
“Për asnjë moment nuk ka pasur aktivitet partiak apo politik,” tha Hasani duke shtuar se “kanë qenë takime të kryeministrit të Shqipërisë me përfaqësues të diasporës dhe se nuk është përdorur asnjë logo, asnjë flamur, asnjë batutë që ka të bëjnë me partinë që ai drejton”.
Ministri po i përgjigjej shqetësimit të ngritur në Komisionin Parlamentar për Integrimit nga kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, e cila tha se ambasadorët po përfshiheshin në aktivitete elektorale të ndaluara me ligj.
“Të gjitha kanë qenë aktivitete politike, është sulmuar opozita. Punonjësit e shërbimit diplomatik nuk mund të marrin pjesë në aktivitete partiake,” apeloi Tabaku.
Por sipas ministrit të Jashtëm, “diplomatët e kanë detyrimin që të shoqërojnë kryeministrin në detyrë në aktivitete”.
“Ata nuk kanë marrë pjesë aktive, nuk kanë bërë thirrje apo mbajtur slogane e flamuj, por kanë shoqëruar Kryeministrin apo ministrin që është përgjegjës për diasporën,” theksoi ai.
Edhe deputeti socialist, Blendi Klosi e cilësoi pjesëmarrjen e ambasadorëve në këto takime si të ligjshëm për aq kohë sa bëheshin jashtë orarit zyrtar të punës.
Ndryshe nga Hasani, Klosi nuk mohoi që takimet ishin politike, por shtoi se “statusi i nëpunësit civil lejon pjesëmarrjen në veprimtarinë politike jashtë orarit zyrtar, pra e drejta është e kufizuar por jo e hequr plotësisht”.
Në verë parlamenti miratoi me konsensus të drejtën e votës për diasporën që do të nisë aplikimin për herë të parë duke nisur nga zgjedhjet parlamentare që mbahen në pranverën e vitit 2025.
Pa humbur kohë, kryeministri Rama nisi një tur takimesh dukshëm politike me emigrantët shqiptarë në SHBA, Greqi, Itali, udhëtime për të cilat ai nuk ka pasur një axhendë zyrtare si kryeministër.
Ministri Hasani ishte në komision për të diskutuar buxhetin e ri për këtë dikaster, i cili përfiton një rritje të konsiderueshme prej 635 milion lekësh krahasuar me vitin aktual.
Sipas tij, shtesa e buxhetit prej 20% do të përdorej për disa objektiva, ndër to dhe mbështetja e diasporës shqiptare me modernizimin e shërbimeve konsullore, regjistrimin dhe krijimin e një rrjeti efektiv për profesionistët shqiptarë jashtë vendit.







