AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Blog

Shashka pa kripë

Kryeministri Edi Rama ia doli përkohësisht që të trazojë ujërat në Shqipëri dhe të magjepsë do gazetarë nëpër botë me idenë e krijimit të një shteti fetar në shekullin e njëzet e një, një monarki absolute në kohën e republikave parlamentare dhe një despotizmi të iluminuar të butë në kohën e kushtetutave me balanca, kontrolle, kufizime dhe ndarje të pushteteve. Vendi në fakt ka një histori të gjatë të këtyre shashkave, të cilat, me raste, bëhen pa kripë.

Gjergj ErebarangaGjergj Erebara
13:54 | 25/09/2024
në Blog
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Odeoni i Komunitetit Bektashi në Tiranë. Foto: Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Siç ndodh rëndom në këto lloj rastesh, çudia zgjati tre ditë. Pas një lajmi në media dhe një fjalie të hedhur kuturu në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të shtunën e kaluar, shoqëruar me shumë debate e dizinformim për komplote me Mosad dhe me Soros, iniciativa e kryeministrit shqiptar Edi Rama për një shtet fetar në Tiranë, duket se filloi të harrohej me një sinjal të dhënë pikërisht nga ai që e hapi sherrnajën.

Mëngjesin e së mërkurës, në një status të gjatë në X, (ish-Twitter), Rama, pasi iu hakërrye kritikëve, nuk harroi të thotë, gjithashtu kalimthi se, “nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.”

Ideja e krijimit të një shteti me bazë fetare, sado simbolik të jetë ky shtet, nënkuton një kushtetutë teokratike, një diktaturë fetare apo një despotizëm të iluminuar, sepse, në fund të fundit, nuk është se ka dëgjuar ndokush ndonjëherë për diçka të tillë si “republikë fetare”, tamam në shekullin kur bota pothuajse u bind se po jetojmë në Fundin e historisë së Fukuyamës, me mposhtjen e tiranive dhe triumfin e demokracisë liberale nëpër të gjithë botën, për fat të keq u mor tepër seriozisht nga disa.

Madje, Komuniteti Mysliman shpalli për herë të parë në aq sa mbaj mend, të drejtën e paprovuar të përfaqësimit, jo vetëm të muslimanëve konvencionalisht të njohur si suni, por edhe të atyre që njihen si tarikate sufi. Madje, pati edhe disa të cilët dolën në protestë.

Me të vërtetë, krijimi i një shteti fetar për një religjion të caktuar, nëse do të bëhet realitet, gjë që ka pak gjasa të ndodhë, rrezikon laicitetin e shtetit shqiptar. Harmonia apo toleranca ndërfetare në Shqipëri është vlerësuar me bollëk, madje është lavdëruar më shumë nga sa meriton nëse marrim parasysh se nuk kemi të bëjmë tamam-tamam me bollëk të tolerancës nga sa kemi të bëjmë me cektësi të besimit fetar, ku supersticioni duket se është religjioni kryesor në vend ndërsa emërtimet “mysliman”, “ortodoks”, “katolik”, “bektashi” e të tjerë duket sikur vlejnë më së shumti për të identifikuar një grup të caktuar shoqëror, një identitet kulturor dhe social – krahas ngatërresave historike dhe marrëdhënieve ekonomike mes grupimeve të tilla – dhe jo besimin fetar të ndokujt.

Për më tepër, është një tregues i injorancës që Bektashizmi konsiderohet si një i tërë, në një kohë kur bektashinjtë janë një nga një dyzinë rrymash të myslimanizmit sufi. Për shembull, teqeja në Pazarin e Vjetër në Tiranë, teqeja e Sheh Muamer Pazarit, i përket tarikatit Alevi, ose Halvetian, ndërsa në Zerqan të Bulqizës gjendet një teqe Kadri, (jo Kadri si sharja që i bën Rama gazetarëve, por si tarikati Kadri, një lëvizje tjetër fetare). A mos vallë shteti laik shqiptar duhet të ndërtojë një minishtet për secilin nga tarikatet që kanë prani në Shqipëri?

Përshtypja ime është që në fakt, tarikatet dhe shteti janë dy gjëra të kundërta. Nuk e mbaj veten për ekspert të misticizmit por tarikatet ngjajnë si një kundërreagim ndaj religjionit të institucionalizuar, të fesë së përdorur për çështje të shtetit, janë njëfarëlloj protestantizmi brenda botës islamike. Dhe që të bësh një shtet për bektashinjtë është pikërisht e kundërta e shpirtit të sufizmit.

Këto të gjitha nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka sherrnaja që zgjati tre ditë dhe që përfshiu mes të tjerash, teori me komplot botëror me Mosad dhe Soros. Incidentalisht vura re se ky “lajmi” që raporton për mediat turke, të cilat, (linqet nuk jepen), kanë aluduar se shteti i ri do të jetë pjellë e kombinimit të shërbimeve sekrete izraelite me filantropin amerikan George Soros, u publikuan në Tiranë nga portale që njihen si veçanërisht pro qeverisë. Kombinimi i  Sorosit me Mosadin, nëse merret parasysh fakti që qeveria e sotme izraelite e konsideron Sorosin një armik që financon grupet pro paqes me Palestinën, është tamam një dizinformim i përshtatshëm për kokëgdhëtë.

Shqipëria ka një histori të gjatë me shashka të hedhura nga qeveritë e kalbura. Për shembull, në vitet 1980, ndërsa çmenduria qeverisëse kishte lënë vendin në krizë urie, qeveria angazhonte me mijëra ushtarë që të bridhnin nëpër të gjithë territorin e vendit me detektorë metalesh në kërkim të shpëtimit të qeverisë nga rrëzimi. Termi i përdorur në burokracinë e kohës mbi këtë politikë ishte: “Të gjejmë thesare të fshehura, bazuar në mençurinë e popullit”.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, në vitin 2009 shpalli papritur, edhe ai për tre ditë, se qeveria e tij kishte në plan të legalizojë martesat gej. Edhe në atë kohë, njësoj si tani, pati goxha media ndërkombëtare që raportuan. Në Itali, aktivistë të ndryshëm të të drejtave të njeriut shpallën se në Adriatik mundej të zhvillohej një eksod në krah të kundërt, njësoj si shqiptarët u arratisën drejt Italisë pas rënies së komunizmit më 1992, ashtu edhe gejët e Italisë do të arratiseshin drejt Shqipërisë nga persekutimi në Itali te kjo parajsa që pritej të krijonte Berisha për komunitetin LGBTQ+. Të drejtat për familje për minorancat gjinore janë tashmë të akorduara në shumicën e vendeve evropiane, por jo në Shqipëri, ndërsa deklarata e Berishës duhet të shikohet në kontekstin e faktit që, në kohën kur u tha, pra në vitin 2009, ishin në fakt vetëm tre vende evropiane që kishin miratuar ligje të tilla. Edhe në atë kohë, sherri u bë i konsiderueshëm me udhëheqës fetarë që u shprehën kundër e me media proqeveritare që ia bënte me sy shqiptarëve duke i thënë se kjo ishte një sakrificë e nevojshme për të liberalizuar vizat.

Berisha vijoi me politikën e shashkave në tetor të vitit 2009 kur deklaroi se “ishte ne bisedime” me qeverinë e Indisë, për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Nënë Terezës. Edhe në atë rast, media ndërkombëtare u interesua, e madje pati edhe aludime për një sherr tresh mes Shqipërisë, Indisë dhe Maqedonisë se cili nga këto vende kishte më shumë të drejtë të pretendonte të rrëmbente eshtrat e shenjtores. Dhe një nga ministrat e Berishës deklaroi mes të tjerash që edhe ai ishte në negociata për të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit, i cili në fakt e ka varrin në Vlorë. Pasi sherri doli nga kontrolli dhe qeveria e Indisë reagoi e zemëruar ndaj lajmit, Berisha u tërhoq me stil. Deklarata e tij u pa nga analistët në atë kohë, njësoj si deklarata e Ramës sot, si sjellja e një njeriu të fiksuar për të qenë lajm kryesor rast e pa rast si dhe për të tërhequr vëmendjen nga telashet tokësore, skandalet e panumërta korruptive.

Nga ana e tij, Rama ka nja katër vjet që na zbulon, zakonisht në verë, naftë në Shpirag. Ai e zbuloi naftën në Shpirag më 2019, 2022 dhe 2023. Në vitin 2022 deklaroi se nafta e Shpiragut do të ndryshojë, jo vetëm fatet e Shqipërisë, por edhe të kontinentit evropian, duke ulur varësinë nga burimet energjetike ruse. Me bindje të plotë, ministrja Balluku deklaroi se vendburimi i zbuluar do të nxjerrë 60 për qind naftë dhe 40 për qind gaz. Ndërsa në gusht 2023 Rama deklaroi se nafta e zbuluar do të mundësojë që vendi të rrisë pensionet. Në prill të këtij viti, gjithsesi incidentalisht u kuptua se në fakt, naftë në Shpirag nuk ka. Në këtë kontekst, ideja e krijimit të një shteti Bektashi nga ana e Ramës mund të kuptohet si një sajesë nga nevoja për shkak se zbulimi i naftës në Shpirag nuk mund të bëhet sërish dhe vera kaloi pa ndonjë lajm të tillë të bujshëm.

Gjithsesi, përdorimi prej tij i fesë për të bërë politikë është diçka që nuk duhet të kalohet lehtë. Në Francë, laicizmi u zhvillua nga dëshira për të mbrojtur shtetin nga strukturat fetare shumë të fuqishme, për të krijuar një mjedis normal jetese për të gjithë, përfshirë jofetarët. Në Shtetet e Bashkuara, laicizmi u krijua jo për të mbrojtur shtetin nga feja, por për të mbrojtur fenë nga shteti, në mënyrë që shteti të mos ketë mekanizma për ta ndikuar apo për ta keqpërdorur fenë për interesat e politikanëve. (Është në këtë kontekst që praktika aktuale e financimit të religjioneve të institucionalizuara nga buxheti i shtetit, praktikë e nisur një dekadë më parë, duhet të ndërpritet, jo pse shumat e paguara janë të konsiderueshme, sepse nuk janë, dhe as për ndonjë lloj fiksimi që paratë e taksapaguesve të mos përdoren për punë të fesë, por për shkak se financime të tilla krijojnë varësi të bashkësive fetare nga shteti, pra nga pushteti politik i radhës dhe rrezikojnë të kthejnë bashkësitë fetare në instrumente të politikës në vend që të jenë institucione fetare, të financuara drejtpërsëdrejti nga besimtarët e vet.)

Në Shqipëri, laicizmi u krijua si një masë e domosdoshme për paqen sociale. Nuk është e mundur të dihen shumë gjëra për Shqipërinë e vitit 1912, por nga aq sa dihet është e qartë që shteti u distancua nga feja dhe udhëheqësit fetarë pranuan në shërbim të kombit të mos përdorin fenë për politikë. Është një marrëveshje e pashkruar, e cila herë pas here cënohet nga oreksi i politikanëve për t’i hedhur trutë e gomarit votuesve, siç ishte rasti i pak kohëve më parë me Ilir Metën që na foli për luftë kundër satanit, por në përgjithësi, ky lloj kompromisi vijon të respektohet edhe sot në masë të gjerë. Udhëheqësit fetarë nuk bëjnë thirrje që besimtarët të votojnë këtë apo atë palë politike dhe në përgjithësi është tabu përdorimi i ndjenjave fetare nga ana e politikanëve për të bërë politikë. Ky është një kompromis më i rëndësishëm se sa vetë harmonia fetare dhe askush, as Rama nuk duhet të lejohet që, për hatër të nevojës së përditshme për të prodhuar politikë, apo për interes të shpëtimit, qoftë edhe për tre ditë, nga statusi i politikanit të injoruar gjerësisht nga qytetarët si drejtues i një qeverie thellësisht të korruptuar, të ngatërrojë shtetin me çështje fetare.

Etiketa: Asambleja e Pergjitshme e Kombeve te BashkuaraBektashizmidizinformimiEdi RamaIlir MetaKomuniteti Mysliman ShqiptarMosadNene TerezaSali BerishaShpiragSoros
I mëparshmi

‘Tollonat e drekës’ së policëve ushqejnë rrjetin e supermarketeve të Samir Manes

Tjetri

Prokurori Neritan Hoxha u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Tjetri
Prokurori Neritan Hoxha jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori Neritan Hoxha u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

zvernec

Shpërfillja e mbrojtjes së mjedisit “dëmton shpresat e Shqipërisë për anëtarësim në BE”

09:55 | 25/06/2026
723041393 1558327902329532 6977003806194600217 n

Bota e trilluar e Ramës, përballë realitetit njerëzor

06:13 | 25/06/2026
photo 2026 05 11 14 22 34

Meta kërkon Edi Ramën si dëshmitar për ligjin e minierave

19:12 | 24/06/2026
photo 2026 06 02 13 53 06

Mes protestave në Tiranë, Rama kërkon “fajtorë” edhe në radhët e veta

17:11 | 24/06/2026
photo 2026 06 21 21 56 29

Kur media humbet memorien

16:47 | 24/06/2026
Si u ndanë ‘fatet’ e Elbana Llurit dhe ish-bashkëshortit Gerd Hoxha në KPA

Argumentet e KPA për konfirmimin në detyrë të prokurorit Genci Qana

15:01 | 24/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.