Ardjan Nikulaj, një biznesmen dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Lezhë u ekzekutua me armë zjarri brenda lokalit në pronësi të tij në zonën e Shëngjinit.
Policia njoftoi se vrasja ndodhi rreth orës 13.30 minuta të mërkurën. Dëshmitarë thanë se panë dy persona që erdhën me një automjet nga pjesa e pasme e lokalit. Njëri prej tyre, i cili mbante një skafandër motori në kokë hyri në lokal dhe qëlloi me pistoletë ndaj 50 vjeçarit që po qëndronte i ulur në lokal. Pas krimit, autorët u larguan sërish me shpejtësi, ndërsa kërkimet dhe postoblloqet e policisë së Lezhës nuk dhanë rezultate.
Motivet e krimit mbeten të paqarta. 50 vjeçari Ardjan Nikulaj, rezulton pronar i disa bizneseve kryesisht në zonën e Shëngjinit dhe në zgjedhjet e 14-majit ishte kandidat për Këshillin Bashkiak si përfaqesues i Partisë Socialdemorate të Tom Doshit. Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, Nikulaj ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 Nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 Dhjetor 2006, me gjobë.
Ardian Nikulaj ka qenë në vitin 2003 i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe në 2006 për kontrabandë e falsifikim. Në lidhje me vrasjen reaguan kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, deputetët Eduard Ndreca dhe Lindita Metaliaj të cilët kërkuan zbardhjen sa më parë të këtij atentati.