23-vjeçari O. nga Siria ka të ngjarë të jetë ndër të parët që do të arrijë në një nga dy pikat e kalimit kufitar me Rusinë që Finlanda ka njoftuar se do të rihapet të enjten.
“Jam gati të shkoj në kufi të enjten”, tha ai për BIRN përmes një aplikacioni mesazhesh të martën, duke folur nga qyteti rus i Shën Petersburgut.
“Shumë këtu janë të përgatitur të bëjnë të njëjtën gjë”, shtoi O., duke specifikuar se vetëm grupi i tij përbëhet nga 16 shokë udhëtimi.
O., i cili më parë u përpoq të hynte në BE përmes kufirit Bjellorusi-Poloni dhe u kthye pas nga rojet kufitare polake, tha se nuk u beson më trafikantëve të njerëzve. Ai tha se ai dhe miqtë e tij do të prisnin që rusët të hiqnin postblloqet përgjatë rrugës për në kufirin finlandez – BIRN nuk qe në gjendje të verifikonte nëse ata janë ende aty – dhe më pas të bënin copa rruge me makinë deri në kufi për veten e tyre dhe biçikletat që do të blejnë në Shën Petersburg.
“Nuk kam zgjidhje tjetër veçse të shkoj përpara”, shpjegoi ai.
“Nuk mund të kthehem në Siri dhe nuk dua të vdes”, tha ai, duke iu referuar rreziqeve me të cilat emigrantët si ai besojnë se përballen nëse qëndrojnë në Rusi.
O., është një nga mijëra emigrantë të ngujuar aktualisht në Rusi pasi Finlanda mbylli të gjitha pikat e saj kufitare lindore në fund të nëntorit. Me Poloninë dhe vendet baltike që e bëjnë pothuajse të pamundur kalimin në BE përmes kufijve të tyre me Bjellorusinë, emigrantët janë lënë në mëshirën e shtetit rus, i cili po intensifikon arrestimet, dëbimet dhe rekrutimin.
Rrugë e re
Që nga viti 2022, siç raportoi BIRN në atë kohë, emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika që përpiqeshin të arrinin në Evropë përmes Rrugës Kufitare Lindore, zakonisht kanë shkuar me avion drejt Moskës në vend të kryeqytetit bjellorus të Minskut përpara se të niseshin drejt perëndimit.
Pasi kanë mbërritur në Moskë, emigrantët si O. të intervistuar nga BIRN zakonisht janë përpjekur – dhe kryesisht kanë dështuar – të hyjnë në BE duke shkuar në Bjellorusi dhe duke u përpjekur të kalojnë kufirin tashmë të përforcuar shumë me Poloninë.
Pas atyre përpjekjeve të dështuara, reklamat për itinerarin finlandez u bënë më tërheqëse. Sipas një kontrolli të disa prej kanaleve përkatëse Telegram nga BIRN, reklamat për itinerarin finlandez ose u shfaqën në vjeshtë në kanalet e përdorura më parë nga emigrantët dhe kontrabandistët e njerëzve, ose në kanale krejtësisht të reja kushtuar kësaj rruge të re.
Në të paktën një rast të njohur për BIRN, një kontrabandist njerëzish aktiv në linjën Bjellorusi-Poloni thjesht filloi të punojë edhe në rrugën finlandeze në nëntor.
Pavarësisht kontrabandistëve të njerëzve që reklamonin ndihmën për të kaluar këtë rrugë, emigrantët fillimisht mund të kalonin në Finlandë pa paguar ndërmjetës. Ndryshe nga rruga Bjellorusi-Poloni, ku emigrantët kanë nevojë për ndihmë në prerjen e gardheve ose kalimin e lumenjve dhe kënetave, kalimi i kufirit me Finlandën bëhej në pika zyrtare, ku Roja Kufitare Finlandeze pranonte kërkesat për azil.
Emigrantët përdornin biçikletat që i kishin blerë nga kontrabandistët e njerëzve ose oficerët rusë për të hyrë në Finlandë, pasi disa pika kufitare nuk lejonin qarkullimin në këmbë.
Kur mësuan për opsionin e rrugës finlandeze, shumë emigrantë në Bjellorusi zgjodhën të ktheheshin në Rusi dhe të niseshin drejt kufirit finlandez.
Mbyllja e kufirit me Finlandën
Në nëntor, mbi 900 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika kaluan në Finlandë nga Rusia përmes pikave zyrtare të kalimit dhe paraqitën një kërkesë për azil. Numri mund të jetë i vogël në terma absolutë, por finlandezët theksuan se në muajt e mëparshëm ata kishin parë mesatarisht më pak se një kalim në ditë.
Qeveria finlandeze ishte e bindur se rritja e numrit ishte për shkak të kanalizimit të qëllimshëm të emigrantëve nga Rusia në këtë rrugë, në mënyrë që të ndëshkonte Finlandën për anëtarësimin në NATO në prill. Ka një numër në rritje të provave që Kremlini, në bashkëpunim me regjimin bjellorus të Aleksandër Lukashenkos, ka përdorur emigrantët si pjesë e luftës së tij hibride me Perëndimin.
“Kjo është një masë aktive e instrumentalizimit të qytetarëve të vendeve të treta, të cilën Finlanda nuk mund ta pranojë”, tha Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen.
Marek Menkiszak, një ekspert i Rusisë në Qendrën për Studime Lindore me bazë në Varshavë, e përshkruan atë si “një llogaritje politike shumë mizore”.
“Rusia nuk mund të hakmerret ushtarakisht për pranimin e Finlandës në BE – aq më pak sepse tërhoqën trupat e tyre nga kufiri finlandez për t'i çuar ata të luftonin në Ukrainë – kështu që ata duhej të gjenin një mënyrë tjetër”, tha ai për BIRN.
“Ata duan të kenë një krizë emigracioni që ata besojnë se do të destabilizojë situatën politike në Finlandë”, tha Menkiszak. “Efekti i synuar është të frikësojë qeverinë finlandeze në mënyrë që ajo të hezitojë të përshkallëzojë konfliktin e saj me Rusinë dhe, për këtë qëllim, të refuzojë vendosjen e trupave amerikane atje.”
“Rusia nuk mund ta anulojë anëtarësimin e Finlandës në NATO, por mund të përpiqet të anulojë efektet e kësaj ushtarake”, përfundoi ai.
Si përgjigje, gjatë muajit nëntor, Finlanda mbylli gradualisht të tetë pikat e saj kufitare jo të mallrave me Rusinë.
Të martën, pas dy javësh mbyllje totale, Ministria e Brendshme finlandeze njoftoi se pikat e kalimit kufitar në Vaalimaa dhe Niirala në jug do të rihapen për qarkullim nga e enjtja, 14 dhjetor, ndërsa pjesa tjetër e kufirit të saj lindor do të mbetet e mbyllur.
Marrëveshja e fshehtë e Kremlinit
Kremlini mohoi se i ka tunduar emigrantët drejt kufirit finlandez dhe se i ka ndihmuar ata të kalonin. Megjithatë, Roja Kufitare Finlandeze theksoi se ndërsa Rusia vuri në zbatim një marrëveshje dypalëshe me Finlandën, sipas së cilës nuk do të lejonte udhëtarët pa dokumente të duhura në zonën kufitare deri në gusht, ajo filloi të lejonte qasje më të madhe në zonën kufitare që nga ajo kohë.
Është interesante se në disa video të postuara në kanalet Telegram që përdoren nga emigrantët për të komunikuar me kontrabandistët e njerëzve, autoritetet ruse shihen qartë duke organizuar emigrantët pranë kufirit finlandez.
Në një video të tillë, të publikuar në një nga kanalet Telegram më 23 nëntor, dhjetëra emigrantë shihen duke ndenjur në dëborë pranë tendave dhe biçikletave, nën syrin vigjilent të asaj që duket të jetë një përzierje policësh vendas rus, roje kufitare dhe policie rrugore, disa prej tyre me armë. Një ambulancë bashkiake qëndron aty pranë.
Ndërsa nuk është verifikuar as vendi ku është xhiruar videoja, as kur është filmuar apo nga kush, një tabelë rrugore e dukshme në video tregon qytetin Priozersk, i cili është rreth 50 kilometra nga kufiri finlandez në rajonin e Leningradit. Targat e dukshme janë nga rajoni Murmansk dhe Shën Petersburg.
Në dy video të tjera të postuara më 24 dhe 25 nëntor në të njëjtin kanal, emigrantët shihen duke hipur në një autobus nën drejtimin e oficerëve rusë dhe më vonë duke hipur në biçikleta që duket se janë transportuar në një kamion që shoqëronte autobusin.
Përpjekjet për kalime kufiri kanë rënë që kur Finlanda mbylli të gjitha pikat e kontrollit kufitar më 30 nëntor. Kanalet në Telegram në të cilat mund të organizoheshin udhëtime gjithashtu kanë qenë kryesisht të qeta gjatë dy javëve të fundit.
Një kontrabandist që dukej se ofronte kalime përmes pyjeve të Taigës, jashtë pikave zyrtare të kalimit kufitar, për një çmim prej 3,000 eurosh, e tërhoqi ofertën kur u kontaktua nga BIRN, duke thënë se ishte mirë të pritej për njoftimin zyrtar nga finlandezët për rihapjen e pikave të kalimit kufitar.
Sipas Gardës Kufitare Finlandeze, vetëm katër persona kaluan kufirin finlandez-rus në mënyrë të paligjshme – domethënë nëpërmjetë Taigës – gjatë gjithë nëntorit.
“Nuk është zbuluar asnjë kalim tjetër i paligjshëm i kufirit tokësor”, tha për BIRN një zëdhënëse e Gardës Kufitare Finlandeze. “Mund të ketë shumë arsye pse ky fenomen nuk është zhvendosur drejt kufijve tokësorë, por kushtet e motit të ftohtë dhe terreni me borë sigurisht që e bëjnë të vështirë këtë.”
“Arsyet e tjera do të bazoheshin pak a shumë në spekulime”, shtoi ajo, duke thënë se Roja Kufitare Finlandeze merret vetëm me fakte.
Eksperti rus Menkiszak tha, sigurisht, se kushtet klimatike janë pjesë e saj, por kjo nuk i ka ndaluar njerëzit të përpiqen në kufirin e Bjellorusisë.
“Rusët mund të mos duan të kapen në flagrancë, të dokumentohen ndërsa ndihmojnë emigrantët në kalimin e paligjshëm, siç ndodhi me oficerët bjellorusë”, tha eksperti, duke theksuar se ai mund të spekulojë vetëm për motivet ruse. “Ne të gjithë e dimë se Rusia po koordinon krizat e emigracionit në të gjithë këta kufij, por mungojnë ende provat e forta dhe ata vazhdojnë ende ta mohojnë.”
“Ata gjithashtu mund të duan ta mbajnë atë lloj provokimi për një tjetër nivel përshkallëzimi nëse gjykohet e nevojshme. Ata bëjnë një hap, shikojnë reagimin dhe më pas ri-kalibrojnë qasjen e tyre”, shtoi ai.
Rreziku i rekrutimit
Me njoftimin e rihapjes së dy pikave kufitare në Vaalimaa dhe Niirala të martën, qeveria finlandeze paralajmëroi njëkohësisht se “do të mbyllë përsëri të gjithë kufirin lindor nëse emigrimi i instrumentalizuar në kufirin lindor vazhdon”.
Është e pamundur të vlerësohet se sa emigrantë janë aktualisht në Rusi në pritje për të kaluar në BE, qoftë përmes Finlandës, Estonisë apo edhe Bjellorusisë. Roja Kufitare Polake vazhdon të raportojë çdo ditë përpjekje për të kaluar kufirin e saj, megjithëse shifrat nuk janë të larta. Megjithatë, pavarësisht nga synimet e ardhshme të Rusisë për krizën kufitare me Finlandën, këta emigrantë janë të dëshpëruar për t'u larguar nga Rusia.
Gjatë javëve të fundit, emigrantët kanë raportuar se policia ruse po intensifikon arrestimet e atyre të cilëve u ka skaduar viza. Zakonisht, ata burgosen dhe më pas deportohen shpejt. Por, në mënyrë alarmante, një emigrant i intervistuar nga BIRN paraqiti prova se Forcat e Armatosura Ruse po përpiqeshin të rekrutonin emigrantë, të cilëve viza ruse u ka skaduar për të luftuar në luftën kundër Ukrainës.
A., kombësia dhe të dhënat personale të të cilit BIRN zgjedh t'i fshehë për të mbrojtur sigurinë e burrit, aktualisht ndodhet në një kamp ushtarak rus afër kufirit me Ukrainën, sipas deklaratave dhe dokumenteve të tij gjyqësore, si dhe provave fotografike që ai ka ndarë me aktivistë të njohur me Rusinë që kanë qenë në kontakt me BIRN.
Teksa largohej nga vendi i tij, ku tha se përballej me kërcënime për jetën, A. fluturoi për në Moskë gjatë verës dhe fillimisht tentoi rrugën Bjellorusi-Poloni. Ai dështoi ta kalonte atë kufi pavarësisht tre tentativave. Kur dëgjoi për rrugën finlandeze, vendosi të kthehej në Rusi për ta provuar. Megjithatë, në atë kohë viza që ai kishte përdorur për të hyrë në Rusi tashmë kishte skaduar. Burri u ndalua gjatë një kontrolli policor ndërsa po udhëtonte drejt Rusisë perëndimore dhe u arrestua për shkelje të vizës.
“U arrestuam rreth 40 kilometra nga kufiri me Finlandën, gjatë natës”, rrëfen burri për BIRN nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh nga kampi ushtarak në Rusi, ku ai ishte ende në kohën e shkrimit. “Të nesërmen në mëngjes, na çuan në policinë e emigracionit dhe më pas në gjykatë dhe u dënuam me dëbim dhe gjobë.”
Pas marrjes së dënimeve, burri tha se të gjithë grupit të tij të përbërë nga 12 kombësi të ndryshme iu ofrua një kontratë në rusisht për ta nënshkruar. Atyre iu tha se kontrata përfshinte një punë për shtetin rus dhe se ata do të merrnin një rrogë dhe të drejtën për të qëndruar ligjërisht në Rusi pas një viti nga kryerja e asaj pune.
Nëntë burra refuzuan dhe u dëbuan, por tre të tjerë, përfshirë bashkëbiseduesin tonë, nënshkruan dokumentet. “Vetëm pasi arritëm këtu, në kampin ushtarak, kuptuam se çfarë lloj kontrate kishim nënshkruar dhe se ishim mashtruar. Ne refuzuam të ishim pjesë e ushtrisë”, tha ai.
A., i cili ka marrë këshilla nga organizatat e të drejtave të njeriut, u lejua ta paraqite gjendjen e tij në gjykatën rajonale të Karelias dhe përfundimisht mori një vendim që rivendosi vendimin fillestar të dëbimit, pasi ai refuzon të zbatojë kontratën e tij ushtarake. (BIRN e disponon këtë vendim gjykate, teksti i të cilit thekson kompromisin ndërmjet qëndrimit të ligjshëm në Rusi dhe përfundimit të kontratës së punës).
“Tani përballem sërish me problemin e rreziqeve që më detyruan të largohesha nga vendi im në radhë të parë”, komentoi ai me hidhërim.
Sipas dokumenteve gjyqësore të analizuara nga BBC Rusia, duket se rreth 200-300 emigrantë janë arrestuar në secilin prej tre rajoneve ruse në kufi me Finlandën gjatë javëve të fundit për shkak të shkeljes së vizave të tyre. Për momentin, është e paqartë se sa prej këtyre personave po u frohet t'i bashkohen ushtrisë ruse, por kjo praktikë është përdorur edhe më parë nga autoritetet ruse.
Sipas Human Rights Watch: “Në shtator 2021, autoritetet ruse miratuan një ligj për natyralizimin e thjeshtuar të të huajve që shërbejnë në ushtrinë ruse dhe filluan të joshin dhe detyronin në mënyrë aktive emigrantët që t'i bashkoheshin ushtrisë ruse, me sa duket për të luftuar në Ukrainë.”
Kjo praktikë është përdorur më parë me emigrantët e punës të Azisë Qendrore të arrestuar në Rusi, sipas një raporti nga Meduza, një faqe e pavarur lajmesh lajmesh në gjuhën ruse dhe angleze me seli në Riga.
Annu Lehtinen, drejtore ekzekutive e Këshillit Finlandez të Refugjatëve, tha për BIRN se grupet lokale të të drejtave të njeriut kishin dëgjuar se “mund të ketë një lloj rekrutimi të detyruar të emigrantëve dhe azilkërkuesve në ushtrinë ruse nën kërcënimin e dëbimit”.
“Emigrimi i detyruar gjithmonë i ekspozon njerëzit ndaj dhunës, shfrytëzimit dhe zhvatjes”, tha ajo. “Por nëse, përveç kësaj, këta njerëz nuk kanë asnjë mundësi reale për të kërkuar azil jashtë Rusisë, atëherë ata janë në një pozitë shumë të vështirë”.
Lehtinen shtoi se edhe nëse Finlanda ka të drejtën dhe detyrën për të kontrolluar kufijtë e saj, kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të detyrimeve të traktateve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
“Mbyllja e pikave kufitare i vendos njerëzit në një pozitë edhe më të cenueshme dhe rrezikon mundësinë e tyre për të kërkuar azil, të cilin shtetet kanë detyrimin ta ofrojnë”, tha ajo.
Për këtë investigim kontribuuan edhe Majd Helobi dhe Maria Mocanu.