Pas një telefonate mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut britanik Rishi Sunak, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, dolën me një deklaratë të përbashkët për të adresuar emigracionin e paligjshëm, përmes ngritjes së një grupi pune dhe zbatimit më rigoroz të marrëveshjeve të ripranimit të nënshkruara deri më tani.
Në deklaratë vihet theksi se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe se në këmbim të ndihmës nga Britania merr përsipër të kujdeset për të kthyerit që konsiderohen viktima të trafikimit duke mbajtur parasysh edhe problemet gjinore.
“Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer në veprimtaritë ligjzbatuese, me objektivin për të ndaluar dhe goditur migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale. Për këtë qëllim, dy qeveritë tona do të ngrenë një Grup të Përbashkët Pune në nivelin e Ministrisë së Brendshme /Home Office”, thuhet në deklaratë.
Deklarata vjen pas një shpërthimi këtë verë të emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe përmes kanalit të La Manshit. Të dhënat nga institucionet Britanike thonë se 35% e 44 mijë njerëzve që janë kapur duke kaluar kanalin detar që ndan Francën nga Mbretëria e Bashkuar me gomone këtë verë ishin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama po ashtu u përfshi një përplasje deklaratash në fillim të nëntorit me Sekretaren për Punët e Brendshme të Britanisë Suella Braverman, pas deklarimeve të kësaj të fundit për “pushtim”, që sollën po ashtu protesta të shqiptarëve në Britani.
Deklarata e përbashkët duket se synon t'i sheshojë mosdakordësitë dhe po ashtu të vërë në zbatim një listë me marrëveshje ekzistuese që qeveritë shpresojnë se mund të ndikojnë në uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm dhe po ashtu edhe ndikojnë në përmirësimin e situatës ekonomike në Shqipëri.
Dy qeveritë duket se kanë rënë dakord të përshpejtojnë ripranimin e shqiptarëve që kapen si emigrantë të paligjshëm, përfshi edhe ata që konsiderohen si viktima të trafikut apo si viktima të “skllavërisë moderne” sipas ligjit britanik. “Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, përfshi ata mbi moshën 18-vjeçare, që janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne”, thuhet në deklaratë.
“Mbretëria e Bashkuar do ta trajtojë Shqipërinë, ashtu si vendet e tjera evropiane, si një vend të sigurt.”, njoftoi në një Tëeeter ambasadori Britanik në Tiranë Alastair King-Smith, duke iu referuar deklaratës.
Për të realizuar këtë Britania do të ndihmojë Shqipërinë të rrisë kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturën e mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe të dhunës. Nga ana e saj Shqipëria angazhohet të kujdeset për të kthyerit që janë viktima të trafikimit. “Pas kthimit në Shqipëri, personit do t'i ofrohet mbështetje për çdo nevojë që lind dhe mbrojtje nga ritrafikimi, sipas përcaktimeve të KEKT-së”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri Edi Rama pretendoi në një dalje për mediat pas bisedës me Sunak se këtë propozim e kishte ndarë me Britaninë e Madhe sa herë që ky problem ishte ngritur. “Nëse doni ndihmën tonë se ne jemi zgjedhur për të qeverisur Shqipërinë, jemi gati të ngremë skuadër speciale, e cila të merr 24 orë për identifikimin, penetrimin, ndarjen e informacionit, vëzhgimin dhe në fund ndalimin e atyre që organizojnë këto rrjetet e kriminalitetit”, tha Rama.
Autoritetet britanike përllogarisin se rreth 12 mijë shqiptarë kaluan ilegalisht në Britani përmes detit gjatë këtij viti. Udhëtimi konsiderohet ndër më të rrezikshmit. Të mërkurën, 14 dhjetor 2022, një gomone e përdorur për të kaluar nga Franca në Britani u mbyt. 4 persona humbën jetën dhe 43 u shpëtuan nga roja bregdetare britanike, ndërsa kërkimet për të tjerë refugjatë të humbur vijojnë.