
Edhe pse politika tregtare është kthyer kudo në një temë debati, rrallëherë ajo trajtohet me ndershmëri. Në vend që të përqendrohet në kostot dhe përfitimet, çështja inkuadrohet në mënyrë të vrazhdë si një çështje e prodhimit “të huaj” kundrejt prodhimit “vendas”. Kjo mungesë debati serioz për hapjen ekonomike do të ketë pasoja katastrofike. Konsensusi i ri që ka lindur mund të përfundojë vetëm me lot.
Kujtoni debatin e parë (dhe ndoshta të vetmin) mes dy kandidatëve për president të SHBA-së. Momenti i vetëm thelbësor dhe i rëndësishëm për politikën ndodhi në minutat e hapjes, kur Kamala Harris e përshkroi tarifën e propozuar prej 20% të Donald Trump për të gjitha importet (me një taksë 60% për importet nga Kina) si një taksë mbi shitjet. Trump u përgjigj, në mënyrë të pasaktë, se kostoja do të binte mbi prodhuesit e huaj, jo mbi qytetarët amerikanë. Por kur ai vuri në dukje, me të drejtë, se presidenti Joe Biden ka vazhduar (kryesisht) politikën tarifore që ai kishte nisur, Harris nuk pati asnjë përgjigje. Në një farë pike, megjithatë, demokratët do të duhet ta shqyrtojnë çështjen, sepse një politikë tregtare e drejë është kritike si për shëndetin e politikës, ashtu edhe për atë të ekonomisë.
Për fat të mirë, studiuesit kanë prodhuar mjaft prova empirike mbi efektet e tregtisë dhe ka, çuditërisht, pak polemika mbi rezultatet. Studimi më i gjerë i tarifave të Trump vjen nga David Autor, Anne Beck, David Dorn dhe Gordon Hanson, të cilët tregojnë se politika nuk pati efekt pozitiv në punësimin në prodhim, i cili supozohej të mbrohej. Më keq akoma, për shkak të tarifave hakmarrëse nga vendet e tjera, politika e Trump shkaktoi humbje vendesh pune në shumë sektorë të tjerë. Por tarifat rrisin votën e republikanëve në zonat ku punëtorët ishin “të mbrojtur”. Kështu, politika ofroi përfitime politike me një kosto ekonomike.
Një efekt politik që favorizoi republikanët nuk duhet të kishte qenë një arsye që Biden të vazhdonte tarifat. Por në kohën kur ai mori detyrën, retorika për të promovuar prodhimin amerikan dhe për t’u treguar të ashpër me Kinën kishte nisur tashmë. Ofrimi i çdo “lëshimi” për Kinën – që në realitet do të kishte qenë një lëshim për konsumatorët amerikanë – u pa si kundërproduktive.
Propozimet e reja tarifore të Trump janë edhe më radikale se tarifat që ai zbatoi gjatë mandatit të tij të parë presidencial dhe ato do të sillnin rreziqe shumë më të mëdha. Si fillim, efektet mbi çmimet do të ishin shumë më të gjera, duke nënkuptuar humbje më të mëdha të mirëqenies. Vlerësimet e kostove vjetore të një tarife prej 10% (gjysma e asaj që ai dëshiron) për konsumatorin mesatar variojnë nga 1,500 dollarët e Qendrës progresive për Progres Amerikan në 2,600 dollarë të Unionit Kombëtar të Tatimpaguesve.
Tarifat paraqesin gjithashtu probleme konceptuale dhe praktike. Shumica e produkteve janë rezultat i zinxhirëve komplekse të furnizimit dhe një fazë mund të jetë në Kinë edhe nëse prodhimi ose montimi përfundimtar ndodh diku tjetër. Prandaj, ka pasur shumë vëmendje për rritjen e importeve amerikane nga Meksika dhe Vietnami në një kohë kur këto vende po blejnë gjithashtu më shumë nga Kina.
Në mënyrë të ngjashme, një pjesë e madhe e medikamenteve gjenerike amerikane vijnë nga India, por prodhuesit indianë përdorin kimikate të furnizuara nga Kina. A duhet të tatohen edhe këto produkte? Sigurisht, amerikanët nuk janë të etur të paguajnë më shumë për barnat e tyre. Nëse disa barna bëhen të papërballueshme, sëmundshmëria dhe vdekshmëria më e lartë do të jenë rezultati i parashikueshëm.
Kur vjen fjala te tregtia, tarifat janë një burim fërkimi. Një analogji e mirë është grumbullimi i akullit në krahun e një aeroplani: pak mund të mos ketë rëndësi, por ka një pikë kthese në të cilën avioni nuk do të fluturojë më. A jemi të gatshëm të rrëzojmë ekonominë amerikane – dhe ekonominë globale bashkë me të – me një politikë që do ta bënte të dukej modest reagimin ndaj Aktit Smoot-Haëley të vitit 1930? Duke pasur parasysh rolin e kësaj politike në shkaktimin e një depresioni katastrofik global, përgjigja duhet të jetë e qartë.
Për fat të keq, mençuria e re konvencionale e konsideron tregtinë e lirë si një pjesë të rrezikshme të ideologjisë së diskredituar “neoliberale” që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë imponuan te të tjerët pas Luftës së Ftohtë. Sulmet ndaj tregtisë së lirë kanë ardhur si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán i kanë bërë sulmet ndaj neoliberalizmit thelbin e ideologjisë së tyre, duke argumentuar se hapja ekonomike çon në shpërbërjen e vlerave tradicionale shoqërore. Po kështu, e majta i ka atribuuar prej kohësh efekte gërryese neoliberalizmit dhe centristët si Biden kanë arritur në përfundimin se mund të përfitojnë nga trajtimi i temave që ndajnë e djathta dhe e majta.
Ka dy mënyra për t’iu kthyer gjykimit të shëndoshë. Njëra është të kryhet eksperimenti proteksionist dhe më pas të merren parasysh rezultatet, të cilat do të përfshijnë humbje masive të vendeve të punës dhe përhapje të pakënaqësisë dhe paqëndrueshmërisë në mbarë botën. Do të ishte një rikthim i viteve 1930, një periudhë e mjerueshme që çoi në njohjen se tregtia gjeneron prosperitet të gjerë. Sondazhet ofrojnë shanse të barabarta që populli amerikan të zgjedhë këtë rrugë më 5 nëntor.
Mundësia tjetër është një diskutim serioz, i bazuar në prova për efektet e tregtisë. Në teori, shpjegimi i politikës duhet të jetë i lehtë. Kombinimi është ndërmjet financimit të shpenzimeve qeveritare nëpërmjet ekuivalentit të një takse mbi shitjet nga njëra anë dhe mbështetjes në taksat mbi të ardhurat nga ana tjetër. Votuesit duhet të dinë se proteksionizmi është shumë regresiv. Personat me të ardhura të ulëta dhe të mesme goditen në mënyrë disproporcionale nga tarifat, ndërsa personat me të ardhura të larta nuk i vënë re fare ato.
A mund të nxirret ky diskutim jashtë korridoreve të botës akademike? Ndërsa SHBA-ja nuk ka traditë referendumesh federale, imagjinoni se si do të përgjigjeshin votuesit nëse pyeten drejtpërdrejt nëse preferojnë një taksë konsumi shumë më të lartë. Përgjigja më e mirë ndaj “populizmit” është të kesh guximin të pyesësh njerëzit për çështje specifike dhe tarifa është çështja më urgjente. Një debat serioz mbi tregtinë do të ishte pafundësisht i preferueshëm në krahasim me një luftë tarifore që sjell një përplasje globale. Zgjedhja është e qartë dhe Harris duhet ta bëjë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trump’s Tariffs Are an Opportunity for Harris







