
Një ndër pikat e rendit të ditës të trajtuara në mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP të zhvilluar të martën më 29 tetor, ishte dhe shqyrtimi përfundimtar i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për procedimin disiplinor të prokurorit Agron Bushati, që e ushtron funksionin në Prokurorinë e Shkodrës. Që në fillim të seancës plenare, që është publike, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani nuk lejoi fotografimin e anëtarëve të këshillit dhe funksionarëve të drejtësisë që ishin të pranishëm në mbledhje – përfaqësuesit të ILD-së dhe prokurorit Bushati. Edhe ky i fundit kërkoi të mos fotografohej.
Gjatë seancave të mëparshme, është relatuar se shkelja e prokurorit Bushati kishte të bënte me një zvarritje të pajustifikuar në nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit për një vendim penal të formës së prerë. Nga hetimi disiplinor i kryer nga ILD, u konstatua se Bushati, me përgjegjësinë e zyrës së ekzekutimit të vendimeve penale, ka vonuar në mënyrë të pajustifikuar, për një kohë prej 3 vjet e 9 muaj, nxjerrjen e një akti procedural.
ILD kërkoi që ndaj këtij prokurori të caktohej masa disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë deri në 1 vit”. Ndërsa KLP e pranoi pjesërisht kërkimin dhe vendosi të caktojë masë disiplinore “vërejtje publike” ndaj prokuorit Bushati.
Gjatë relatimit të martën, kryetarja Bogdani asnjëherë nuk e përmendi emrin e prokurorit që iu nënshtrua procedimit disiplinor. Ajo e përmendi vetëm me inicialet e tij, A.B.. Po ashtu, edhe në njoftimet e shpërndara nga KLP dhe ILD, u shënuan vetëm inicialet e prokurorit Agron Bushati dhe jo emri i tij i plotë.
E pyetur për koment nga BIRN se si mund të ketë efekt “vërejtja publike” kur emri i prokurorit ndaj të cilit u caktua kjo masë disiplinore mbahet i fshehtë, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani tha: “po e reflektojmë”.
Më vonë, BIRN konstatoi se në njoftimin e KLP ishte shënuar emri i plotë i prokuorit Agron Bushati.
Ndërkohë, Bogdani nuk dha ndonjë qëndrim se ku ishte bazuar për moslejimin e kryerjes së fotove gjatë mbledhjes plenare.
Prokurori Agron Bushati u përball më 27 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha përgjigje më së shumti lidhur me një denoncim, në të cilin ishte paraqitur një video ku shfaqej subjekti me armë të ftohta, prova të prokurorisë, teksa në makinën e parkuar në rrugë lunate me të bijën, për të cilën ai sqaroi se praktikon artet marciale. Subjekti kërkoi që kjo video të mos cënonte karrierën dhe pagën e tij, që e cilësoi si të ardhurën kryesore për familjen.
KPK nuk evidentoi probleme penalizuese në kriterin e pasurisë dhe të figurës, ndërsa në aspektin profesional u trajtuan masat disiplinore të marra ndaj tij, si dhe disa denoncime e kallëzime penale. Bushati u konfirmua në detyrë më 3 nëntor 2023, por institucioni Komisionerëve Publikë e ankimoi në Kolegj, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.







