
Në vitin 2023, 150 mijë migrantë kaluan Mesdheun Qendror në varka të vogla nga Afrika e Veriut, në përpjekje për të shpëtuar nga lufta, varfëria dhe uria në vendet e tyre të origjinës. Përgjatë viteve, mijëra kanë vdekur duke tentuar, për shkak se varkat u janë përmbysur ose kanë marrë zjarr. Megjithatë, ndërsa këto tragjedi rregullisht prekin ndjenjat humanitare, fluksi i vazhdueshëm i migrantëve ka ushqyer partitë nativiste të krahut të djathtë nëpër të gjithë botën demokratike.
Shumë aktual por aktualisht i pagjendshëm është një film i vitit 1990 që sinjalizoi për një të ardhme shumë të zymtë. Regjisori David Ëheatley te filmi The March (bazuar në skenarin e Ëilliam Nicholson) tregon historinë imagjinare të dhjetëramijëra refugjatëve sudanezë që arrijnë në brigjet e Mesdheut dhe përpiqen të kalojnë në Evropë në Ngushticën e Gjibralltarit. Në bregun përballë ata priten me një mur të mbushur me mitralozë. Kriza e imagjinuar në film tashmë nuk ngjan thjeshtë fantazi. Pikërisht Sudani është sot duke përjetuar një krizë katastrofike urie në përmasa të paprecedent. Çfarë shkoi keq? Ose më saktë, çfarë nuk shkoi saktë?
Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit u konceptuan për të shmangur këtë lloj rreziku të portretizuar në film. Në vitin 2000, 191 anëtarë të Kombeve të Bashkuara u angazhuan të përgjysmojnë varfërinë ekstreme – e cila përkufizohet me të ardhura më të pakta se 1.25 dollarë në ditë – deri në vitin 2015. Fokusi kryesor ishte Afrika, në veçanti Afrika NënSahariane, e cila duhej të merrte 165 miliardë dollarë ndihma për zhvillim.
Objektivat u realizuan vetëm pjesërisht. Me të vërtetë, varfëria ekstreme u përgjysmua dhe madje edhe para kohe, por kjo ndodhi për shkak se të ardhurat reale të Kinës për frymë u rritën me shifrën marramendëse 10% në vit mes viteve 2000 dhe 2015. Duke qenë se ky vend numëron 18% të popullsisë së botës, rritja e Kinës e reduktoi varfërinë në nivel global. Për më tepër, Kina ia detyron reduktimin e varfërisë jo vetëm rritjes së të ardhurave reale (pas inflacionit), por edhe stabilizimit të popullsisë së vet. Arratisja e Kinës nga varfëria nuk u pengua apo nuk u kthye pas nga shtimi i numrit të gojëve që duhet të ushqehen. Më pas ishte India që ndooqi një trajektore të ngjashme, por jo kaq të fuqishme sa Kina.
Në ndryshim nga kjo, në Afrikën NënSahariane Malthusi është ende gjallë e shëndoshë e mirë. Mes viteve 2000 dhe 2015, PBB e rajonit u rrit me mesatarisht 5% në vit por popullsia u rrit nga 670 milionë në 1 miliardë. Kjo tendencë kufizoi rritjen reale për frymë në rreth 1%, gjë që është shumë e pamjaftueshme për të përgjysmuar varfërinë ekstreme.
Megjithëse përqindja e afrikanëve në varfëri ekstreme ra nga 54% në 41% mes viteve 1990 dhe 2015, numri i të varfërve u rrit në terma absolutë nga 278 milionë në 413 milionë. Disa objektiva të dëshirueshme, të tilla si reduktimi i varfërisë foshnjore ka përmirësuar shkallën e mbijetesës që para se të fillojë reduktimi i lindshmërisë.
Shpjegimet se pse Afrika dështoi të thyejë ciltin Malthusian përfshijnë dhunën, grabitjet, ndryshimet klimaterike dhe ideologjitë. Disa nga vendet afrikane janë sunduar prej kohësh nga junta ushtarake dhe kapitalizmi i oligarkisë të cilët luftojnë për kontrollin mbi burimet e pakta si naftë, minerale e ujë ndërsa grupimet ekstremiste si Boko Haram dhe al-Shabaab vijojnë të përhapin terror nëpër të gjithë rajonin e Sahelit.
Këto “luftëra të reja,” siç i ka cilësuar shkencëtarja politike Mary Kaldor, kanë shkaktuar zhvendosje të stërmëdha të popullsisë, ndërkohë që Briri i Afrikës ka përjetuar disa vite thatësie ekstreme, gjë që ka sjellë uri për miliona njerëz. Bashkësia ndërkombëtare është përgjigjur me objektiva të reja, edhe më ambicioze, afati i të cilave është shtyrë edhe më larg në të ardhmen.
Për analizat e ndryshme ekonomike të situatës, mundesh të lexosh ekonomistët e zhvillimit si Jeffrey D. Sachs dhe Paul Collier. Sachs argumenton që, me qëllim që vendet e varfra të rriten, ato kanë nevojë për ndihma nga jashtë për të plotësuar mungesën e kursimeve të brendshme. Varfëria ekstreme mund të eliminohet përmes investimeve të shënjestruara në shëndetësi, arsim, bujqësi dhe infrastrukturë; por financimi i kërkuar ka munguar në përmasat e duhura në Afrikën NënSahariane për shkak se vendet e pasura nuk kanë respektuar angazhimin e vet për të ofruar financime të barabarta me 0.7% të PBB-së së vet për objektivat e mijëvjeçarit.
Nga ana e tij, Collier argumenton se ndërsa ndihma është e rëndësishme, analiza e Sachs injoron rëndësinë e qeverisjes. Aty ku mungon qeverisja e mirë dhe paratë që vijnë mund të grabiten nga grupe ushtarake rivale për të financuar luftërat e tyre, njësoj si ndodh me kreditë private për shtetet rrangullinë, planet do të përfundojnë me faliment. Ndërsa Sachs sugjeron se qeverisja është e keqe për shkak se vendet janë të varfra, Collier thotë se e anasjellta është e vërtetë.
Këto dy përqasje korrespondojnë me dy strategji të ndryshme zhvillimi. Ndërsa Sachs ka tendencën të shohë ndihma të huaja të shënjestruara siç duhet si të mjaftueshme për zhvillimin ekonomik, Collier sugjeron se ndërhyrja nga jashtë është e nevojshme në disa raste për ta bërë ndihmën efikase. Kështu, forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, standarde botërore për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe kontroll i huaj i ministrive kyçe duhet të jenë pjesë e paketës zhvillimore. Këto konkluzione në mënyrë shumë të pritshme kanë sjellë akuza për neokolonializëm. Pavarësisht kësaj, nëse dhohim përpara përtej perandorisë dhe sovranitetit kombëtar (edhe nëse ai nuk e zgjidh dot problemin), Collier ngre pyetjen kyçe se çfarë sistemi politik mund të funksionojë në Afrikë.
Ajo që të dyja argumentet injorojnë është fakti që deri në çfarë mase, dështimi i shteteve është shkaktuar, ose është përkeqësuar nga globalizimi – i cili ka licencuar tregti të lirë në armë, ushqime dhe lëndë të para – si dhe në rivalitet gjeopolitik, i cili e ka vendosur Kinën në luftë për të kapur lëndë të para dhe ndikim në Afrikë. Shkatërrimi i sistemeve tradicionale bujqësore në emër të eficencës ka lënë vendet më të varfra të botës nën varësi të rrezikshme të importit të ushqimeve, gjë që është e luhatshme. Siç e pamë pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës më 2022, bllokadat, sanksionet dhe pengesat e tjera të eksportit të drithit dhe të fertilizerëve shkaktuan pasoja anësore në shkallë të gjerë në Afrikë. Rritja e çmimeve të ushqimeve shkakton vështirësi në Evropë, por në Afrikë shkakton drejtpërsëdrejti uri.
Përgjatë viteve “Kështjella Evropë” është përpjekur të mbajë migrantët jashtë përmes një kombinimi të rryshfeteve (pagesat për të mbajtur kampe refugjatës në Turqi dhe në ishujt e Greqisë) dhe të forcës. Por mesazhi i filmit The March vijon të jetë i vlefshëm. Evropa nuk e izolon dot veten nga Afrika me metoda të tilla. Nëse uria masive në Afrikë nuk kapërcehet, vuajtjet e Evropës nga imigrimi nuk do të marrin fund.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Roots of Europe’s Immigration Problem







