
Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën më 21 gusht se ka filluar hetim lidhur me raportimet në medie për një ngarkesë me mbetje të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës.
Sipas prokurorisë, procedimi është regjistruar më 16 gusht mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për veprën penale “Kontrabandë me mallrat të ndaluara ose të kufizuara”.
Në njoftim bëhet me dije se për këtë rrethanë ka referuar material hetimor Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transporti i mbetjeve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.
Hetimet janë duke u kryer në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik(OLAF), me institucionet ligjzbatuese shqiptare dhe partner të tjerë ndërkombëtarë.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, dyshohet se qindra tonë me mbetje të rrezikshme u ngarkuan në Portin e Durrësit me destinacion Tajlandën. Alarmi u ngrit nga organizata “Basel Action Netëork”, një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara që punon për zbatimin e Konventës së Bazelit. Po ashtu, u raportua se ngarkesa nuk do të mbërrijë në Tajlandë, por do të rikthehet në Shqipëri, ku do t’i nënshtrohet edhe hetimit.







