Seanca dëgjimore për gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymeri u shty për të tretën herë të premten më 9 dhjetor, pas kërkesave të tij për përjashtimin e dy prej anëtarëve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Ngjashëm, bazuar në kërkesat për përjashtimin e dy anëtarëve të trupës së mëparshme, u shty edhe seanca e 13 qershorit, ndërsa në seancën e parë më 27 maj u shty për t’i dhënë kohë avokatit të zgjedhur nga Ymeri, për t’u njohur me dosjen.
Ymeri u paraqit në sancë me dy përfaqësuesit e tij ligjorë, avokatin Arben Llangozi dhe avokatin Gerti Ymeri, për të cilin sqaroi se është i vëllai.
Kryesuesja e trupës së KPK, Pamela Qirko paraqiti detaje rreth ecurisë së procesit të rivlerësimit për Ymerin, prej seancës së mëparshme ë ne vijim. Ajo sqaroi se Komisioni kishte pranuar kërkesat e subjektit për përjashtimin e dy anëtarëve të tjerë të trupës, ish-relatorin Roland Ilia dhe anëtaren Etleda Çiftja që janë zëvendësuar me komisioneret Firdes Shuli dhe Genta Tafa Bungo.
Sipas Qirkos, pasi Ymerit i janë njoftuar rezultatet e hetimit, ai ka kërkuar disa herë shtyrje dhe në fund të muajit nëntor ka dërguar shpjegime dhe prova, ku ka kërkuar prej Komisionit që të lexohet me kujdes pasi në brendi gjendeshin edhe kërkesa procedurale.
Qirko vërejti se KPK i ka kërkuar subjektit që të formalizojë kërkesat e tij procedurale, por Ymeri është përgjigjur se pasi ishte këshilluar me avokatët, ata i kanë sygjeruar që të mos i depozitojë veçmas, duke vlerësuar se është detyrë e vetë Komisionit që t’i konstatojë ato kërkesa në parashtrimet e dorëzuara prej tij.
Kryesuesja bëri me dije se Ymeri kishte paraqitur së fundmi nëpërmjet email-it edhe një kërkesë të re për përjashtimin e anëtares Firdes Shuli. Ajo e ftoi subjektin që të paraqiste para Komisionit të gjitha kërkesat që kishte.
Gjyqtari Ymeri vërejti se kishte pasaktësi në korrespodencën që u relatua. Ai kërkoi që të mos i kufizohej e drejta e mbrojtjes. “Dua të përdoret dhe oraliteti, dua të lexoj, pasi drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të duket se bëhet”, pohoi Ymeri.
Gjatë seancës kryesuesja Qirko i kërkoi dhe e ftoi Ymerin të ishte më i përmbledhur, por ai e konsideroi si një ndëprerje. Komunikimet mes tyre ngjasonin me replika të ndërsjellta lidhur me çfarë parashtronin dhe kërkonin.
Ymeri sqaroi detaje të përmbajtjes së një email-i që sipas tij, ishte dërguar nga kryesuesja Qirko dhe thuhej se Komisioni ishte fyer dhe kërcënuar prej tij. “Ju lutem të më thoni se ku ju kam fyer dhe kërcënuar. Ju e keni cënuar besimin tim. Më thoni kur ju kam fyer dhe kërcënuar dhe do t’ju kërkoj ndjesë para publikut dhe sy më sy”, pohoi Ymeri.
Qirko u shpreh se mendonte se kishte përballë profesionistë që duhet ta dinin se Komisioni shprehet me vendim. “Nuk jemi këtu për t’u pyetur nga ju dhe për t’ju dhënë intervistë”, pohoi ajo dhe e ndëpreu subjektin teksa ai kërkoi t’i drejtohej me kërkesë procedurale që i referohej vetëm anëtares Firdes Shuli. Kryesuesja vërejti se kërkesat i drejtohen Komisionit dhe jo anëtarit të trupës.
Në vijim, Ymeri deklaroi se do të paraqiste fakte se anëtarja Shuli dhe kryesuesja Qirko nuk plotësonin kushtet për të garantuar një gjykatë të formuar me ligj. Ndërsa Ymeri vijoi të kërkonte t’i lejohej të paraqiste kërkesat, kryesuesja Qirko vërejti se nuk po dëgjonin kërkesa, por fjalë.
Sërish, Ymeri ripërsëriti se ishin kërkesa për përjashtimin e anëtares Shuli dhe kryesueses dhe ju rikthye përmbajtjes së email-it ku sipas tij, Qirko është shprehur se është fyer dhe kërcënuar. “Ka një parim, se askush nuk mund të jetë i dëmtuari, akuzuesi dhe gjyqtari njëkohësisht”, tha ndër të tjer Ymeri dhe pretendoi se kjo situatë cënonte procesin e rregullt ligjor.
Ai deklaroi se Qirko është në konflikt interesi të hapur dhe të vazhduar për vijimin e shqyrtimit të çështjes së tij. “Është e njëjta kërkesë si për komisioneren Shuli. Komisionerja ka konsumur me dashje katër rrethna të konfliktit të interesit dhe unë e kam humbur besimin. Një nga këto është edhe kufizimi i fjalës time nga kryesuesja Qirko që e bëri vetëm dhe pa u këshilluar me anëtaret e tjera të trupës”, deklaroi Ymeri.
Ai pretendoi se ndryshe nga sa ishte proceduar për çdo subjekt tjetër rivlerësimi deri tani, Komisioni kishte njoftuar jo vetëm orarin e fillimit të seancës dëgjimore, por edhe të mbarimit duke parashikuar se seanca do të zgjaste për 7 orë me radhë. Subjekti vërejti se ky njoftim ishte korrigjuar më pas nga Komisioni, por deklaroi se dispononte provë që e vërtetonte një gjë të tillë pasi e kishte fotografuar dhe e cilësoi këtë rrethanë si indice.
“Është përpjekur të më bullizojë, gjë që e bëri edhe tani. Duhet që komisioneri të ketë vetëpërmbajtje, por nuk e ruajti”, pohoi Ymeri për Qirkon dhe shtoi se ajo duhej të kishte qenë e vetëpërmbajtur edhe në email-in që i kishte dërguar ku shënohej se ishte fyer dhe kërcënuar. “Mund të shprehej për sjelljen time në vendimin përfundimtar”, pohoi subjekti dhe pretendoi se Komisioni duhet që me arsyetimin e vendimit të ndërmjetëm të mos paragjykojë atë përfundimtar. “Paragjykimi se kam qenë problematik e bënë të qartë qëndrimin që do të mbajë. Veprimi nuk është afatshkurtër, se po të ishte i tillë do ta kisha neglizhuar”, pohoi Ymeri.
Ai vijoi me pretendimet e tij se Qirko ka qenë kryesuese edhe e trupës së mëparshme që e kishte përmbyllur hetimin vetëm për kriterin e pasurisë. Ymeri sqaroi se trupa aktuale e përmbylli hetimin për të tre kriteret, duke pranuar provat e tij për të ardhurat e ligjshme të familjarëve, ç’ka kishte sjellë ndryshim të analizës financiare. Sipas tij, trupa e mëparshme në mënyrë të qëllimshme nuk i kishte përfshirë në analizë të ardhurat e ligjshme. “Komisionerja Qirko i bie të ketë dhënë vendim me trupën e parë”, pohoi subjekti.
Bazuar në këto argumente, Ymeri e rikonstatoi si të njëanshëm qëndrimin e Qirkos dhe e konsideroi në cënim të procesit të rregullt ligjor.
Po ashtu, Ymeri pretendoi se Qirko kishte mbajtur qëndrime të njënashme edhe në seancën e 13 qershorit, kur ai kishte kërkuar përjashtimin e anëtarit Roland Ilia. Sipas subjektit, kryesuesja, pa u këshilluar me Ilian, kishte deklaruar se ky i fundit nuk e kishte ditur gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit, pasi hetimi ishte kryer vetëm në një kriter, atë të pasurisë.
Ymeri tha se Qirko ishte përpjekur t’i kufizonte kohën për kërkesën për përjashtimin e Ilias, si dhe nuk kishte marrë masa për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij për shkak të mosdeklarimit të gjendjes në kushtet e konfliktit të interesit.
Si argument për përjashtimin e Qirkos, subjekti solli edhe pretendimin se qëndrimi Ilias tregonte një marrdhënie armiqësore ndaj tij. Sipas Ymerit, marrëdhënia armiqësore që shfaqte Ilia ndaj tij dhe marrëdhënia e miqësisë me komisionerët, përbënte shkak për të mbështetur kërkesat për përjashtim.
Në vijim paraqiti situatë konflikti interesi edhe avokati Llangozi. Ai u shpreh se gjendej në konlikt interesi me anëtaren Shuli, pasi zyra e tij përfaqëson një çështje për falsifikim, për të cilën gjykata ka vendosur të hetohet edhe komisionerja. Llangozi vërejti se Shuli mund të mos e dinte këtë fakt, por pretendoi se situta të dukje paraqitej e tillë se Shuli nuk mundej të realizonte drejtësi në këtë gjykim. “Nuk kemi asgjë kundër komisioneres, kjo është çështje profesionale”, pohoi Llangozi dhe vërejti se mendonte se Shuli nuk mund ta ketë ditur këtë situatë.
Ymeri deklaroi se komisionerja Shuli kishte shkak për t’u dorëhequr.
Trupa e KPK u tërhoq dhe vendosi të kalojë për shqyrtim në trupa të tjera të Komisionit kërkesat për përjashtimin e Qirkos dhe të Shulit. Komisioni njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet të hënën, më 12 dhjetor, në orën 13:00.