Vendimi është marrë për deputetët Gazment Bardhi, Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka pas një kërkese të bërë nga disa deputetë socialistë.
Bardhi është përjashtuar 10 ditë, ndërsa deputetët e tjerë me 20 ditë, bëhet e ditur në një dokument të publikuar në faqen e Kuvendit, ku referohen nenet e rregullores për prishjen e seancave plenare.
Kërkesa e socialistëve i referohej sjelljes së kolegëve të tyre opozitarë në seancën e së hënës, kur deputetët e opozitës u përplasën me oficerët e Gardës së Republikës në hyrje të sallës.
Ndërkohë që seanca plenare kishte nisur vetëm me praninë e mazhorancës, deputetët opozitarë nuk po lejoheshin të futeshin, pasi mes tyre ishin edhe 19 deputetët e përjashtuar me një vendim të mëparshëm për përdorimin e zhurmuesve në sallë.
Që prej nëntorit, pjesa më e madhe e opozitës ka zgjedhur si formë proteste bllokimin e punës së Kuvendit si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të kërkesave të tyre për hetim parlamentar ndaj qeverisjes dhe rrëzimit të kërkesën për të ndryshuar bashkëkryetarin në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Masat disiplinore ndaj deputetëve u ashpërsuan me miratimin në mënyrë të njëanshme nga shumica të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, duke rritur afatin e përjashtimeve nga 10 ditë deri në 60 ditë.