Qeveria shqiptare ka propozuar për debat publik një projektligj që synon krijimin e një skeme shtetërore të sigurimit nga tërmeti, e cila nënkupton një fond rezervë të paguar çdo vit nga pronarët e shtëpive te një agjenci e cila do të duhet të dëmshpërblejë vlerën e shtëpisë së dëmtuar apo shembur nga një tërmet i mundshëm në të ardhmen. [link propozimi]
Relacioni i qeverisë citon një studim të Bankës Botërore, e cila sugjeron se Shqipëria ka rrezik të humbasë 2 miliardë euro nga tërmetet përgjatë një periudhe 250 vjeçare.
Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 që nga viti 1900, por duket se vetëm tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës mbart një vlerësim konkret të dëmeve të pësuara.
Logjika e projektligjit është që përmes një procesi teknik nga fusha e sigurimeve, të arrihet në një shkallë rreziku dhe vlerësim të dëmit potencial, gjë që përcakton edhe masën e primit apo pagesës vjetore që duhet të shlyhet nga të siguruarit për të përfituar kompensim. Fjala vjen, nëse tërmeti mund të shkaktojë 1 miliardë euro dëme çdo 50 vjet në një bazë pronash me vlerë 20 miliardë euro, atëhere, kontribuuesve do t’u duhet të shlyejnë 5% të vlerës së pronës përgjatë 50 viteve të sigurimit ose 0.1% të vlerës së pronës çdo vit.
Por kjo është një llogari më e lehtë në teori se sa në praktikë. Llogaritja e primit të rrezikut për një ngjarje të tillë si tërmetet është e vështirë dhe kërkon metodologji të stërholluara, të cilat projektligji nuk i mbart. Nuk është e lehtë të matet vlera e pronës në rang kombëtar apo në rang rajonal dhe as nuk është e lehtë që të llogariten dëmet potenciale nga ngjarje të tilla të rralla dhe me forcë të luhatshme si tërmetet. Gjithashtu, mbetet e paqartë dhe e pasqaruar në ligj se mbi çfarë informacioni dhe mbi çfarë logjike do të duhet të matet diferenca e rrezikut për dëme mes një zone me rrezik të lartë për tërmet, si Durrësi nga një zonë me rrezik më të ulët për tërmet si Tirana.
Projektligji parashikon që sigurimi i detyrueshëm të jetë vetëm për pronat që përdoren për banim, përfshirë ndërtesat në proces legalizimi, ndërsa pronat biznes përjashtohen. Po kështu përjashtohen edhe shtëpitë e baltës apo ndërtesat e lëvizshme. Projektligji saktëson se sigurimi mbulon vetëm banesën pa orendi ndërsa nuk do të ketë kompensim nga ky fond për dëme në shëndet apo për humbje jete. Për këto lloj dëmesh, qytetarët kanë mundësi të sigurohen në sektorin privat, nëse dëshirojnë.
Projektligji parashikon krijimin e një korporate shtetërore, e cila do të grumbullojë pagesën e siguracionit të detyrueshëm nga qytetarët dhe do të menaxhojë këtë fond, supozohet duke i investuar paratë në instrumente borxhi. Një pjesë e kontributeve të qytetarëve në sigurim do të shkojë për të paguar rrogat dhe shpenzimet e tjera administrative të korporatës së sigurimeve.
Shqipëria i përballoi dëmet në masën 985 milionë euro të 26 nëntorit 2019 përmes rritjes së borxhit publik dhe falë ndihmave të vendeve dashamirëse, përfshirë mbi 100 milionë euro të dhëna nga Bashkimi Evropian, me të cilat po rindërtohen shumë shkolla, disa prej të cilave nuk kishin dëmtime nga tërmeti.
Tërmete të tjera më të vogla që kanë goditur vendin kanë shkaktuar dëme në shkallë shumë më të vogël.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 nuk ishte tërmeti më i fortë që ka goditur Shqipërinë, tërmete që shkaktohen më së shumti nga mikropllaka e Adriatikut. Një tërmet që goditi Shqipërinë dhe Malin e Zi më 15 prill 1979 shkaktoi 35 të vdekur dhe shkatërroi tërësisht 2413 shtëpi dhe pjesërisht rreth 12 mijë shtëpi. Në vitin 1967, një tërmet me magnitudë 6.6 dhe intensitet në qendër 9 ballë, goditi zonën e Dibrës dhe Librazhdit duke shkaktuar 12 të vdekur dhe duke shkatërruar tërësisht 534 shtëpi.
Më 1 qershor 1905, në Shkodër, një tërmet i vlerësuar me magnitudë 6.6 dhe me intensitet 9 ballë, shkaktoi rreth 200 të vdekur dhe rrafshoi rreth 1500 shtëpi.
Më pas në histori, në vitin 1267, një tërmet goditi Durrësin duke rrafshuar qytetin në mënyrë katastrofike.