hapin e papritur të pezullimit të tranzitit pa viza midis Polonisë dhe Kaliningradit për banorët vendas. Në mars 2020, pandemia e COVID-19 mbylli plotësisht të katër pikat kufitare polako-ruse dhe që atëherë ka rihapur vetëm dy të tilla ku mund të kalohet me viza.
Disa pronarë biznesesh lokale në Braniewo janë të zemëruar.
“Rusët shpenzonin shumë para”, tha njëri, i cili foli në kushte anonimiteti. “Kishte mallra, kishte klientë…”
“Gjithçka gumëzhinte, të gjithë ishin të lumtur, njerëzit fitonin para, jetonin normalisht dhe po ndërtonin shtëpi të reja, do të ndërtoheshin edhe dyqane të reja… Dhe pastaj erdhi Jarek dhe i mbylli të gjitha”, tha burimi, duke iu referuar udhëheqësit të Partisë PiS, Jaroslaw Kaczynski.
“Për shkak të rusëve, Biedronka e Braniewo-s kishte xhiron më të madhe në të gjithë vendin dhe tani ajo po shkon shumë keq”, tha burimi, duke iu referuar zinxhirit polak të supermarketeve me zbritje. “Rusët ishin të famshëm për tonelatat me salsiçe që merrnin, duke i kontrabanduar ato edhe në gomat e makinave.”
BIRN kontaktoi Biedronka dhe një numër firmash të tjera shitjesh me pakicë në Braniewo për një koment, por shumë nuk u përgjigjën, ndërsa disa refuzuan të komentonin.
Solidaritet me Ukrainën?
Një qytet me rreth 17,000 banorë me një njësi ushtarake ndoshta si punëdhënësi më i madh dhe pak atraksione turistike, krahas një shtegu për biçikleta dhe disa ndërtesave neo-gotike, pika më e madhe e shitjes e Braniewo-s ka qenë gjithmonë afërsia e tij me kufirin me Kaliningradin.
“Aq e vjetër sa vetë kodrat. Kudo ka ku kufi, ka gjithmonë tregti”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Tomasz Sielicki.
“Terminalet ofronin vende pune edhe për nënkontraktorët, të cilët kryenin shërbime pastrimi, transporti ose hotelerie”, tha ai për BIRN në zyrën e tij në Braniewo. “Ato kanë lehtësuar edhe zhvillimin dinamik të qytetit, fakt që u dëshmua nga rritja e kërkesës për banesa të reja. Së bashku me ndalimin e qymyrit, i gjithë ky zinxhir është thyer.”
Jo të gjithë në Braniewo, megjithatë, besojnë se biznesi duhet të kthehet në normalitet.
“Është e turpshme të ankohesh se rusët nuk janë këtu ndërkohë që Ukraina po shkatërrohet”, tha pronari 55-vjeçar i një dyqani peshkimi në tregun kryesor të Braniewo-s, i cili tha se quhej Dariusz.
Dariusz nuk ishte i shqetësuar nga gjendja e rëndë e terminaleve të transportit, të cilat ai tha se po ndotin ajrin.
“Gjithçka është e zezë. Nuk shikon borë të bardhë në Braniewo”, tha ai dhe argumentoi në favor të mbajtjes mbyllur të kufirit. “Dyqanet me pakicë janë në pronësi të huaj dhe ne nuk pamë asnjë qindarkë nga ato që shpenzonin këtu rusët. Sa për terminalet, dikur nuk kishte asnjë dhe ne ende ia dilnim disi, apo jo?”
“Kur trafiku kufitar lokal u pezullua, kishim mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për jetën pa Rusinë”, tha Wojciech Andrearczyk, një ish-gazetar dhe pronar i uebsajtit të lajmeve Portal Braniewo. “Dhe e dyta është se është gjithmonë shumë e rrezikshme ta bësh biznesin tënd të varur nga një vend si Rusia.”
“Mungesë interesi”
Ndryshe nga shumë sipërmarrës të lindur në Braniewo, Andrearczyk u kthye në vendlindjen e tij pasi u diplomua nga një universitet diku tjetër në Poloni.
Ai kujtoi shkatërrimin e shumë punëdhënësve të mëdhenj vendas gjatë tranzicionit të dhimbshëm nga komunizmi në vitet 1990. Kompanitë që kishin lulëzuar nën ekonominë e kontrolluar nga shteti, duke përfshirë fabrikat e lëkurës, baxhot dhe kompanitë e ndërtimit, u mbyllën dhe papunësia u rrit. Ishte një përvojë që e ndanin edhe qytete dhe fshatra anembanë Polonisë.
“Pikërisht atëherë rajoni u harrua nga politikanët”, tha Andrearczyk. “Nuk është çudi që kufiri u bë një mundësi e menjëhershme për shumë njerëz që nga dita kur ai u hap. Problemi është se, me kalimin e viteve, asgjë nuk ka ndryshuar. Kufiri i bënte njerëzit dembelë dhe ofroheshin shumë pak alternativa.”
Andrzej Demko, një 52-vjeçar ukrainas i lindur në Braniewo, gjeti një mënyrë tjetër. Themeluesi i kompanisë së mobilieve Okmed, Demko ndërpreu lidhjet e biznesit me Kaliningradin në fillim të viteve 2000 dhe kërkoi tregje në Ballkan dhe Evropën Perëndimore.
“Kërkesa të ndryshme, klientë të ndryshëm, nevoja të ndryshme tregu, nivele të ndryshme sigurie”, tha ai për BIRN. “Nëse do të kisha pasur marrëdhënie aq të mira me rusët sa kishte terminali, ndoshta do të flisja ndryshe. Por gjithmonë e kam ditur se këto nuk janë rrethana të qëndrueshme.”
Ky është një ngushëllim i vogël për ata që luftojnë për punën e tyre. Dhe ashtu si në vitet 1990, ata thonë se gjendja e tyre e vështirë po shpërfillet nga politikanët në Varshavë.
Pronarët e terminaleve kanë propozuar krijimin e një “porti të thatë” në Braniewo: qymyri i dërguar me anije nga Australia dhe Amerika e Jugut i mbledhur në Gdansk dhe qytete të tjera portuale do të transportohej me kamionë dhe do të përpunohej në Braniewo. Terminalet janë gjithashtu të përgatitur – dhe të pajisur mirë – për të transportuar dhe për të përpunuar mallra të tjera përveç qymyrit, thonë ata.
Por kryebashkiaku Sielicki tha se qeveria e PiS nuk ishte e interesuar.
“Hasëm një pengesë”, tha ai, duke përshkruar se si e paraqiti planin në Komitetin e Energjisë të Parlamentit në Varshavë. “Kryetari luante me telefonin e tij dhe po dilte nga dhoma dhe përfundimisht na e hoqi fjalën. U kthyem pa asgjë.”
Kryetari i komitetit, deputeti i PiS dhe i besuari i ngushtë i Kaczynskit, Marek Suski, nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë.