
Tre vite pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë, Gjykata e Durrësit shpalli të pafajshëm katër prej të pandehur për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve, ndërsa dënoi me kusht 3 ish-punonjës të ALUIZNI-t të akuzuar për shpërdorim detyre.
Gjyqtari Artur Prenga arsyetoi gjatë shpalljes së vendimit të hënën se organi i akuzës dështoi të provonte lidhjen mes të akuzuarve dhe shembjes së tre ndërtesave – hotelit ‘Mira Mare’, shtëpisë së familjes Lala dhe një pallati 6-katësh, ku humbën jetën 12 vetë.
Prenga shpalli dënime me kusht për ish-zyrtarët e Aluiznit që fajësohen për procesin e legalizimit të ndërhyrjeve dhe ndërtimit në tre godinat.
Të pafajshëm u shpallën Artur Terziu – pronar i lokalit Barons në pallatin 6-katësh të shembur si pasojë e ndërhyrjeve në strukturë, ish-kreun e ALUIZNI-t Flamur Gjuzi, ish-kreun e IKMT-së Durrës, Artur Çela dhe arkitekten Neviana Isufi.
Ndërkohë ish-zyrtarët e ALUIZNI-t Skerdi Bello, Albert Qetka dhe Aldo Dekovelli u gjetën fajtorë për shpërdorim detyre.
Bello dhe Dekovelli u dënuan me 1 vit e 6 muaj burg, që u konvertua në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u zbut më tej në dy vjet dënim me kusht dhe 5 vjet heqje të drejte për punë në administratë publike.
Qetka u dënua me 1 vit burg, konvertuar në 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar dhe përfundimisht të konvertuar me 180 orë punë publike dhe ndalimin 5-vjeçar për të ushtruar funksione publike.
Madrit Kullolli, një nga tre prokurorët që përfaqësuan akuzën në këtë gjykim, i tha BIRN se çështja do të ankimohej. Nga ana e tyre edhe avokatët e të dënuarve këmbëngulën në pafajësi.
Një ish-banore e pallatit 6-katësh ku humbën jetën dy gra dhe që u pretendua se u shemb për shkak të ndërtimit të lokalit ‘Baron’s’ në katin e parë të tij, i tha BIRN se ishte e zhgënjyer, por edhe se e prisnte një vendim të kësaj natyre.
Shfryrja e akuzave
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima dhe mijëra të pastrehë të Shqipëri, ndërsa bashkia e Durrësit – qendra e dytë më e madhe e vendit – u kthye për javë të tëra në një qytet fantazmë.
Procesi për një grup të akuzuarish si shkaktar të tërthortë të shembjes së godinave në të cilat u vranë 12 persona, nisi me bujë në dhjetor 2019, ndërsa prokuroria njoftoi arrestimin e 9 personave, kryesisht ish-zyrtar të inspektoriatit të Ndërtimit dhe ALUIZNI-t dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë.
Ndaj të arrestuarve u ngritën akuza të rënda përfshi “vrasje me dashje”, ndërsa Prokuroria pretendoi të provonte se të pandehurit me veprimet dhe mosveprimet e tyre apo ndërhyrjet në strukturën e godinave, kishin shkaktuar vdekjen e dy personave në hotelin ‘Mira Mare’, dy grave në pallatin 6 katësh ku ndodhje bar ‘Baron’s’ dhe të 8 anëtarëve të familjes Lala.
Por me kalimin e kohës disa prej çështjeve të nisura u pushuan, ndërsa akuzat për çështjet që u dërguan në gjykatë u sfumuan në vepra penale të lidhura me falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorim detyre. Në të njëjtën kohë çështjet u ndanë, mes atyre që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar dhe atyre ndaj të cilëve vijon gjykimi normal.
Gjatë procesit gjyqësor për 7 të akuzuarit për të cilët u dha vendimi të hënën, treshja e prokurorëve Madrid Kullolli, Edmond Kaloshi dhe Pali Deçolli theksuan rrezikshmërinë e veprimeve ose mosveprimeve të të pandehurve.
Ndërkohë, mbrojtja e tyre kërkoi pafajësi duke këmbëngulur se prokuroria nuk kishte sjellë prova që lidhnin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve me shembjen e godinave.
Ndërhyrja tek pallati 6-katësh

Prokuroria kërkoi dënimin e Artur Terziut, pronari i lokalit Baron’s, i cili u akuzua për falsifikim dokumentesh, për ndërhyrjen e bërë në katin e parë të pallatit të shembur në lagjen 6 ku humbën jetën Nafije Rexhepi dhe Zhulieta Gjana.
Lokali u fajësua nga banorët që i mbijetuan shembjes se kishte dëmtuar strukturën e pallatit. Sipas tyre pjesë të mureve të katit të parë që shërbenin për mbajtjen në këmbë të godinës ishin prishur dhe ishin zëvendësuar me vetrata xhami dhe kartonxhes.
Por prokuroria nuk arriti të çonte në gjykatë akuzë mbi ndërhyrjet. Pronari i lokalit Artur Terziu u akuzua vetëm për falsifikim të një dokumenti legalizimi. Akuza u kundërshtua nga mbrojtja.
“Në asnjë akt të procedurës për legalizim nuk ndodhet firma e Terziut që kishte kërkuar legalizim vetëm për 26 m2 shtesë anësore në anët e pallatit me vetrata, krahas ndërtimit ekzistues,” argumentoi avokati i tij.
“Terziu nuk kishte detyrim të dërgonte akt ekspertimi për qëndrueshmërinë e objektit që është detyrim ligjor për godinat mbi 4 kate,” shtoi ai, duke e cilësuar lokalin si në katin përdhes si një ndërtesë njëkatëshe.
Po ashtu i pafajshëm u shpall edhe ish-kryeinspektori i IMT-së në bashkinë Durrës, Artur Çela i akuzuar për shpërdorim detyre dhe tolerim të ndërhyrjeve të bëra për ndërtimin e lokalit “Baron’s” në pronësi të Terziut. Prokuroria kishte kërkuar që ai të dënohej me 1 vit e 4 muaj burgim.
Por gjykata u bind nga mbrojtja se Çela kishte kryer detyrën e tij duke njoftuar policinë dhe bërë kallëzim në prokurori për ndërhyrjen e paligjshme në pallatin 6-katësh.
Sipas avokatit Fevzo Hysi, IMT ka ndërhyrë për ndërprerjen e punimeve dhe rasti është referuar në polici e prokurori, por kjo e fundit nuk ka nisur procedim penal ndaj Terziut. Çela ishte në mungesë dhe sipas mbrojtjes ka përfituar azil në Francë për shkak të kërcënimeve që ka pasur.
Për ndërhyrjet e paligjshme në pallatin 6-katësh janë dënuar Albert Qetka dhe Skerdi Bello, ish-punonjës i ALUIZNI-t të akuzuar për shpërdorim detyre.
Akuza kërkoi 1 vit e 6 muaj burg dhe 3 vjet heqje e së drejtës për ushtrim të detyrave publike për Qetkën që akuzohet se nënshkroi dokumente që mundësuan legalizimin e ndërhyrjes në pallatin 6-katësh. Mbrojtja i kundërshtoi akuzat, pasi sipas saj nuk kishte asnjë lidhje shkak-pasojë nga nënshkrimi i gentplanit të përditësuar për shtesën 26 m2 për lokalin Baron’s dhe shembjen e pallatit. Mbrojtja kërkoi deklarimin e pafajshëm të tij, po gjykata e shpalli fajtor dhe dënoi me 180 orë punë publike dhe qëndrimin larg funskioneve publike për 5 vitet e ardhshme.
Ndërkohë Skerdi Bello u gjet fajtor dhe u dënua përfundisht me dy vjet me kusht. Bello sipas prokurorisë ka nënshkruar në dokumente që kanë shërbyer në legalizim në emër të një specialisti pa pasur delegim të firmës. Avokati i tij pretendoi se kjo është një procedurë normale.
Dënimet për shembjen e hotel ‘Mira Mare’ dhe shtëpisë së familjes Lala

Nga shembja e hotelit ‘Mira Mare’ për shkak të tërmetit humbën jetën Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka. Prokuroria pretendoi se objekti ishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.
Prokuroria ka akuzuar pronarin e godinës Ruzhdi Xheka se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “vrasje nga pakujdesia”. Por çështja ndaj Xhekës po zhvillohet në një proces të dytë.
Të hënën për atë që ndodhi në këtë godinë u gjet fajtorë Aldo Dakovelli, një ish-punonjës i ALUIZNI-t, i cili ka pranuar dhe miratuar legalizimin e godinës.
Dakovelli u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, që u konvertua më pas në dënim me kusht. Mbrojtja e tij e ka kundërshtuar akuzën, duke këmbëngulur se specialistët e ALUIZNI-t nuk bënin dot vlerësim të godinës. Avokati i tij theksoi se përveç hotelit, në qytet ishin dëmtuar dhe shumë objekte të tjera dhe se nuk ishin marrë persona të tjerë të pandehur.
Ndërkohë Flamur Gjuzi, suh-drejtues i ALUIZNI-t u shpall i pafajshëm. Akuza kërkoi ndaj tij 1 vit e 4 muaj burg dhe 3 vjet të mos ushtrojë detyra publike, por gjykata u bind nga avokati Gramoz Lika që theksoi se akuza ndaj Gjuzit është e paprovuar dhe ai ka vepruar në bazë të ligjit dhe rregullores për drejtuesit e agjencisë – pasi ai ka nënshkruar praktikat e përgatitura nga specialistët.
Ndërkohë e vetmja e akuzuar për shembjen e shtëpisë në të cilën humbën jetën 8 anëtarë të familjes Lala, ishte ngritur kundër arkitektes Neviana Isufi, e cila ka nënshkruar planin e rilevimit për godinën 4-katëshe që u shemb e gjitha.
Por akuza mundi të provonte vetëm falsifikim të një firme që u vlerësua nga se nuk mund të sillte pasojë shembjen e objektit. Gjykata e gjeti Isufin të pafajshme.
Të akuzuar të tjerë që ishin në të njëjtën dosje do të gjykohen në çështje të veçuara.