Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 22 dhjetor 2022 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Lushnjës, Elion Mustafaj. Vendimi për konfirmimin e Mustafajt u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar Valbona Sanxhaktari, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin.
Gjatë seancës dëgjimore më 20 dhjetor, Mustafaj u përball kryesisht me pyetje mbi kontradiktat në dy kontrata noteriale për blerjen e një apartamenti nga ai dhe prindëit në Tiranë. Prokurori Mustafaj pretendoi se bëhej fjalë për një gabim në një nga aktet noteriale.
Elion Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si kancelar në prokurorinë e Durrësit. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Korçës, atë të Vlorës si dhe në prokurorinë e Lushnjës ku vijon aktualisht.