Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, AKCESK, deklaroi të martën se sulmi kibernetik ndaj Institutit të Statistikave, INSTAT ishte neutralizuar. Përmes njoftimit për shtyp, AKCESK fajësoi Homeland Justice për sulmin, që sipas tij ishte realizuar përmes shpërndarjes së një virusi që ka infektuar 40 kompjuterë. Në 6 prej kompjuterave të dhënat janë fshirë dhe gjithashtu është bërë fshirja e serverit në të cilin kryheshin ekzekutimet e komandave.
“Është konfirmuar se sulmuesit përdorën skedarin MEK-DDMC.exe për të ekzekutuar një virus me përmbajtje keqdashëse. Ky sulm i njohur si Ëiper (Fshirës) kishte si qëllim fshirjen e të dhënave të sektorit Boot dhe prekjen e pajisjeve brenda Active Directory (AD),” thuhet në njoftim.
Pas Homeland Justice, sipas dy raporteve të FBI-së dhe Microsoft, fshihen hakera iranianë. Pas një serie sulmesh kibernetike mbi shërbimet dhe faqet online të institucioneve shqiptare, më 1 shkurt u sulmua dhe INSTAT. Faqja zyrtare e INSTAT qëndroi e padisponueshme për disa ditë, teksa në një reagim publik në profilin zyrtar të Institutit në Facebook, u njoftua se sulmi kibernetik synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT.
“INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme,” njoftoi INSTAT.
Ndryshe nga njoftimi, Homeland Justice publikoi në grupin e vet në Telegram disa fjali ku pretendohej se ata kishin akses të plotë mbi të dhënat e Censusit. AKCESK pothuajse dy javë pas sulmit, njoftoi se falë punës së tyre janë mundur të shmangen edhe sulme të ngjashme ndaj strukturave të tjera.
“Si rezultat i bashkëpunimit të gjithanshëm me infrastrukturat kritike të rëndësishme të vendit, është arritur të parandalohen sulme të ngjashme në infrastruktura kritike të vendit, në këtë vazhdë sulmesh kibernetike”, shkruan AKCESK.