
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë u arrestua të hënën më 21 tetor me urdhër të Porkurorisë së Posaçme, SPAK. BIRN mësoi se Meta akuzohet për korrupsion të kryer në bashkëpunim në tre raste, për pastrim parash dhe mosdeklarime e fshehje të pasurisë.
Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte dhe bashkëpunëtore e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci. Gjykata ka vendosur masën e “detyrimit për paraqitje” para oficerëve të Policisë Gjyqësore për Kryemadhin; arrest shtëpie për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masën e detyrimit për paraqitje për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Ilir Meta është një nga figurat qëndrore të politikës shqiptare dhe përgjatë tranzicionit ka mbajtur postet më të larta shtetërore si kryeministër (1999-2002), kryetar i Kuvendit (2013-2017) dhe President i Republikës (2017 -2022).
Pas largimit nga Presidenca, Meta rimori kontrollin e partisë së themeluar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe i ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.
Hetimet për Metën kanë nisur në fillim të vitit 2022 dhe në fillim të janarit të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi një masë sekuestroje ndaj një telefoni në pronësi të ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, gjithashtu pjesë e hetimit. Kryemadhi e kundërshtoi sekuestron fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, por u rrëzua, duke pasur të njëjtin fat dhe në Apel.
Meta është paraqitur në SPAK më 13 qershor dhe pasi doli nga një seancë pyetjesh, ngriti akuza se po hetohej në cilësinë e kundërshtarit të “narkoshtetit” dhe “narkoregjimit”.
*Shkrimi u përditësua për të përfshirë akuzat e ngritura ndaj personave të tjerë.







