Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 19 tetor 2022 vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Pogradecit, Ina Hoxhaj.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 17 tetor Komisioni nuk evidentoi probleme për këtë subjekt rivlerësimi.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Ina Hoxhaj u krye nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjan.
Ina Hoxhaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Pogradecit. Prej vitit 2018 ajo është komanduar si ndihmës magjistrate pranë Gjykatës së Lartë me afat 5-vjeçar.