Danieli është një 15-vjeçar që punon në një market në afërsi të fushave të lagjes ‘Ali Demi’ në Tiranë. 15-vjeçari punon si sistemues raftesh në një prej marketeve të zonës.
Danieli pranoi që të fliste për BIRN dhe tregoi se puna e tij është shumë e rëndë dhe lodhet shumë. “Ngre shumë pesha, bidonë me ujë dhe arka me birra, ushqime të ndryshme. E di që po dëmtoj veten, por më duhet të punoj pasditeve që të ndihmoj familjen”, tregoi ai.
Po ashtu pranoi edhe se nuk ishte i siguruar nga punëdhënësi. “Punoj edhe jashtë orarit të punës ndonjëherë, në fundjavë punoj më shumë orë”, tha ai.
Kjo problematikë pranohet edhe nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, në një përgjigje me shkrim për BIRN, në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, Inspektorati pranon se të miturit punojnë me orare të zgjatura dhe në shkelje të Kodit të Punës.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar në një subjekt 2 fëmijë që punonin mbi kohëzgjatjen normale ditore të punës për këtë kategori punëmarrësish”, deklaron Inspektorati, duke iu referuar vitit 2022. Por pavarësisht se ka kapur disa subjekte me shkelje të të drejtave të miturve në punë Inspektorati është mjaftuar t’i ndëshkojë me “paralajmërime” dhe tu japë këshilla se si të zbatojnë legjislacionin në fuqi.
Edison Hoxha, Drejtor i Qendrës së të Drejtave në Punë, në një intervistë për BIRN thotë se mos marrja e masave dhe moszbatimi i sanksioneve të parashikuara i vendos në rrezik të miturit e punësuar.
“Të miturit që punojnë janë të pamonitoruar. Ata punojnë pa kontratë, pa asnjë dokument dhe rritet shumë abuzimi. Ne kemi hasur shumë nga ata që janë në marrëdhënie shkolle dhe punojnë. Në rajonin Tiranë-Durrës, ky është fenomeni më i përhapur”, tregoi ai për BIRN.
Informalitet i pamonitoruar
Numri i të miturve që punojnë në Shqipëri është në rënie sipas ISHPSHSH-së. Bazuar në raportet vjetore të Inspektoriatit, numri i të punësuarave nën 18-vjeç ra nga 225 në vitin 2019, në 158 në vitin 2020 dhe 128 në vitin 2021. Ndërkohë deri në shtator të këtij viti Inspektorati tha se kishte konstatuar vetëm 92 të mitur të punësuar në kontrollet e ushtruara.
Por, sipas Hoxhës, statistikat e inspektoratit bazohen mbi kontrolle të limituara dhe se vëzhgimet në terren tregojnë për numra mjaft më të mëdhenj të miturish të punësuar, sidomos në sektorin e shërbimeve turistike.
“Turizmi ka informalitetin më të lartë, mund të jetë më shumë se 50% aktivitet informal. Pjesa e punonjësve është shumë e theksuar. Punësimi i të miturve është shumë i përhapur sepse kryesisht vijnë nga shtresat në nevojë dhe janë të rinj që ndërkohë janë në marrëdhënie shkolle”, u shpreh Hoxha.
Edhe pse nga Inspektorati i Punës pretendohet se sektori i turizmit dhe shërbimeve është shumë i monitoruar, sipas Hoxhës kjo është një gjë e pamundur, pasi numri i inspektorëve është i vogël dhe bizneset gjatë sezonit turistik shumëfishohen dhe është e pamundur që t’i monitorosh ashtu siç duhet.
“Problematika është shumë e lartë, pasi Inspektoriati ka një numër të kufizuar punonjësish dhe nuk shtojnë dot punonjës në Verë për shkak të turizmit. Për shembull në Fier janë 3 inspektorë. Ata me të drejtë ankohen, por ky është një justifikim. Kjo është dhe në vende të tjera, por situata aty është më mirë”.
Nga ana tjetër Inspektorati pretendon se shumica dërrmuese e të miturve të punësuar ishin të siguruar. “Është vërejtur se 76 të mitur ishin të siguruar dhe vetëm 16 prej tyre të pasiguruar”, pretendoi inspektorati.
Por për Drejtorin e Qendrës për të Drejtat në Punë, pagesa e sigurimeve duhet parë më thellë, pasi ekziston edhe informaliteti gri, që i detyron të punësuarit të kthejnë pas pjesë të pagesës formale që marrin.
“Një tjetër problem është edhe pjesa e informalitetit gri, që do të thotë që punonjësi është i deklaruar duke iu dhënë paga minimale me sigurime dhe pjesa tjetër jepet në të zezë”, vijon ai. Megjithatë kjo problematikë e konstatuar nga Hoxha nuk është vërejtur nga ISHPSHSH.
Shkeljet nuk ndëshkohen
Albi është një 16-vjeçar, i detyruar që kohën e lirë të mos ta kalojë duke luajtur me shokët, por duke punuar. Atë e gjen çdo ditë në punë sapo mbaron shkollën dhe detyrat për të nesërmen.
Albin e takuam në zonën e ‘Lungomares’ në qytetin e Vlorës, në një prej lokaleve të zonës, ku edhe gjatë ditëve të fundit të Tetorit turistët ende ishin prezentë. “Punoj për të nxjerr shpenzimet e shkollës, ndihmoj familjen”, tregoi për BIRN 16-vjeçari që pasditeve punon si kamerier.
“5-6 orë në ditë jam në punë, vij çdo ditë në orën 15:00 dhe iki në 21:00 ose në 22:00”, tha adoleshenti që u buzëqeshte turistëve që ata të mbeteshin të kënaqur nga shërbimi i tij.
Siç na tha, kushtet e punës ishin të mira, por na tregoi se nuk ishte i siguruar. “Nuk më kanë siguruar, të gjitha Lekët i marr në të zezë, kështu kam pranuar dhe unë që në fillim”, rrëfeu ai.
Shkelje të ngjashme ka gjetur edhe ISHSHP. Në një prej inspektimeve që BIRN mori pas kërkesës për të drejtë informimi nga ISHPSHSH, rezulton se punëdhënësi kishte shkelur 10 nene të ligjeve dhe rregullimeve të të drejtave në punë, përfshi punësimin e të miturve.
Në një tjetër rast inspektorët gjetën se i mituri i punësuar si kamarier ishte vetëm 14-vjeç, i pasiguruar, pa orar të caktuar pune, pa kontratë dhe pa leje nga inspektorati.
Por pavarësisht numrit të shkeljeve dhe llojit të tyre inspektorët janë mjaftuar me vërejtje dhe paralajmërime për subjektet e kapura.
“Për të gjitha shkeljet e konstatuara, subjekteve u janë lënë detyra me afate kohore për zbatim si dhe në disa raste është marrë dënim kryesor administrativ ‘Paralajmërim’”, thuhet në përgjigjen me shkrim që ISHPSHSH i dërgoi BIRN.
Sipas Inspektoratit ishin marrë 2 masa administrative ‘Paralajmërim’ në biznese në Durrës dhe 4 masa administrative kryesore ‘Paralajmërim’ në subjekte që ushtrojnë aktivitet në Vlorë.
Mungesa e masave administrative në rastet e të miturve të punësuar është shqetësuese për Edison Hoxhën, që tregon se pasojat që mund të shkaktohen janë afatgjata.
Sipas Hoxhës, punësimi i të miturve cenon shëndetin mendor të tyre dhe është një problem afatgjatë, andaj duhet të merren masa tek sanksionet, ndërsa sugjeron ndryshime në aktet nënligjore.
“Përveç ndryshimeve ligjore duhet të ketë dhe një zbatueshmëri të ligjit. Duhet punuar dhe me informimin si tek punëdhënësit, ashtu edhe tek punëmarrësit”, sugjeron ai.
Sipas tij, duhet që të rishikohet një Vendim i Këshillit të Ministrave që detajon kushtet e të miturve në punë, ku parashikohen dhe sanksionet për shkelësit.
“Mendoj se ndryshimet duhen bërë në VKM ku të detajohen edhe më shumë kushtet e punës dhe për mendimin tim duhet të ketë shtim të sanksioneve, pasi kemi të bëjmë me punësim të miturish”, thotë ai.
Duke vërejtur se kryesisht të miturit janë gjetur në sektorin e shërbimeve Hoxha thotë se puna sezonale gjatë verës ka krijuar hapësira për abuzim, ndërsa tërheq vëmendjen se kushtet e sigurisë në këtë sektor janë të vogla.
“Turizmi është një sektor që punohet pa kushte sigurie. Mungon dhe vlerësimi i riskut në punë. Edhe ky është një problem, po ashtu mungon kontrolli periodik i punëmarrësve dhe kontrolli shëndetësor. Por kjo nuk bëhet se janë punonjës të përkohshëm”, tha ai.
Sipas tij, këto shkelje bëhen për shkak se puna është sezonale dhe kushtet e kontratave janë të ndryshme nga ato të punës afatgjatë. Problematika pranohet edhe nga Inspektorati, i cili në përgjigjen për BIRN deklaron se nga kontrollet përgjatë periudhës Maj-Shtator 2022 janë konstatuar 10 të mitur pa ekzaminim mjekësor.