
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, informoi të hënën diplomatët perëndimorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për shpërthimin që dëmtoi infrastrukturën kritike të kanalit të ujit, pas tetë arrestimeve të kryera gjatë fundjavës. Zyrtarët e Kosovës akuzojnë Serbinë për sulmin.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha të hënën pas takimit se nuk ishte ende e qartë kush qëndron pas shpërthimit në kanalin Iber-Lepenc në veriun e Kosovës.
“Në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk janë në pozicion për të thënë kush qëndron pas sulmit. Ky është një hetim në fazat e para dhe këto gjëra kërkojnë një hetim të kujdesshëm. Ne kemi ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës. Nuk jemi në pozicionin për të përjashtuar ndonjë shtet, grup ose çfarëdo tjetër,” tha Hovenier.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përsëriti një deklaratë të fundjavës nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, duke e përshkruar shpërthimin si “një akt të pabesueshëm sabotazhi mbi infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent i rëndësishëm i sistemit energjetik të Kosovës”.
Serbia ka mohuar çdo përfshirje.
“Beogradi dhe Serbia nuk kanë dijeni [për shpërthimin], as që do na shkonte ndërmend ta bëjmë këtë,” tha presidenti Aleksandar Vuçiç të dielën.
Tetë persona u arrestuan gjatë fundjavës, ndërsa u gjetën armë gjatë kontrolleve në dhjetë lokacione. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se janë gjetur mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë lëshues granatash raketore, tri granata dore, dy AK-47, një revolver dhe municione të tjera.
Deri më tani është bërë publik emri i një të dyshuari – një serb me emrin Dragisa Vicentijeviç, i cili është lënë në arrest për 30 ditë nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën dyshimin se ka kryer një sulm terrorist. Pas seancës gjyqësore, avokati i tij, Milos Deleviç, u shpreh se klienti i tij është i pafajshëm.
“Fakti që janë gjetur këpucë të lagura dhe të ndotura dhe armë në shtëpinë e dikujt nuk mund të jetë një provë e mjaftueshme për të mbështetur akuzat për kryerjen e këtyre krimeve të rënda. Në atë kohë, ai ka qenë në një vend krejtësisht tjetër, ku ka pasur shumë dëshmitarë,” tha Deleviç.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të arrestuarit kishin lidhje me dy grupe që operonin në veriun e Kosovës me shumicë serbe, Mbrojtja Civile dhe Brigada Sever (Brigada e Veriut), të cilat Kosova i ka shpallur organizata terroriste.
Kanali që u godit nga shpërthimi furnizon disa qytete përmes liqenit Ujman si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, duke ftohur impiantet e saj energjetike, Kosova A dhe Kosova B.

Kurti tha të dielën se “qëllimi [i shpërthimit] ishte të rrezikohej siguria jonë kombëtare dhe të dëmtohej infrastruktura kritike e vendit” dhe se, nëse do të kishte pasur sukses, dëmi do të kishte qenë i madh. “Do të ishim pa energji elektrike për javë të tëra. Dëmi i drejtpërdrejtë nga nevoja për importet do të kishte qenë 2.5 milionë euro në ditë dhe 100,000 [euro] për ujë,” tha Kurti.
Kurti akuzoi se shpërthimi ishte frymëzuar nga sulmet ajrore të Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë synuar rrjetet energjetike dhe infrastrukturën kritike. “Simbolet ushtarake ruse dhe flamujt imperialë rusë u gjetën [në bastisjet pas shpërthimit]. Serbia po kopjon metodat ruse,” tha ai.
Që nga shpërthimi, Kosova ka rritur sigurinë në vendet e infrastrukturës kyçe, siç janë urat, nënstacionet elektrike, rezervuarët dhe kanalet, thanë zyrtarët. Anëtarët e Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK) u vendosën në lokacione të rëndësishme të infrastrukturës energjetike në Obiliq dhe Vushtrri të shtunën.
Misioni i ruajtjes së paqes i NATO-s në Kosovë, KFOR, i tha Radios Evropa e Lirë të dielën se kërkesa e Kosovës për të dërguar ushtarë të FSK-së në veriun me shumicë serbe për siguri shtesë pas shpërthimit nuk ishte miratuar.
KFOR tha në Facebook të dielën se “ushtarët amerikanë të dërguar në Komandën Rajonale Lindore të misionit të udhëhequr nga NATO vazhdojnë të realizojnë patrullime dhe pika sigurie në Zubin Potok, Kosovë. Trupat e KFOR-it janë gati të dërgohen dhe të sigurojnë sigurinë për të gjithë njerëzit e Kosovës.”
Të dielën në mbrëmje, Kryeministri Kurti pranoi: “Jemi të kufizuar në veri, pasi ushtria jonë [FSK], në bazë të marrëveshjes së vitit 2013 [me Serbinë], nuk mund të shkojë në veri.”
Kurti gjithashtu bëri thirrje sërish ndaj komunitetit ndërkombëtar për të bërë presion mbi Serbinë që të dorëzojë Milan Radoiçiç, liderin e serbëve të Kosovës, i cili ka thënë se ai ishte përgjegjës për sulmin nga një grup i armatosur serb në Banjska në veri të Kosovës në vitin 2023, ku mbeti i vdekur një oficer policie. Kurti tha se fakti që Radoiçiç nuk është sjellë para drejtësisë “po inkurajon të tjerë të kryejnë sulme”.







