
Pronari 46-vjeçar i një biznesi të vogël materialesh ndërtimi në Bradashesh të Elbasanit nuk kishte lindur ende kur aty filloi ndërtimi i “Kombinatit Metalurgjik”. Edhe pse u rrit ngjitur me Metalurgjikun, 46-vjeçari që prezantohet vetëm me mbiemrin Allhasa, nuk u mësua asnjëherë me erërat dhe tymin e zi që del prej oxhakëve.
Allhasa thotë se industria e rëndë në hyrje të Elbasanit i ndez kryesisht motorët në fundjavë, kur ka më pak kontrolle dhe energjia kushton më lirë.
“Në fundjavë këtu bëhet e padurueshme situata. Sigurisht që kompanitë punojnë se energjia është më e lirë në fundjavë dhe kontrolli i shtetit mungon. Kështu ata mund të bëjnë çfarë të duan e askush nuk i pengon,” ankohet ai.
Por ndyshe nga konstatimet e Allhasës, raportet e vetëmonitorimit të mjedisit nga kompanitë e industrisë së rëndë në periferi të Elbasanit paraqesin një situatë krejt tjetër.
Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN siguroi nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit raportet e vetëmonitorimit për vitet 2020-2022 të kompanive Albchrome, Kurum, R.B.H BELINE dhe kompania e inceneratorit, Albtek Energy.
Sipas tyre, niveli i grimcave në ajër dhe i gazrave të dëmshëm për shëndetin është në të gjitha rastet, poshtë limiti të përcaktuar nga qeveria shqiptare.
Ndonëse raportet tregojnë në disa raste vlera të ndotjes më të larta se ato të lejuara në Bashkimin Europian, me rezultatet e paraqitura, kompanitë i kanë letrat në rregull me autoritetet e mjedisit në Shqipëri.
Raportet e dorëzuara nga kompanitë private në Agjencinë Kombëtare të Mjedisin bien në kontrast me monitorime të pavarura, të kryera nga Co Plan dhe Klubi Ekologjik për periudhën periudhën 2019 deri në 2021, ku evidentohen sasi më të larta të gazrave të dëmshëm dhe grimcave në qytet.
Të dhëna të tilla kontradiktore i bëjnë dyshues ekspertët e mjedisit, të cilët mendojnë se matjet e prezantuara në raportet e vetëmonitorimit nga ana e kompanive kryhen vetëm për periudha shumë të shkurtra kohore, duke shfrytëzuar një ligj të vjetëruar dhe boshllëqe ligjore të krijuara nga autoritetet.
“Nuk mund të ketë 30 minuta monitorim në 3 muaj për të përcaktuar nivelin e ndotjes. Ne jemi trajnuar në laboratorë të certifikuar evropianë dhe monitorimi shtrihej pothuajse gjatë gjithë vitit,” thotë Taulant Mitrushi, duke iu referuar raporteve të vetëmonitorimit.
Edhe kryetari i Klubit Ekologjik në Elbasan, Ahmet Mehmeti, thotë se koha në të cilën bëhen matjet e bën të kotë të gjithë procesin.
“Pra edhe nëse laboratorët janë të akredituar, vetëmonitorimi është një proces i kotë që e paguajnë firmat për të na hedhur hi syve,” thotë ai.
Letrat “në rregull”
Raportet e vetëmonitorimit të katër kompanive të industrisë së rëndë që operojnë në Elbasan përfshijnë analiza të ajrit, ujit dhe zhurmave për peridhën 2020 deri në tremujorin e dytë të vitit 2022 dhe janë realizuar nga kompani të licensuara të monitorimit në mjedis.
Në përgjithësi, ato paraqesin një gjendje thuajse idilike të punës prej këtyre kompanive.
Në raportin vjetor prill 2021-prill 2022 të dorëzuar nga kompania Kurum thuhet se “nuk ka pasur asnjë ankesë nga banorët, subjektet dhe institucionet e ndryshme. Nëse do ketë do ju informojmë”. Kjo fjali gjenden thuajse njësoj edhe në raportet e kompanive të tjera.
Raportet e vetëmonitorimit të vlerave të gazrave apo pluhurave të emetuara gjatë punës së këtyre kompanive tregojnë po ashtu se gjithçka shkon mirë. Sipas këtyre të dhënave, të gjitha kompanitë punojnë në normat e lejuara nga legjislacioni shqiptar.
Grimcat në ajër të njohura si PM10, të konsideruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si ndër shkaktaret kryesore të vdekjeve të parakohshme në botë në vitin 2019, janë në të gjitha monitorimet më të ulëta se norma e kërkuar në vend që është në masën 60 migrogram për metër kub, µg/m³.
Në matjet e vitit 2022 Albchrome raporton si vlerë maksimale të PM10 në një nga pikat e matjes 57 µg/m³ në mars 2022. Raportet e vetëmonitorimit të Kurum nuk e kanë si vlerë më vete PM10, por ato referojnë lëndë të ngurtë e cila në të gjitha rastet është nën normën maksimale të lejuar. Rafineria R.B.H BELINE, po ashtu raporton lëshime normale të PM10 prej 40 µg/m³.
Gjatë vitit 2021, edhe Albtek Energy që operoi inceneratorin e Elbasanit raportoi prani të PM10 brenda normave të lejuara. Pas sekuestrimit nga SPAK për shkak të akuzave për korrupsion, kompania nuk ka dorëzuar raport për vitin 2022.
Krahasuar me limitin mesatar vjetor të PM10 të Bashkimit Europian prej 40µg/m³, vlerat e raportuara janë më të larta ose në limit, por numri i matjeve vetëm 4 herë në vit, i bën sipas ekspertëve këto matje të papërfillshme.
Ndërsa në raportet e vetëmonitorimit të kompanive të industrisë së rëndë këto elementë janë normalë, matjet e kryera nga Co Plan dhe Klubi Ekologjik në vitet 2019-2021 të paraqitura në raportin Green Lungs në qytetin e Elbasanit, 5 kilometra nga zona industriale, japin shifra që tejkalojnë disa herë limitet kombëtare të lejuara.
Kështu, për Dioksidin e Azotit, vlera mesatare në qytet ishte 69.6 µg/m³, kur limiti i lejuar në vend është 60 µg/m³ dhe limiti i Bashkimit Europian 40. E njëjta gjë ndodh edhe me gazërat e tjera dhe grimcat e dëmshme.
Përpiluesit e studimit në përfundimet e arritura vënë në dukje një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë ndotje, përfshi industrinë e rëndë në periferi të qytetit.
“Industria që nuk përdor teknologji sipas standardit si dhe nuk vendos filtra ndikon në shtimin e ndotjes”, thuhet në raport, ku përmenden po ashtu përdorimi karburanteve fosile të ndaluara.
Një tjetër gjetje e monitorimit sugjeron se vlerat më të larta të ndotjes shënohen në fundjavë.
“Në ditë të caktuara, sidomos të shtunave apo të dielave, situata bëhej e frikshme pasi ndotja rezulton disa herë mbi normat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar dhe veçanërisht ai evropian ku duhet të kishim kaluar me kohë,” tha Ahmet Mehmeti nga Klubi Ekologjik, duke iu referuar studimit “Green Lungs Buletin” të vitit 2021.
Pikëpyetje mbi vetëmonitorimet
Rodion Gjoka, ekspert mjedisor në Institutin Co-PLAN, thotë e raportet e vetëmonitorimit nuk garantojnë mbrojtjen e mjedisit, sa kohë për ta nuk ka garanci të një pale të ndërmjetme mes porositësit dhe monitoruesit, që të sigurojë se procesi është brenda standardeve.
Gjoka thotë se ndryshe nga raportet, efektet e ndotësve në ajër, ujë dhe tokë në qytetin e Elbasanit janë të dukshme.
“Shpesh kanë sjellë kronika lajmesh, akuza të banorëve për sëmundje, mutacione dhe çrregullime të ndryshme që ata përjetojnë,” thotë ai.
Ai ngre dyshime që raportet e vetëmonitorimit janë fiktive, gjë që sipas tij përforcohet “pasi konstatimet e shkarkimeve jashtë kontrollit nga subjektet prodhuese e përpunuese në Shqipëri janë evidente edhe me sy të lirë”.
Ekspertët po ashtu vërejnë një zbehje të rolit të institucioneve në çështjet mjedisore, duke përmendur si shembull mungesën prej vitesh të publikimit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik të të dhënave mbi sëmundjet respiratore të lidhura drejtpërdrejt me ndotjen në ajër.
“Ky institucion ka ndërprerë publikimet e incidencave të sëmundjeve respiratore apo problemeve shëndetësore që mund të kenë si shkak cilësinë e mjedisit qysh prej vitit 2014,” tha Gjoka për BIRN.
Njëlloj mendon edhe Taulant Mitrushi, i trajnuar në monitorimin e ajrit dhe me një eksperiencë disa vjeçare në monitorim pranë një organizate jofitimprurëse. Mitrushi ia vë fajin mungesës së infrastrukturës së institucioneve për ta bërë vetë monitorimin e operatorëve industrialë.
“Nëse duam që vërtet ky process të funksionojë dhe ky monitorim të kthehet në një lloj presioni për të përmirësuar situatën e ndotjes, atëherë duhen forcuar strukturat, rritur kapacitetet dhe furnizimi me teknologjinë e duhur të shtetit. Në të kundërt, gjithçka do të jetë fiktive”, thotë ai.
Sipas Mitrushit, nuk mund të gjykohet mbi rezultatet e arritura mbi pak minuta monitorim dhe se për të qenë të vlefshme, ato duhet të shtrihen gjatë gjithë vitit dhe të kryhen sipas standardeve të BE.
Edhe Ahmet Mehmeti beson se monitorimi i kryer është i pamjaftueshëm. “Evropa e ka të paktën 300 ditë monitorim për të dalë në konkluzione, ndërsa ne bëjmë 90 minuta matje në vit dhe e kemi mbyllur procesin,” përfundoi ai.