Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kërkoi të martën në Kuvend fond shtesë për të përballuar volumin e punës pas ndryshimeve ligjore që u miratuan në tetor.
Ndryshimet ligjore i lejojnë Autoritetit riverifikimin e figurave publike që kishin marrë më parë “çertifikatë pastërtie” nga komisionet e ngritura pas viteve ’90 dhe zgjerojnë të drejtën për akses në këto dokumente edhe për qytetarët e zakonshëm.
Kryetarja në detyrë e këtij institucioni Gentiana Sula tha se pas një analize lidhur me volumin e punës që i shtohej me funksionet e reja ishte konkluduar se duhej një staf shtesë prej 18 vetash nga të cilët 15 specialistë dhe 3 drejtorë.
“Janë ndryshimet e fundit ligjore, të cilat sjellin një transformim të punës në institucion, dhënia e së drejtës së qytetarëve për t’u njohur me dokumentet e ish-Sigurimit; vetdeklarimin e detyrueshëm të figurave që janë kandidatë për tu zgjedhur dhe atyre që parashikohen për medalje, nderime, emra rrugësh, etj. Kjo nënkupton në këndvështrimin tonë një shtesë të punës dhe reflektim të saj në organikë”- tha Sula para komisionit të Ligjeve gjatë dëgjesave për projekt-buxhetin e vitit 2023.
Ajo shtoi se bazuar në ndryshimet ligjore ishte parashikuar ngritja e strukturave e sektorëve të rinj brenda agjencisë, si drejtoria e kërkesave, drejtoria e verifikimit të figurave, apo sektori i kartotekës në arkivë.
“Parashikohet 5-fishim i numrit të kërkesave”- shtoi ai duke argumentuar volumin e punës me shembuj konkretë që parashikon praktika e hapjes së dosjeve.
“Kërkesa e ligjit thotë se kur të hapet një dosje dhe kur të publikohet duhet që të jetë marrë këndvështrimi i të gjitha palëve të përmendura dhe të jetë marrë pëlqimi i palës së prekur, kjo është punë që e bën personeli“- sqaroi ajo.
Sula po ashtu kërkoi një shtesë stafi prej 2 vetash nga 5 që ka aktualisht në sektorin e ri për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist, si dhe fonde për realizimin e memorialeve në disa qytete pranë vend-ekzekutimeve për ruajtjen e tyre si vende kujtese.
Deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili bashkë me një grup deputetësh të PD-së votuan ndryshimet e reja ligjore, e konsideroi me rëndësi zbatimin e këtyre dispozitave dhe kërkoi që Kuvendi t’i japë mbështetje buxhetore për realizimin e funksioneve të reja.
“Çështja më e rëndësishme që ju do të përballeni është ajo që ka lidhje me hapjen e dosjeve, do ju shtohen dhe kërkesat e qytetarëve, nga ana jonë keni mbështetjen për fonde në burime njerëzore, etj..”- u shpreh Alibeaj.
Por, kolegu i tij Oerd Bylykbashi, tha se parashikimet buxhetore ishin bërë pa pasur një ligj në fuqi dhe se ndryshimet e bëra nuk ndryshonin asgjë në lidhje me hapjen e dosjeve.
“Po investoni buxhetin e shtetit për një ligj që ende nuk e kemi”- tha ai duke shtuar se “neni që gjoja hap dosjet, praktikisht ka aq shumë kushte për të mos hapur asgjë”.
Ai pyeti Sulën se me çfarë kapaciteti ligjor ka parashikuar shtesë në buxhet kur procesi legjislativ i ligjit nuk ka përfunduar, pasi Presidenti mund ta dekretojë ose t’a rikthejë për diskutim në Kuvend.
“Në parlament ka dhe një projektligj për lustracionin që parashikon autoritetin me kompetenca hetimi, a keni parashikuar buxhet dhe për këtë?”- shtoi ai.
Kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka e cilësoi retorikë politike ndërhyrjen e Bylykbashit dhe i kërkoi Autoritetit dhe ministrisë së Financave që të rakordojnë shifrat për buxhetin e ri para se të miratohet nen për nen në komision.
Në dëgjesat e së martës në komisionin e Ligjeve raportuan edhe Avokati i Popullit e Shkolla e Magjistraturës. Avokati i Popullit u ankua për ndërprerje të buxhetit të vitit 2022 me akt normativ të qeverisë dhe kërkoi që buxheti i ri të reflektojë rritjen e pagave, ndërsa Shkolla e Magjistraturës ngriti shqetësimin për realizimin e investimit për një godinë të re, e parashikuar në buxhet prej disa vitesh.