Dy javë ngjarje sportive të nivelit të lartë në Lojërat Olimpike të Parisit sollën shumë momente gëzimi dhe dhimbje, por Lojërat e 2024 u njollosen gjithashtu nga incidente të shumta të gjuhës së urrejtjes në internet kundër pakicave, si dhe nga një sërë mosmarrëveshjesh fetare dhe kombëtare në rrjetet sociale.
Hulumtimi nga ekipi i monitoruesve të të drejtave digjitale të BIRN tregoi se dy polemika të mëdha mbizotëruan në diskursin online në Evropën Juglindore dhe Qendrore gjatë gjithë kohëzgjatjes së Lojërave Olimpike: debati për blasfeminë e supozuar në ceremoninë e hapjes dhe përfshirja e boksiereve femra Imane Khelif dhe Lin Yu-Ting.
Boksierja algjeriane Imane Khelif ishte objektivi i ofendimeve personale më të ashpra në internet. Ajo dhe Lin Yu-ting nga Tajvani ishin skualifikuar më parë nga Kampionati Botëror i Boksit i vitit 2023 nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit, IBA, se nuk kaluan testet e përshtatshmërisë gjinore. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, megjithatë, vuri në dyshim besueshmërinë e testeve të IBA-s, duke i quajtur ato “të paligjshme”.
Megjithatë, mes komenteve fyese të përhapura, media të shumta në internet dhe përdorues të rrjeteve sociale në Evropën Juglindore dhe Qendrore iu referuan Khelif, e cila ka jetuar si femër që nga lindja, si një “burrë biologjik” dhe përdorën përemra mashkullorë për të. Përdoruesit e rrjeteve sociale më pas filluan të bëjnë thirrje për skualifikimin e Khelif nga Lojërat Olimpike.
Shumë media publikuan informacione të rreme se Khelif ishte mashkull. Ky dezinformim u bë shpejt viral, duke shkaktuar komente akoma më të zemëruara dhe agresive nga përdoruesit e rrjeteve sociale.
Në një postim në Facebook, gazetari sportiv kosovar Jon Ajeti e quajti ndeshjen mes Khelifit dhe boksieres italiane Angela Carini, e cila u dorëzua me lot pas vetëm 46 sekondash pasi u godit me grusht nga Khelif, një nga “momentet më të sikletshme në historinë e Lojërave Olimpike”. Ajeti gjithashtu e etiketoi gabimisht Khelifin si transgjinore. Megjithatë, postimi i tij mori mbështetje të konsiderueshme nga komentuesit.
Adevarul, një media e njohur online në Rumani, gjithashtu propagandoi dezinformata rreth Khelif, duke deklaruar gabimisht se ajo është biologjikisht mashkull. “Gruaja me kromozomin Y e pandalshme në Paris”, shkruante titulli i Adevarul.
Polemika u shtri përtej Khelif, duke prekur çështje më të gjera të gjinisë, fesë dhe përfaqësimit të LGBTQ+ në Lojërat Olimpike. Faqja Zagreb Pride në Facebook u kritikua nga komentuesit e zemëruar pasi postoi një njoftim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për një “gjueti shtrigash” në kurriz të konkurrentëve interseks dhe varianteve gjinore.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u përgjigj në atë që tha se ishte “informacion jo i saktë”” për dy boksieret femra, duke deklaruar se të dyja “kanë konkurruar në garat ndërkombëtare të boksit për shumë vite në kategorinë e femrave, duke përfshirë Lojërat Olimpike Tokio 2020, Kampionatet Botërore të Boksit të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA) dhe turne të sanksionuar nga IBA”. Ai tha se ato më pas u skualifikuan nga IBA “pa ndonjë proces të rregullt”.
“Agresioni aktual ndaj këtyre dy sportisteve bazohet tërësisht në këtë vendim arbitrar, i cili u mor pa asnjë procedurë të duhur – veçanërisht duke pasur parasysh se këto atlete kishin konkurruar në garat e nivelit të lartë për shumë vite”, shtoi IOC.
Disa përdorues të rrjeteve sociale u kundërpërgjigjën edhe kritikave ndaj dy boksiereve duke shpërndarë një foto të Khelifit kur ishte e vogël. Disa media online, si Zoomer në Serbi, shkuan më tej duke ofruar analiza të nivelit më të lartë që përfshinin mendimet e profesionistëve të cilët argumentuan se variacionet hormonale të tilla si ato që prekin Khelif mund të jenë më të përhapura nga sa e imagjinojnë njerëzit.
Nemanja Marinovic, redaktor i Zoomer, theksoi se njerëzit që postojnë në rrjetet sociale “nuk janë të detyruar nga asnjë etikë apo standard gazetaresk dhe mund të shkruajnë çfarë të duan”. Kjo do të thotë se përhapja e dezinformatave për çështje të ndryshme është e pashmangshme, argumentoi ai.
“Kjo do të vazhdojë derisa të gjendet një mënyrë për të rregulluar dhe verifikuar vërtetësinë e informacionit të shpërndarë në rrjetet sociale dhe për të sanksionuar ata që e përdorin atë për të përhapur dezinformata dhe gjuhë urrejtjeje”, tha ai. “Megjithatë, fakti që një nga përdoruesit më problematikë të Twitter-it është pronari i tij (Elon Musk) nuk më mbush me shumë optimizëm.”
Ai gjithashtu vuri në dukje se megjithëse boksierë të njohur dhe figura të tjera sportive që postuan opinionet e tyre rreth polemikës së Khelifit në rrjetet sociale mund të kenë shumë ndjekës, ata nuk janë domosdoshmërish ekspertë për t’u besuar.
“Vetëm sepse dikush është i mirë në boks nuk do të thotë se merr vesh nga çështjet gjinore apo historia e Serbisë mesjetare, as talenti në tenis nuk e bën dikë automatikisht një nutricionist apo virolog”, tha Marinovic për BIRN.
Një analizë e BIRN ka treguar se fushata kundër Khelif u drejtua nga llogari pro-ruse të identifikuara më parë si burime dezinformimi, të cilat përhapën narrativa të rreme rreth gjinisë së Khelif pas fitores së saj fillestare ndaj kundërshtares së saj italiane.
Këto narrativa, të rrënjosura në pretendimet e Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit dhe kreru i saj, Umar Kremlev, një aleat i Vladimir Putin, sugjeruan se Khelif kishte një avantazh të padrejtë për shkak të asaj që ata pretenduan në mënyrë të rreme se ishte statusi i saj transgjinor.
Llogari pro-ruse në X rritën praninë e temës në rrjetin social në pronësi të Elon Musk, raportoi Associated Press, kështu që, sipas analizës së PeakMetrics, emri i boksieres u shfaq dhjetëra mijëra herë brenda vetëm 60 minutave.
Në fund, Khelif fitoi një medalje të artë në Lojërat Olimpike. Të shtunën, ajo gjithashtu paraqiti një ankesë zyrtare ligjore në zyrën e prokurorit të Parisit për luftimin e gjuhës së urrejtjes në internet, duke pretenduar “ngacmim të rënduar kibernetik”, sipas avokatit të saj Nabil Boudi.
Khelif nuk ishte e vetmja në qendër të polemikave të “luftërave kulturore” të lidhura me gjinitë rreth Lojërave Olimpike. Faqja e internetit Klix në Bosnje publikoi një artikull duke vënë në dyshim identitetin e hedhëses së gjyles Raven Saunders, e cila përdor përemrat “ata” dhe “atyre”. Saunders konkurroi në Lojërat Olimpike në kategorinë e femrave, por sipas Klix, ajo nuk dëshiron të përmendet si një grua. Titulli i artikullit thoshte: “S’kanë të sosur çuditë në lidhje me Lojërat Olimpike në Paris”.
Ndërkohë, fotografitë e manipuluara të notares amerikane Lia Thomas u shpërndanë gjerësisht nga mediat turke në X (ish-Twitter), duke pretenduar në mënyrë të rreme se ajo u skualifikua nga gara e notit për femra në Lojërat Olimpike të Parisit për një arsye të paspecifikuar. Në realitet, Thomas, një notare transeksuale, nuk konkurroi në Lojërat Olimpike 2024.
Marinovic argumentoi se këto polemika nxjerrin në pah mungesën e njohurive dhe ekspertizës midis gazetarëve si dhe përdoruesve të rrjeteve sociale.
“Me shembullin e boksieres nga Algjeria, si në vendin tonë (Serbi) ashtu edhe në botë, shohim se edhe mediat profesionale kanë nevojë për trajnim për verifikimin e fakteve, sepse gënjeshtrat që ata publikuan mund të kontrolloheshin me dy klikime”, tha ai.
“Situata faktike është se redaksitë e specializuara, si ato sportive, nuk janë të sensibilizuara për shumë çështje të tjera sociale dhe nuk shfaqen shpesh si temë për to – por edhe atëherë, standardet e profesionit të diktojnë që të ftosh ekspertë për të komentuar dhe për t’u informuar dhe jo të shkruash ç‘të vjen ën mendje më parë.”
Marinovic argumentoi gjithashtu se faqet e lajmeve po përfitojnë financiarisht nga gjuha e urrejtjes dhe debatet e “luftërave kulturore” duke raportuar komente të diskutueshme në mënyrë që të rrisin numrin e lexuesve të tyre në internet.
“Problemi është se mediat janë gjithashtu të vetëdijshme se tensionet politike, si dhe çështjet e pakicave, janë tema të nxehta që polarizojnë publikun dhe sjellin ndarje dhe klikime – kështu që ato i përdorin këto incidente si justifikim për ta transferuar gjuhën e urrejtjes nga tribuna në faqet e para, duke e justifikuar duke ‘cituar’ atë që u brohorit në tribuna, ose duke ‘transmetuar reagimet’ e ekspertëve dhe jo ekspertëve të ndryshëm, plot me gjuhë urrejtjeje, pa asnjë censurë”, tha ai.
Lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes janë fitimprurëse, sepse edhe kur çojnë në ndëshkim ligjor, gjë që është e rrallë, janë aq të vogla në krahasim me fitimin, saqë llogaritja ekonomike është shumë e qartë.”
Kristina Ljevak Bajramovic, një gazetare që shkruan për mediat boshnjake jofitimprurëse me fokus te gratë dhe të drejtat e LGBTQ+, theksoi se ngjarjet e mëdha ofrojnë gjithashtu një platformë më të madhe për njerëzit me agjenda negative.
“Kur diçka tërheq vëmendje shtesë, siç janë Lojërat Olimpike, atëherë ata që duan të përhapin narrativa të dëmshme e dinë se do të kenë një audiencë më të madhe dhe se ‘përpjekjet’ e tyre do të jenë më të dukshme”, tha Ljevak Bajramovic për BIRN.
Ceremonia e hapjes – art apo blasfemi?
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, e krijuar nga drejtori artistik Thomas Jolly si një tablo shumëngjyrëshe shfaqjesh përgjatë lumit Senë, shkaktoi polemikën e parë të madhe në internet në Lojërat e Parisit. Ceremonia u vlerësua nga disa përdorues të rrjeteve sociale si një spektakël i guximshëm dhe plot ngjyra, por u kritikua nga të tjerë si një fyerje blasfemuese për të krishterët.
Momenti që tërhoqi reagimet më negative ishte një skenë që dukej se risillte pikturën e Leonardo da Vinçit “Darka e Fundit”, duke përfshirë një modele transgjinore dhe drag queens. Jolly shpjegoi se skena, në fakt, kishte për qëllim të përfaqësonte “Festën e Dionisit” mitike greke, por kjo nuk e shoi zemërimin e të krishterëve të devotshëm. Debati shkaktoi një shpërthim të madh të retorikës anti-LGBTQ+ në internet.
Një artikull i përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Darko Ristov Djogo, i botuar nga media online IN4S, e quajti ceremoninë e hapjes “satanike” dhe “skandaloze”. Djogo e akuzoi ngjarjen për tallje me simbolet e krishtera dhe argumentoi se, në fakt, ajo mund të dëmtonte popullatën LGBTQ+ duke luajtur me fenë.
Në një artikull tjetër në faqen IN4S, autori e etiketoi ceremoninë si një ngjarje “gay pride”, duke e përshkruar atë si “të mërzitshme” dhe “banale”, dhe gjithashtu duke thënë se mund të kontribuojë në stigmatizimin e njerëzve LGBTQ+. Artikulli provokoi një sërë komentesh nga lexuesit që përdornin gjuhë fyese për homoseksualët, ndërkohë që kritikonin ngjarje si Festivali i Këngës në Eurovizion për gjoja promovim të “satanizmit”.
Faqja online e tabloidit serb Kurir ngriti gjithashtu pyetjen nëse këngëtari francez Philippe Katerine, i cili luante perëndinë greke Dionisit në skenën e festës, po tallej dhe nënçmonte fenë, duke përmendur akuza të ngjashme “satanizmi” që u postuan në rrjetet sociale.
Një tjetër tabloid serb, Informer, i bëri jehonë kësaj retorike në një artikull në internet. “Satanizmi nuk është më i fshehur; nën petkun e demokracisë po shfrytëzohen edhe fëmijët. Eurovizioni ka treguar një fytyrë katastrofike dhe Lojërat Olimpike e kanë çuar atë tre hapa më tej. Piktura e Da Vinçit, ‘Darka e Fundit’, është tallur në mënyrën më brutale”, tha Informer.
Ndërkohë në Facebook, media katolike kroate God is Here publikoi informacione të pasakta se të krishterët kishin organizuar një tubim në qendër të Parisit për t’iu përgjigjur organizatorëve të Lojërave Olimpike duke “lavdëruar Zotin”.
Artikulli i publikuar nga God is Here, me titull “VIDEO: Mijëra të krishterë në qendër të Parisit lavdërojnë Jezusin me një këngë”, përfshin një video që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Megjithatë, fotografia nga artikulli është shkrepur në janar të vitit 2024, kur mijëra qytetarë francezë po protestonin kundër një ligji rigoroz emigracioni, ndërsa videoja u bë më 25 maj, më shumë se dy muaj para fillimit të Lojërave Olimpike, gjatë një tubimi të të krishterët në një event të titulluar “Marshim për Jezusin”.
Media shqiptare online JOQ postoi foto nga hapja e Lojërave Olimpike me titullin: “Francezët kërkojnë falje për ceremoninë e diskutueshme të hapjes”. Historia bazohej në faljen e autoriteteve të Parisit për çdo ofendim të shkaktuar ndaj të krishterëve nga parodia e paqëllimshme e “Darkës së Fundit”. Por artikulli i JOQ nga ana e tij shkaktoi dhjetëra komente me gjuhë urrejtjeje dhe ofendime drejtuar francezëve.
Influencuesi kontrovers Andreë Tate, i cili është akuzuar për përdhunim dhe trafikim njerëzor në Rumani, gjithashtu hyri në debatin që shkaktoi ceremonia. Më 27 korrik, Tate njoftoi në X se do të protestonte përpara Ambasadës Franceze të Bukureshtit kundër asaj që ai tha se ishte tallje e Jezusit gjatë ceremonisë së hapjes.
Të nesërmen, ai postoi një video në X, të xhiruar në protestë, në të cilën shihej duke folur me kalimtarët. “Njerëz, ju jeni të krishterë. Nuk mund t’i lejoni ata të përdhosin diçka aq të rëndësishme sa ‘Darka e Fundit’ me transeksualë dhe fëmijë të vegjël. Pedofili”, u tha Tate protestuesve jashtë ambasadës franceze. Tate shoqërohej nga vëllai i tij Tristani dhe protesta e tyre mori një mbulim të gjerë nga mediat online.
Zëdhënësi i Kishës Ortodokse Rumune Adrian Agachi ndërkohë e quajti ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “demonike”, duke shkruar në Facebook se i ashtuquajturi momenti i “Darkës së Fundit” ishte një reklamë për “ideologjinë ëoke“.
Në një tregues se si retorika agresive në internet mund të ketë pasoja potencialisht të dhunshme, regjisori i ceremonisë së hapjes Thomas Jolly paraqiti ankesa në policinë franceze pas ngjarjes, duke thënë se ai kishte marrë kërcënime me vdekje, si dhe fyerje.
Presidenti francez Emmanual Macron shprehu zemërim për persekutimin në internet të Jolly dhe sulmet ndaj lirisë artistike. “Jam i indinjuar dhe i trishtuar”, tha Macron. “Asgjë nuk justifikon kërcënimet ndaj një artisti.”
Gazetarja boshnjake Ljevak Bajramovic vuri në dukje megjithatë se agresioni në internet rreth Lojërave Olimpike thjesht ka reflektuar atë që po ndodh në jetën e përditshme.
“As edhe një ngjarje sociale, madje as vetë Lojërat Olimpike, pavarësisht misionit fisnik të fillimit të tyre, nuk mund të izolohet nga realiteti shoqëror”, tha ajo.