
Gjykata e Vlorës vendosi me kërkesë të prokurorisë sekuestrimin e rreth 60 mijë metrave tokë në bregdetin e Himarës dhe caktoi masë sigurie për 24 persona, 6 prej të cilëve u lanë në burg me akuza për falsifikimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi.
Mes të arrestuarve edhe ish-kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës Anesti Dhimijani, 72-vjeç, i cili u la me masë arresti në shtëpi. Dhimijani, i cili shërbeu si drejtues i Qarkut në vitet 2011-2014 dyshohet si iniciues në skemën që përfshin tjetërsimin e pronave në bregdet.
Hetimi nisi një vit më parë, kohë kur zyrtar të Zyrës së Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrotjes së tokës, sajuan vjedhjen e dokumenteve pronësorë të Bashkisë së Himarës.
Zbulimi i kësaj ngjarje solli arrestimin e ish kreut të Ashk-së Klodian Troci dhe drejtorit të DAMT në Qark, Bardhi Gjika. Zgjerimi i hetimit dhe verifikimi i çdo titulli pronësie në zonën bregdetare solli konstatimin e falsifikimeve të tjera.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Vlorës, në regjistra janë administruar vërtetime pronësore, të lëshuara. Nga Qarku Vlorë, bashkëngjitur AMTP-ve dhe dokumente të tjerë të falsifikuar me firmën origjinale të ish-kreut Dhimojani.
Prokuroria tha se pronat e tjetërsuara kapnin vlerën e 8 milion euro. “Lidhur me këtë procedim penal, hetimet vijojnë, për pasuritë e ndodhura në zonën e Dhërmiut; Gjilekës; Jalit dhe të Livadhit, për evidentimin e rasteve të tjera të përfituara në mënyrë të paligjshme, si dhe për veprimet e nëpunësve shtetërore, të cilët kanë kryer veprime lidhur me regjistrimin e këtyre pasurive”, tha prokuroria.
Të enjten gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë në këtë çështje. 6 persona u lanë me masë sigurimi “arresti në burg”, dy persona u shpallën në kërkim, 8 nga të akuzuarit për falsifikim u lanë me masë sigurimi “arresti në shtëpi”, ndërsa ndaj 8 të tjerëve u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, kryesisht përfitues të tokës nëpërmjet AMTP-ve të falsifikuara, Formularëve 6, korrigjimeve të librit të Fermerit etj.
Skema e zbuluar nga prokuroria e Vlorës është e ngjashme me raste të tjera në bregdet, në të cilat janë përfshirë zyrtarë lokalë.