
Komisioni Rregullator vendosi të shtunën numrin e mandateve për çdo qark dhe ngritjen e 93 Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas vendimit, bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në më shumë se sa një ZAZ, duke respektuar kriterin e pandashmërisë së territorit.
Komisioni Rregullator përcaktoi gjithashtu numrin e mandateve për 12 qarqet e vendit, duke shtuar një mandat deputeti në qarkun e Tiranës. Mandati i shtuar në Tiranë i është zbritur qarkut të Korçës.
Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet.
Në mbledhjen e së shtunës, ky Komision vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”.







