
Përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA-së, dukej sikur askush përveç mbështetësve më të vendosur të Donald Trump nuk besonte se ai mund të fitonte. Në fund të fundit, ky njeri është një kriminel i dënuar, një provokator puçist, një agjent kaosi dhe një njeri skandaloz, i cili është mohuar nga pothuajse të gjithë ish-këshilltarët e tij, disa prej të cilëve e përshkruajnë atë si një fashist. Për më tepër, administrata aktuale demokratike kryeson një ekonomi me inflacion të ulët, papunësi të ulët, rritje të lartë ekonomike, një treg burse rekord të lartë dhe investime të reja të mëdha në infrastrukturë, teknologji dhe energji të gjelbër. E megjithatë ja që ndodhi.
Shumë është shkruar tashmë për arsyet e dështimit të demokratëve dhe për implikimet e tmerrshme të një presidence tjetër të Trump. Me Trump, është e vështirë të parashikosh ndonjë gjë, sidomos tani që ai nuk është më i rrethuar nga këshilltarë seriozë, të arsyeshëm dhe politikanë të sprovuar. As Partia e tij Republikane nuk është ajo që ka qenë. Ashtu si Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Polonisë nën drejtimin e Jarosłaë Kaczyński, GOP është bërë në fakt pronë e liderit të saj.
Megjithatë, le të përpiqemi të mendojmë pozitivisht, qoftë edhe vetëm për të shmangur fatalizmin ose dëshpërimin. Pikë së pari, është lufta në Ukrainë. Megjithëse administrata Biden i ka kushtuar shumë vëmendje kësaj çështjeje, një gjë është e sigurt: vazhdimi i së njëjtës politikë nuk do të çonte në një fitore absolute për Ukrainën. Qasja e Biden nuk garantoi sukses dhe në vend të kësaj mund të ketë garantuar vetëm një gjakderdhje të ngadaltë në Evropën Lindore.
Prandaj, paparashikueshmëria e Trump mund të ketë një anë pozitive. Në fund të fundit, ishte ai që dërgoi ngarkesën e parë të raketave antitank Javelin që më vonë ndihmuan mbrojtjen fillestare të Ukrainës. Kur Ukraina iu afrua administratës Obama për të blerë armë vdekjeprurëse pas inkursioneve të Rusisë në territorin e saj në vitin 2014, ajo u refuzua. Dhe kur Rusia filloi grumbullimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake pranë kufirit me Ukrainën në mars 2021, administrata Biden miratoi vetëm 125 milionë dollarë ndihmë, pasuar nga 60 milionë dollarë të tjera në maj.
Po, Trump kërcënoi se do ta ndalonte ndihmën nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk e ndihmonte atë të implikonte familjen Biden në marrëdhënie korruptive. Por ky komplot iu kthye kundër dhe çoi në gjykimin e tij të parë. Teksa shohim nga e ardhmja, është mjaft e vështirë të imagjinohet që një njeri me një ego kaq të madhe thjesht do ta dorëzonte Ukrainën. Çfarë do të përfitonte ai prej saj? Putin nuk ka asgjë për të ofruar dhe ai është bërë një partner i vogël i Kinës, bete noire e Trump.
Sa i përket marrëdhënies më të gjerë transatlantike, largimi i Amerikës nga Evropa do të ndodhte herët a vonë. Kjo është zvarritur që nga vitet e Obamës dhe tani Bashkimi Evropian më në fund mund të marrë atë shkundjen që i nevojitet. Nuk mund të zvarriteni përgjithmonë kur bëhet fjalë për të investuar në industrinë tuaj të armëve dhe mbrojtjen. Nëse Koreja e Jugut mund ta përballojë këtë, pse nuk munden Gjermania dhe BE-ja në tërësi?
Goditja e shkaktuar nga COVID-19 e riformësoi ndjeshëm BE-në për të mirë, duke dëshmuar – më në fund – se është i mundur krijimi i një borxhi i përbashkët për të financuar investimet e nevojshme. Po kështu, lufta në Ukrainë tregoi se BE-ja duhet të ketë gjithashtu një politikë të përbashkët mbrojtëse. Tani ajo më në fund do të duhet ta ndjekë këtë synim me zell. Meqenëse evropianët mund ta përballojnë këtë gjë, nuk ka asnjë arsye për t’i varur shpresat te mbështetja e dikujt tjetër.
Polonia ka qenë një lider në këtë drejtim, pasi tashmë i vënë shpenzimet e saj të mbrojtjes në rrugën e duhur për të arritur 5% të PBB-së deri në vitin 2025. Përsëri, pse Gjermania nuk mund të bëjë të njëjtën gjë? Nëse është e armatosur siç duhet, BE-ja është plotësisht e aftë ta mbrojë krahun e saj lindor. Duke marrë parasysh që rreziqet shpërndahen në mënyrë të pabarabartë (me Poloninë dhe vendet e tjera të Evropës Lindore që janë më të ekspozuara), më e pakta që mund të bëjë pjesa tjetër e BE-së është të ndajë shpenzimet e një buxheti të përbashkët të mbrojtjes.
Polakët gjithashtu mund të qetësohen disi nga fakti se euroskepticizmi i Trump është i drejtuar kryesisht nga Evropa Perëndimore, pasi janë Gjermania dhe Franca që konkurrojnë ekonomikisht me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa e djathta e re amerikane ka pak durim për “Evropën e Vjetër”, ajo e do “Evropën e Re”, për shkak të prirjeve të saj populiste të krahut të djathtë. Ndoshta këto impulse politike më në fund mund të jenë të dobishme. Deri më tani, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, thjesht e ka dëmtuar vendin; por si një mik i mirë i Trump, ai tani mund të ketë një rol të dobishëm për të luajtur.
Gjithsesi, krizat e lidershipit në Gjermani, Francë dhe Spanjë kanë nxjerrë në plan të parë Poloninë dhe Italinë. Kryeministri polak Donald Tusk dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni mund të ndihmojnë për të udhëhequr ndërkohë që Evropa Perëndimore mbledh veten. Me shumë aleatë dhe një buxhet dhjetë herë më të madh se ai i Rusisë, evropianët mund të kujdesen lehtësisht për veten e tyre për sa kohë që mbajnë një front të bashkuar. Nuk kemi më asnjë justifikim për të mos u kujdesur vetë për problemet tona.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Could Trump Be Good for Europe?







