
Me zgjedhjet në SHBA vetëm dy muaj larg, vendimmarrësit evropianë kanë kaluar nga përballja me skenarët e tmerrshëm Trumpian – luftëra të reja tregtare, braktisje e Ukrainës dhe tërheqje nga NATO – në përjetimin e një emocioni që ata pothuajse e kishin harruar: shpresën.
Kandidimi i Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale amerikane ka eliminuar epërsinë e Donald Trump në sondazhe dhe i ka lejuar evropianët të mendojnë alternativa për atë që do të ishte skenari i tyre më i keq. Megjithatë, edhe nëse Harris fiton, do të ishte marrëzi të pritet vazhdimësi e plotë me administratën Biden. Evropa mbetet e papërgatitur për atë që po vjen.
Ndërsa bisedat e Trump dhe JD Vance për t’i dhënë fund mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën kanë ndezur alarmin në kryeqytetet evropiane, strategjia e Ukrainës e një administrate Harris ndoshta do të largohej gjithashtu nga status quo-ja. Ndërsa lufta po vazhdon, zyrtarët amerikanë kanë humbur besimin se Ukraina do të marrë dhe do të mbajë terren të mjaftueshëm për të thyer ngërçin aktual. Pavarësisht ofensivës së ukrainasve në rajonin Kursk të Rusisë, ata ende po humbasin terren në Donetsk. Rikuperimi i territorit që ata kanë humbur që nga shkurti i vitit 2022 bëhet çdo ditë e më i pamundur.
Kështu, një administratë Harris do të duhej të kërkonte mënyra për të forcuar pozicionin e Ukrainës në plani afatshkurtër, në mënyrë që të orientohet drejt një marrëveshjeje. Duke e ditur më mirë se kushdo se situata e tyre është e zymtë, ukrainasit kanë kërkuar një rrugëdalje nga ngërçi. Megjithëse ata kanë nisur lëvizjen e tyre Kursk, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në korrik se ai dëshiron që “faza e nxehtë” e luftës të përfundojë këtë vit. Privatisht, liderët ukrainas mund të shpresojnë se Shtetet e Bashkuara do t’i shtyjnë ata në tryezën e negociatave, pasi kjo do t’u sigurojë atyre mbulesën politike që u nevojitet për të ndryshuar kurs. Diskutime të tilla tashmë janë duke u zhvilluar në Uashington.
Kjo mund të jetë një tronditje për ata evropianë, duke përfshirë përfaqësuesin e ardhshëm të lartë për punët e jashtme për Bashkimin Evropian, të cilët ende flasin për mbështetjen e Ukrainës për “aq kohë sa duhet”, dhe retorika e të cilëve pothuajse nuk ka ndryshuar që nga 24 shkurti 2022. Çfarëdo që të ndodhë, sfida për evropianët është të garantojnë që lufta të mos përfundojë në një “paqe” sipas kushteve ruse: një Ukrainë e demilitarizuar që është e detyruar të braktisë aspiratat e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Politika tregtare do të jetë një tjetër çështje kryesore. Trump po premton një tarifë totale prej 10 për qind për të gjitha importet dhe tarifa të reja prej 60 për qind ose më shumë për të gjitha mallrat nga Kina – përveç të gjitha kufizimeve të vendosura tashmë nga administrata Biden. Përballë tarifave amerikane dhe presionit nga administrata Trump për të aplikuar tarifat e veta për mallrat kineze, Evropa do ta gjente veten në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë.
Por, përsëri, nuk ka asnjë arsye për të pritur që Harris do të kishte një politikë dukshëm më të butë ndaj Kinës sesa Biden – qasja e të cilit ka qenë shumë më e ashpër sesa ajo e Trump gjatë kohës që ishte në detyrë. Konsensusi kundër Kinës në SHBA është i fortë dhe në disa deklarata të saj publike për këtë çështje, Harris ka shprehur mbështetje të fortë për Tajvanin dhe është ankuar se Kina po hedh “produkte nën standarde në ekonominë tonë”. Ndërsa kandidati i saj për zv/president, Tim Walz, e ka vizituar Kinën shumë herë, ai e ka bërë këtë kryesisht si një avokat i të drejtave të njeriut.
Ndryshe nga Trump, Harris ka qenë e zëshme në mbështetjen e saj për rrjetin e aleancave të Amerikës. Por ky angazhim mund ta bëjë atë të presë më shumë nga aleatët e SHBA-së. Për më tepër, tendenca më e gjerë e zhvendosjes së politikës së jashtme amerikane nga Evropa dhe drejt Azisë do të vazhdonte. Kur evropianët flasin për të investuar më shumë në mbrojtje, ata duhet të pyesin veten nëse thjesht po përpiqen të qetësojnë Trump-in, apo nëse janë vërtet seriozë për të garantuar sigurinë e tyre afatgjatë.
Pjesa më e madhe e detyrës për të imagjinuar se çfarë do të thoshte për Evropën një presidencë Trump ose Harris do të bjerë mbi Komisionin e ri Evropian. Ai do të duhet të fillojë t’i përgatisë evropianët në mënyrë që ata të mos kenë panik nëse frika e tyre më e madhe në lidhje me Ukrainën apo Kinën realizohet. Dështimi për ta bërë këtë do të rrisë gjasat e një reagimi të ndarë, me shtetet më të vogla anëtare që ndoshta do të largohen për të ndjekur marrëveshje dypalëshe me SHBA-në. Do të jetë në dorën e vendeve më të mëdha të qetësojnë homologët e tyre më të vegjël, veçanërisht në Evropën Lindore.
Për këtë qëllim, riformulimi i marrëdhënieve me Britaninë mund të ndryshojë letrat në tavolinë. Nëse BE-ja dhe Britania mund të punojnë në ritëm të njëjtë për çështjet gjeoekonomike, ata do të kenë më shumë liri veprimi dhe ndikim politik kundrejt SHBA-së dhe Kinës. Megjithëse Britania nuk mund të zëvendësojë SHBA-në, riintegrimi i saj në kornizat evropiane të mbrojtjes dhe teknologjisë mund të forcojë ndjeshëm pozicionin strategjik të kontinentit. Qeveria e re e kryeministrit britanik Keir Starmer ka nisur tashmë një partneritet të zgjeruar sigurie dhe mbrojtjeje me Gjermaninë. Marrëveshje të ngjashme me anëtarë të të njëjtit mendim mund të pasojnë, duke kulmuar në një pakt me BE-në në tërësi.
Polonia dhe vendet baltike dhe nordike ka të ngjarë të marrin drejtimin në ndjekjen e këtij rezultati, por presidenti francez Emmanuel Macron mund të dalë si vota kyçe. A do të përqafojë ai një vizion gjeopolitik për ta futur Britaninë në grupin evropian për çështjet e mbrojtjes, teknologjisë dhe klimës? Apo do ta kanalizojë Charles de Gaulle duke anashkaluar Britaninë, duke dobësuar kështu BE-në në proces? Një gjë është e qartë: qoftë nëse presidenti i ardhshëm i SHBA-së është Donald Trump apo Kamala Harris, evropianët duhet të fillojnë të planifikojnë një ndryshim.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The US Election Will Overturn Europe’s Strategic Status Quo







