Ora: 07:34 – E hënë, 5 gusht 2024. Vangjel Tavo i Partisë Socialiste fitoi zgjedhjet e së dielës me rezultat të thellë. Ai gjithsesi humbi në vetë njësinë administrative Himarë. Për më shumë lexoni këtu:
Ky blog nuk përditësohet më.
7:00 – Hapen kutitët e votimit në bashkinë Himarë për zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak. Në orën shtatë të mëngjesit kutitë janë hapur në 36 qendra votimi në tre njësitë administrative të bashkisë Himarë. Në këto zgjedhje kanë të drejtë votimi 23,130 zgjedhës.
7:05 – Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
7:15 -Kandidatët për kryebashkiak në Himarë janë Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria, nga Partia Demokratike, i mbështetur nga PBDNJ dhe OMONIA. Me profesion mjek, Tavo është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpara se të kandidonte si kryebashkiak për bashkinë Himarë, ai mbajti për disa muaj postin e Prefektit të Vlorës. Ndërkohë rivali i tij Petro Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dhërmiu.
7:20 – Në prag të zgjedhjeve për kryebashkiak të Himarës, në njësinë administrative Lukovë, marrëdhënia e vendësve me një grusht njerëzish të cilëve, socialistët i referohen si “investitorë” ndërsa demokratët si “oligarkë” duket se është tema kryesore, krahas marrëdhënieve shqiptaro-greke. Lexo reportazhin e gazetarit Gjergj Erebara duke klikuar këtu.
7;25- Pyetur nga BIRN, secili nga kandidatët nuk u shpreh qartë se si e mendonin çështjen e Kakomesë. Pasi përgëzoi niviciotët për rezistencën, Petro Gjikuria tha se ai priste të hynte në bashki për të kuptuar se mbi çfarë baze ligjore gjiri është rrethuar dhe plazhi është ndaluar apo se nga kush.
“Kur të vete në zyrë, do ta gjej se pse është mbyllur,” tha ai. “Do të mundohem të ndaloj vjedhjen,” shtoi.
Kandidati Tavo tha se priste që problemi i Kakomesë të zgjidhet përmes “angazhimit të aktorëve dhe faktorëve në këtë çështje, fshati, investitori dhe qeveria, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare”. I pyetur më specifikisht se çfarë nënkuptonte me zgjidhje dhe nëse mbështeste apo jo pretendimin e niviciotëve, Tavo nuk u shpreh prerazi ndërsa pyetur nëse kishte dijeni se kush ishte investitori tha:
“As që ia kam haberin”.
7:34 – Përfaqësuesit e KQZ-së në qendrën e votimit 4591/1 në Himarë njoftojnë se procesi vazdon normalisht.
8:14- Media greke dhe ajo shqiptare ka shfaqur një interes të shtuar për të mbuluar zgjedhjet në bashkinë Himarë. Dhjetra gazetarë dhe kameramanë nga Athina dhe Tirana kanë ardhur në Himarë për të raportuar zgjedhjet.
9:40- Në disa qendra votimi në njësinë administrative Himarë janë raportuar probleme nga votues të cilët kanë pasur dokumente identifikimi që i ka mbaruar afati dhe nuk janë lejuar të votojnë.
9:43 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë një deklaratë për procesin zgjedhor në Bashkinë Himarë. Sipas KQZ:
Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
10:13- Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri ne orën 9:00 pjesëmarrja është 6.66%, kanë votuar 1418 nga 22,921 votues. Të dhënat janë raportuar nga 33 Qendra Votimi, nga 36 githsej.
10:00- Sipas vëzhguesve të Organizatës Qendresa qytetare, deri në orën 10:00 ne zgjedhje e pjesshme për bashkinë Himarë janë konstatuar këto problematika.
– Mungesa e listave të votuesve para KQV për orët e para të votimit.
– Një numër i konsiderueshëm i votuesve kanë pasur karta ID të skaduara, duke e bërë të pamundur votimin.
– Qytetarët nuk janë të informuar se ku duhet të votojnë dhe për shkak të pritjeve të gjata në QV demotivohen për të votuar.
– Tension mes komisionerëve.
Një nga problemet më kritike ishte përdorimi i gjuhës greke nga komisionet në KQV, duke vështirësuar kështu edhe rolin e vëzhguesve.
Ora 10:44 – Interesi i votuesve për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës duket në mënyrë të pazakontë i lartë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10, pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme ishte gati 12%. Në zgjedhjet e vitit 2023, pjesëmarrja deri në orën 10 ishte 8%. Pjesëmarrja e lartë është e vështirë të lexohet për shkak se këto zgjedhje, ndryshe nga të shkuarat, po zhvillohen verës dhe në kulmin e sezonit turistik. Pjesëmarrja në zgjedhje në Bashkinë e Himarës ka qenë historikisht shumë e ulët për shkak të shkallës së lartë të emigrimit të popullsisë vendëse.
Ora 11:16 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se votuesit me karta identiteti të skaduara nuk do të mund të votojnë. “Ne nuk jemi institucioni përgjegjës për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit,” njoftoi KQZ duke iu përgjigjur pyetjeve të zyrtarëve lokalë të qendrave të votimit në Himarë, të cilët thonë se ka pasur gjatë ditës së sotme një numër jo të vogël qytetarësh, të cilët nuk kanë pasur mundësi të votojnë për shkak se dokumentet e tyre të identifikimit janë përtej afatit të vlefshmërisë.
11:22- Qendra e votimit në fshatin Vuno. Janë regjistruar 123 votues nga gati 750 në listë. Në zgjedhjet 2023 kanë votuar rreth 170 votues. Janë regjistruar vetëm dy raste ku ka pasur vështirësi të identifikimi elektronik të votuesve të moshuar, të cilët janë regjistruar manualisht. QV e vendosur pranë kishës së Shën Mërisë.
Rritje e pazakontë e numrit të votuesve në Himarë
11:29 – Në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Himarë kanë të drejtë vote 22,921 qytetarë. Opozita akuzon se qeveria, në përpjekje për të fituar zgjedhjet, ka importuar votues nga zona të tjera të Shqipërisë. Maxhoranca socialiste nuk ka komentuar mbi akuzat. Numri i votuesve të regjistruar për zgjedhjet e së dielës është në fakt më i lartë se sa në zgjedhjet e vitit 2023. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se mes zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe atyre të këtij viti, numri i votuesve është rritur me 99 vetë. Kjo rritje është e pazakontë duke marrë parasysh që mes zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit të kaluar, numri i votuesve në këtë bashki nuk është rritur. Të dhëna të tjera indirekte sugjerojnë se në fakt, tendenca natyrore është pakësimi i popullsisë dhe rrjedhimisht rënia e numrit të votuesve, për shkak se në Bashkinë Himarë, numri i vdekjeve tejkalon numrin e lindjeve.
1:20- Deri në orën 12:00 sipas KQZ-së numri i votuesve në zgjedhjet e pjesshme në Himarë është 5135 nga 22,640 zgjedhës, ose 22.6% i totalit. Kanë raportuar në KQZ 35 qendra votimi nga 36 gjithsej. Pjesëmarrja deri në orën 12:00 është më e lartë se në zgjedhjet vendore të vitit 2023, kur në të njëjten orën ishte 19.38%.
1:33 -Kryetari KQZ-së Ilirjan Celibaahi mbajti një konferencë për shtyp ne KZAZ-në Nr. 88 në Himarë. Celibashi pranoi problematikën me kartat e indetitetit me afat të skaduar, por theksoi se shturja e afatit të tyre është vendimmarje që nuk i përket KQZ-së por Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të ishte vënë në lëvizje nga partitë politike ose zgjedhësit. Në një qender votimi në Lukovë janë ndaluar gazetarët të filmojnë, ndërsa në një tjetër qendër tjetër janë raportuar persona të paautorizuar që mbanin shënim zgjedhësit.
Rezultatet në zgjedhjet e mëparshme në Bashkinë Himarë
Bashkia Himarë është një zonë elektorale komplekse, gjë që raportohet edhe në rezultatet e zgjedhjeve të shkuara. Këto janë të dhënat statistikore të grumbulluara nga BIRN për zgjedhjet që nga viti 2007.
Nëse historia elektorale e një zone mund të thotë diçka në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve të së dielës së 4 gushtit, kjo histori, në rastin e Himarës dukshëm nuk është në gjendje të japë një informacion shumë të vlefshëm.
Bashkia e Himarës përfshin një zonë heterogjene që shtrihet në tre njësi të para reformës së vitit 2015, në Himarë, ish-komuna Lukovë dhe ish-komuna Horë Vranisht. Informacioni i thatë nga e shkuara është që në zgjedhjet e vitit 2023, kandidati i opozitës Fredi Beleri arriti të fitojë, pasi mobilizoi votat e bazës së tij kryesore, qytezës së Himarës si dhe fshatrave përbërës të kësaj njësie administrative. Dy njësitë e tjera administrative u fituan nga kandidati i maxhorancës Jorgo Goro. Rezultati fitues për socialistët ishte i ngushtë për njësinë Lukovë dhe shumë i thellë për njësinë Horë-Vranisht.
Beleri mposhti Goron në bashkinë Himarë dhe në veçanti, në vetë qytetin Himarë, ku në disa qendra votimi, Goro humbi me mbi 70% apo 80% të votave.
Gjithsesi, në instancë finale, Goro humbi në nivel bashkie me një diferencë prej vetëm 19 votash.
Rezultati i zgjedhjeve të së dielës ka gjasa që do të përcaktohet në masë të konsiderueshme nga pjesëmarrja, e cila, deri në orën 15, ka një rritje fare të lehtë në krahasim me 14 majin. Gjithsesi, duke marrë parasysh vapën dhe sezonin turistik, një valë finale në orët e mbrëmjes mundet ta ndryshojë situatën.
Dy orë para mbylljes së votimit, tejkalohet pjesëmarrja e 14 majit
Ora: 18:36 – Numri i qytetarëve që hodhën votë në zgjedhjet e të dielës për Bashkinë Himarë deri në orën 15 ishte 7857, shifër kjo pothuajse e barabartë me pjesëmarrjen e shënuar në zgjedhjet e 14 majit 2023. Ndërsa kanë mbetur ende dy orë para mbylljes së votimeve, pjesëmarrja duket se po shënon një nivel rekord për këtë bashki që njihet prej vitesh për pjesëmarrje të ulët, për shkak të shkallës së lartë të emigrimit. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, votuesit në këtë bashki hodhën 7821 vota, nga të cilat, 166 ishin të pavlefshme.
Votimet në Himarë u mbyllën në orën 19:00. Lexoni këtu raportimin e gazetarit Besar Likmeta
Deri në orën 18:00, në Himarë votuan 8,394 qytetarë. Ndërsa presim të dhënat finale të pjesëmarrjes, mund të themi se sakaq janë hedhur 573 vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit të kaluar. Rritja më e madhe në përqindje është në njësitë Horë-Vranisht dhe Himarë. Himara, duke qenë më e madhja, pritet të japë edhe efekt më të madh në rezultatin final.
Ora 21:03 – Numri i votuesve në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Himarë arriti në 8,676 vetë, me një rritje 11% ose 857 vota më shumë se sa në zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar, një rritje që tregon rëndësinë që të dy palët i kanë kushtuar këtyre zgjedhjeve në dukje të thjeshta. Rritja e pjesëmarrjes është e vështirë të interpretohet. Fakti kryesor është që në listat e zgjedhësve këtë të dielë kishte 252 votues më shumë se sa më 14 maj, një rritje për të cilën opozita akuzon qeverinë se është shkaktuar nga importimi i votuesve nga zona të tjera të Shqipërisë. Gjithsesi, rritja e votave me 857 është tre herë më e lartë se sa rritja e votuesve. Për numrin e votuesve ka kontribuuar më shumë njësia administrative Himarë, e cila, në zgjedhje te 14 majit 2023 votoi masivisht opozitën. Zgjedhjet e vitit 2021 nuk vlejnë dot për krahasim sepse në atë kohë, qeveria bllokoi kufirin me Greqinë, duke ndaluar emigrantët që të ushtronin të drejtën e votës në Shqipëri, nën justifikimin e pandemisë Covid-19.
6:57- Vangjel Tavo zgjidhet kryebashkiak në bashkinë Himarë. Ish-prefekti i Vlorës do të drejtojë për tre vitet e ardhshme bashkinë bregdetare pas një fitore të qartë në zgjedhjet e pjesshme të së dielës. Pak minuta përpara orës 7 të mëngjesit në KZAZ 88 në Himarë u mbyll numërimi i votave dhe zhurma e fishekzjarrëve mbushi mëngjesin e qetë të Himarës së përgjumur. Kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo u shpall fitues me gati 59% të votave, duke shënuar një fitore të qartë kundër rivalit të tij nga opozita, Petro Gjikuria.