AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Partitë e reja mbajnë sytë nga Reforma Zgjedhore

Liderët e forcave të reja politike janë të ndarë sa i përket ndikimit të sistemit në rregullimin e garës zgjedhore, ndërsa bien dakord që diasporës duhet t’i garantohet e drejta e votës.

Anesti BarjamemajngaAnesti Barjamemaj
18:37 | 21/05/2024
në Analiza, Artikull kryesor
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Një qytetar duke votuar më 14 maj. Foto arkivë: Nensi Bogdani/ BIRN.

Një grup pune i ngritur me deputetë të Partisë Socialiste dhe të ashtuquajturit fraksioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike pritet të dorëzojë deri me datë 1 korrik në Kuvend propozimet për reformën që do ta çojë vendin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Socialistët dhe demokratët e kanë dominuar sferën politike në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit, duke bërë që grupimet e reja politike ta shohin me dyshim procesin e reformës zgjedhore të udhëhequr prej tyre.

Të krijuara nga ish-aktivistë dhe studiues të shkencave politike, grupimet e reja synojnë thyerjen e oligopolit të PS-së dhe PD-së duke instaluar kushte më të barabarta për të garuar në zgjedhje.

Disa prej drejtuesve të këtyre subjekteve besojnë që ky ndryshim fillon me listat e hapura të zgjedhësve. Të tjerë mendojë që problemet në Shqipëri shkojnë përtej Kodit të Zgjedhor dhe krimi elektoral mund të adresohet vetëm nga organet e drejtësisë.

Përtej ndasive, këto subjekte politike kërkojnë njëzëri garantimin e votës së diasporës, që sipas tyre do të zbuste pushtetin e parasë.

“Vota e të gjithë shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit dhe shprehen pa ndikim për të zgjedhurit në vendin e tyre, bën të mundur që të minimizohet ndikimi serioz i shitblerjes së votave,” tha Adriatik Lapaj, drejtues i lëvizjes “Shqipëria Bëhet.”

Sistemi dhe vullneti i qytetarëve

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist dhe lejimit të pluralizmit politik në vend, Shqipëria vazhdon të vuajë një tranzicion të vështirë drejt konsolidimit të sistemit të saj demokratik.

Proceset zgjedhore në vend kanë dështuar të arrijnë standardet ndërkombëtare për shkak të përsëritjes së një sërë fenomenesh negative, përfshirë mungesën e lirisë së media, shitja dhe blerja e votës, përdorimi i resurseve dhe administratës publike nga partia në pushtet, politizimi i administratës zgjedhore dhe mungesa e dialogut politik.

Dy partitë e mëdha kanë dështuar t’i adresojnë këto problematika dhe shpesh janë akuzuar nga subjektet e reja politike se e kanë manipuluar procesin e reformës zgjedhore në favor të përllogaritjeve të tyre elektorale.

Për Adriatik Lapajn, sistemi aktual politik nuk e përkthen vullnetin e qytetarit në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Demokracia bazohet në përfaqësim dhe përfaqësuesit zgjidhen me votë. Nëse sistemi nuk lejon zgjedhjen e drejtë, as përfaqësimi nuk do të jetë i tillë. Sistemi aktual politik i mbyll derën qytetarit për të qenë i dëgjuar, e kësisoj i përfaqësuar, duke ia humbur vlerën e votës së drejtpërdrejtë,” tha Lapaj në një intervistë për BIRN.

Sipas tij, sistemi aktual kufizon të drejtën e qytetarit për të zgjedhur.

“Mungesa e garës reale, gara politike me lista të mbyllura është një model i  kryetarokracisë”, tha Lapaj, duke shtuar se ky sistem “vret demokracinë dhe lejon të futen në ulëset e parlamentit persona që nuk përfaqësojnë vullnetin popullor, por si rrjedhojë janë vetëm zgjedhja e parapëlqyer e kryetarit”.

Endri Shabani, akademik i diplomuar në Universitetin e Oksfordit dhe drejtues i Nismës Thurje, bie dakord me Lapajn dhe thekson se “problemi kryesor i këtij sistemi zgjedhor është që deformon votën e zgjedhësve”.

Duke iu referuar sistemit aktual, Shabani bazohet në zgjedhjet e fundit dhe sqaron deformimin e votës, ku Partia Socialiste mori më shumë mandate nga sa mund të merrte nëse do ishte një tjetër sistem.

“Me ligj, pa shkrepur asnjë fishek, pa djegur asnjë kuti, ky sistem i jep partisë më të madhe, në këtë rast PS-së, 6 deri në 7 deputetë më shumë se sa i kanë dhënë votuesit,” tha Shabani për BIRN.

Arlind Qori, profesor filozofie në Universitetin e Tiranës dhe drejtues i “Lëvizja Bashkë”, nuk e shikon problemin vetëm tek sistemi zgjedhor, por edhe tek pabarazia ekonomike që sipas tij përkthehet në tjetërsim vote.

“Problemet e zgjedhjeve në Shqipëri nuk kanë të bëjnë vetëm me Kodin Zgjedhor, por edhe me ligjshmërinë në përgjithësi dhe pabarazitë ekstreme ekonomike,” tha Qori për BIRN.

Kreu i Lëvizjes Bashkë shton se për të përmirësuar klimën politike “nuk mjafton ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, por duhet që organet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre për të vënë përpara bankës së të akuzuarve çdo porositës dhe blerës të votave”.

Edhe Blendi Çeka, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe njohës i sistemeve zgjedhore nuk e shikon si disavantazh për partitë e reja sistemin aktual zgjedhor.

“Sistemi aktual proporcional rajonal me votë preferenciale në logjikën e tij të funksionimit nuk besoj se është kundër partive të reja politike,” shpjegoi Çeka.

“Nuk mendoj se sistemi është diskriminues ndaj partive të reja,” shtoi Çeka, duke theksuar se “pragu zgjedhor 1% është minimal për një subjekt politik”.

Sipas pedagogut, sistemi më i favorshëm lidhet shumë me mënyrën e shpërndarjes së votës potenciale për këto parti në territorin e vendit.

“Nëse kanë më shumë mbështetje në Tiranë siç edhe pritet, teorikisht unë mendoj se sistemi më i favorshëm është ai aktual,” tha Çeka. “Nëse kanë një mbështetje më homogjene në gjithë territorin, është sistemi proporcional kombëtar”, theksoi ai.

A zgjidhet problemi me ndryshim sistemi?

Rrënjët e deformimit të votës duket se janë më të thella se aplikimi i një sistemi apo një tjetri. Pavarësisht problematikave të shumta, Endri Shabani është i mendimit se një sistem i ri zgjedhor me lista të hapura mund të zgjidhte një pjesë të problemit të deformimit të votës.

Sipas tij, gara kombëtare dhe jo e ndarë në zona si tani “do i japë fund deformimit të votave, por edhe manipulimit që bëhet me zonat zgjedhore, ku lëvizen votuesit por edhe fshatrat vërdallë si t’i bien më mirë llogaritë Partisë Socialiste.”

Kreu i Nisma Thurje shton se hapja e listave do të ishte një tjetër faktor pozitiv, pasi sipas tij “kjo do fuqizonte votuesin dhe do dobësonte kryetarët e partive, të cilët sot kanë dobësuar parlamentin”.

Të njëjtin mendim ndan dhe Adriatik Lapaj, sipas të cilit heqja e rajonalizmit duke e kthyer Shqipërinë në një zonë zgjedhore, do të përmbushte kërkesat e nenit 45, pika 4 të Kushtetutës, duke i dhënë “votës në Republikën e Shqipërisë vlerë të barabartë në të gjithë territorin.”

Listat ‘100%’ të hapura, për Lapajn, do të fuqizonin qytetarin, por kjo duhet sipas tij që të shoqërohet edhe me depolitizimin e administratës zgjedhore që të mos deformohet vota në favor të partisë në pushtet.

Qori ka qasje drejt një sistemi proporcional kombëtar me prag jo të lartë, por zgjidhjen e sheh tek vendosja e ligjshmërisë.

“Blerja e votave dhe kërcënimet e ofrimet e paligjshme të vendeve të punës duhet të hetohen me skrupulozitet të pashoq,” theksoi ai, ndërsa shtoi se duhet shoqëruar me një sërë masash për të ndërtuar një shtet social që ua siguron si të drejta qytetarëve plotësimin e nevojave të tyre, pa i shtrënguar të hyjnë në rrjetën klienteliste të partive, duke e bërë të panevojshme shitjen e votës.

Koalicionet parazgjedhore, jo “vijë e kuqe”

Maksimalizimi i votës kundër të vjetrës – përveç ndryshimeve në sistem, vjen edhe me koalicion. Krerët e partive të reja nuk e shohin si “vijë të kuqe” sanksionimin ose jo të koalicioneve edhe pse shprehen se janë gati të bashkëpunojnë me këdo që është kundër të vjetrës në politikë.

“Ne si Lëvizje jemi të hapur për bashkëpunim me çdo lëvizje të re apo individ, i cili nuk ka pasur pushtet dhe nuk i ka hyrë në hak qytetarëve të vendit, që nuk ka shpërdoruar apo vjedhur paratë e qytetarëve të vendit,” tha Adriatik Lapaj.

Ndërsa Endri Shabani është më këmbëngulës në kërkesën e tij, ku e quan absurditet moslejimin e koalicioneve, siç edhe aktualisht është.

“Është absurde që një parti të vendosë se si duhet të kandidojnë partitë e tjera në zgjedhje. Dhe me heqjen e koalicioneve parazgjedhore ka ndodhur pikërisht kjo: PS vendosi që partitë e tjera nuk mund të garojnë bashkë në zgjedhje,” sqaroi kreu i Nisma Thurje.

Një tjetër qëndrim ka Arlind Qori, i cili është i mendimit se edhe të vetëm mund t’ia dalin.

“Çështja e koalicioneve parazgjedhore përbën vetëm një kuriozitet intelektual,” tha Qori. “Lëvizja Bashkë është parti, e cila jo për fajin tonë nuk gjen kollaj simotra në spektrin politik shqiptar,” shtoi ai.

Pedagogu Blendi Çeka mendon se partitë e reja e kanë avantazhin te kontrasti me partitë ekzistuese. Në këtë linjë, ai thekson se sistemi aktual që nuk lejon koalicione është një avantazh për forcat e reja.

“Çdo shkrirje në koalicion me to zbeh avantazhin e krahasuar në garë për to,” tha Çeka, ndërsa shtoi se maksimalizimin e votave, partitë e reja mund ta arrijnë vetëm nëse bashkohen me njëra-tjetrën.

Pavarësisht sistemit, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori shprehet se grupimi që ai drejton nuk i druhet garës zgjedhore.

“Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje edhe në kushtet më të pafavorshme,” u shpreh Qori.

Edhe kreu i Nisma Thurje, Endri Shabani sqaroi se pavarësisht sistemit do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Nëse sistemi nuk ndryshon, ne do duhet të bëhemi më strategjikë duke krijuar një front të përbashkët të së resë kundër të vjetrës,” tha ai.

Të njëjtin zotim jep edhe Adriatik Lapaj, i cili thotë se përballja do të jetë gjithmonë në zgjedhje me të vjetrën.

“Ne nuk tërhiqemi. Beteja jonë për demokratizimin e vendit është e  drejtë dhe ne do i shkojmë deri në fund në çdo mënyrë, qytetare, ligjore dhe politike”, premtoi ai.

Etiketa: AdriatikAdriatik LapajaktivistArlind QoriBIRNBlendi ÇekademokraciadeputetEndri ShabaniKodi ZgjedhorkrimikryetarKuvendLëvizja BashkëLigjListat e hapurambështetjeMediandikimnismaNisma ThurjePabaraziaPartiaPartia SocialistePartisë SocialistePartite e rejaPDPSPunëReformaReforma zgjedhoreshqipShqipëriShqipëriaShqipëria Bëhetsistemi zgjedhortë drejtaTiranëVotaVota e diasporësvotuesitzgjedhjeZgjedhjet
I mëparshmi

Aksident në galeritë e Martaneshit, një minator i vrarë e një i plagosur

Tjetri

Sejko i shmanget përgjegjësisë për skemën e mashtrimit me mikrokreditë

Tjetri
Sejko i shmanget përgjegjësisë për skemën e mashtrimit me mikrokreditë

Sejko i shmanget përgjegjësisë për skemën e mashtrimit me mikrokreditë

gentjan osmani duke dale nga kpk

Strasburgu i hap rrugën prokurorit Gentjan Osmani të kthehet në detyrë

14:08 | 23/06/2026
gozi pde

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie

11:37 | 23/06/2026
rama 2 ps

“Nga lajmi te lajmësi”: Manuali i propagandës së Ramës kundër protestës

08:46 | 23/06/2026
Shqipëria hap dyert e ‘skllavërisë moderne’ për punëtorët e huaj

Punëtorët e huaj në Shqipëri: Narrativa mediatike lustron realitetin

17:46 | 22/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Ish-ministri Ylli Pango dëshmon për privatizimin e ish-klubit “Partizani”

17:26 | 22/06/2026
pankarte ne proteste

Protestuesit akuzojnë policinë për “taktika intimidimi” me procedimet masive

07:08 | 22/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.