Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili doli humbës në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2023, është ndaluar të shtunën së bashku me katër persona të tjerë. Ndalimi i tyre konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, por nuk u bënë me dije veprat penale dhe arsyet për të cilat janë proceduar pesë të ndaluarit.
Goro i cili garoi për një mandat të katërt nën siglën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës në maj të vitit të kaluar, vijoi ta ushtronte detyrën megjithëse fitues u shpall rivali i tij, Alfred Beleri. Ky i fundit nuk arriti të kryente betimin pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, vepër penale për të cilën u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg më 5 mars.
Më 5 tetor të vitit të kaluar, Goro u thirr në SPAK, pak ditë pasi Beleri kishte depozituar ndaj tij një kallëzim penal për abuzime të konstatura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, në periudhën 2019-2021, kur Bashkia e Himarës drejtohej nga i ndaluari.