Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi të hënën më 12 shkurt kërkesën e prokurorisë respektive për dërgimin në gjyq të tre zyrtarëve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Genci Hicka, Ilir Nishani dhe Gersion Tafa, të akuzuar se morën ryshfet në këmbim të mosvendosjes së një gjobe një klinike private për mbetjet spitalore. Po ashtu, janë dërguar për gjykim edhe dy mjekët Konstandin Balloma dhe Besim Boçi të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se në vitin 2020, të pandehurit kanë dhënë dhe marrë një shumë 30 mijë lekë për të shmangur një klinikë private nga gjoba lidhur me mbetjet spitalore. Një vit më parë, Gjykata e Posaçme ktheu për plotësim hetimet e SPAK që u konsideruan së fundmi të plota për kalimin e çështjes për gjykim.