
Parashikimi është gjithmonë i vështirë, por është dyfish më i vështirë në rastin e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së. Donald Trump jo vetëm që flet në mënyrë sipërfaqësore dhe ndryshon shpesh qëndrimet e tij, por ai gjithashtu e konsideron paparashikueshmërinë si një mjet të dobishëm negocimi. Megjithatë, dikush mund të përpiqet të krijojë një ide se si do të duket politika e tij e jashtme bazuar nga deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore, emërimet e tij në rangun e lartë dhe nga mandati i tij i parë.
Në Uashington, shpesh thuhet se “personeli është politikë”. Por ndërsa ne tashmë e dimë se kë dëshiron Trump për postet kyçe, problemi është se pikëpamjet e tyre të deklaruara ndonjëherë bien ndesh me njëra-tjetrën. Me Trump që bën çdo përpjekje të mundshme për të shmangur republikanët tradicionalë që e rrethuan gjatë mandatit të tij të parë, emëruesi i përbashkët midis zgjedhjeve të tij këtë herë është besnikëria personale. Por edhe kjo cilësi nuk na ndihmon të parashikojmë politikën.
Marrim si shembull çështjen e Kinës. Zgjedhjet e Trump për postin e Sekretarit të Shtetit dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare – përkatësisht senatori Marco Rubio dhe përfaqësuesi Michael Ëaltz – janë “skifterë” të njohur që e shohin Kinën si një kërcënim dominues që kërkon një përgjigje të fortë. Ne e dimë gjithashtu nga fushata e tij se Trump është i etur të vendosë tarifa të reja për importet nga aleatët, me tarifa edhe më të larta për mallrat nga Kina.
Meqë Trump tashmë ka njoftuar planet për të vendosur tarifa për importet nga Meksika, Kanadaja dhe Kina, sigurisht që duhet të presim vendosjen e disa taksave të reja. Por normat, kohëzgjatja dhe përjashtimet e tarifave mbeten të pasigurta dhe i nënshtrohen presioneve politike të brendshme dhe tekave personale të Trump. Siç tha kohët e fundit i emëruari i tij për postin e Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, “Unë mendoj se shumë nga ato që ai po bën është një përshkallëzim i de-përshkallëzimit dhe qëllimi im për administratën e tij do të ishte të shpëtoja tregtinë ndërkombëtare.”
Po aq e pasigurt është se si Trump mund t’i përgjigjet hakmarrjes nga partnerët tregtarë të Amerikës. Nëse luftërat tregtare nxisin tarifa dhe çmime më të larta, kthimi i inflacionit mund të shkaktojë një reagim të brendshëm politik. Meqenëse Trump krenohet me aftësinë e tij për të bërë marrëveshje, ai mund të kërkojë kompromise. A do t’i ofronte ai homologut të tij kinez, Xi Jinping, mbështetje më të dobët të SHBA-së për Tajvanin në këmbim të një marrëveshjeje tregtare që ai mund ta konsideronte si fitore? Disa nga aleatët aziatikë të Amerikës shqetësohen pikërisht për këtë skenar.
Duke gjykuar nga deklaratat e bëra gjatës fushatës nga Trump dhe mandati i tij i mëparshëm në Shtëpinë e Bardhë, duhet të presim gjithashtu që ai të zhvlerësojë multilateralizmin dhe aleancat. Ai ka premtuar të tërhiqet sërish nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe të rrisë prodhimin vendas dhe eksportet e naftës dhe gazit. Ndërsa çmimi i energjisë së rinovueshme ka qenë në rënie në SHBA, mbetet për t’u parë nëse politikat e tij do ta anulojnë atë efekt të dobishëm në treg duke ulur konkurrencën e kostos relative të këtyre industrive.
Në Lindjen e Mesme, deklaratat e bëra nga Trump gjatë fushatës ishin mbështetëse pa kushte për Izraelin dhe ai ende krenohet që ka negociuar Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe katër vendeve arabe. Kur administrata Biden u përpoq ta shfrytëzonte këtë përparim duke joshur Arabinë Saudite që të njihte Izraelin, sauditët vendosën një parakusht: Izraeli duhet të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez. Por koalicioni i krahut të djathtë të kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu kundërshton me vendosmëri një zgjidhje me dy shtete dhe që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, mbështetja publike izraelite për një rezultat të tillë, tashmë e ulët, ka rënë më tej. Trump padyshim dëshiron të zgjasë suksesin e tij të mëparshëm në rajon; por askush s’e di se si do ta bëjë ai këtë.
Duke u kthyer te Evropa dhe NATO-ja, Trump tha gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda një dite”. Ne e dimë se kjo nuk do të ndodhë; por ka pasiguri të thellë se si ai do të përpiqet të negociojë një armëpushim. Një mundësi është të reduktohet ndihma për Ukrainën dhe të dobësohet pozicioni i saj negociues në mënyrë që ajo të pranojë kushtet ruse. Ose Trump mund të zgjasë përkohësisht mbështetjen për Ukrainën, ndërsa lëviz drejt një “zgjidhjeje koreane”.
Në skenarin e fundit, vija aktuale e frontit do të shndërrohej në një zonë të çmilitarizuar me personel të Kombeve të Bashkuara ose paqeruajtës evropianë, të cilët Rusia do të duhej t’i dëbonte nëse do të donte të riniste luftën. Ukraina mund të vazhdojë të ushtrojë sovranitet mbi zona si Donbasi, por me shumë mundësi nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me NATO-n; në vend të kësaj, ndoshta disa nëngrupe vendesh (“miq të Ukrainës”) mund të ofrohen t’i vijnë asaj në ndihmë, nëse Rusia shkel zonën e çmilitarizuar. Është e paqartë nëse Trump do të përdorë fuqinë e tij negociuese kundrejt presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin për të prodhuar një kompromis të tillë. Por sigurimi i një marrëveshjeje sigurisht që do të jetë tërheqëse, nëse ai po mendon për trashëgiminë e tij.
Edhe nëse parashikimet e bazuara në deklaratat e bëra gjatë fushatës elektorale dhe bazuar te personeli i zgjedhur prej tij na lënë të pasigurt, ne të paktën mund ta gjejmë Trump-in në traditat historike të politikës së jashtme të SHBA-së. Kujtoni fjalimin e tij të parë inaugurues, kur ai deklaroi se “nga ky moment, do të jetë Amerika e para … ne nuk kërkojmë t’i imponojmë askujt mënyrën tonë të jetesës, por përkundrazi ta lëmë atë të shkëlqejë si një shembull”.
Ndryshe nga kjo, në shekullin e njëzetë, Woodrow Wilson kërkoi një politikë të jashtme që do ta bënte demokracinë të sigurt në botë dhe John F. Kennedy u bëri thirrje amerikanëve të mendonin se çfarë mund të bënin për pjesën tjetër të botës, duke krijuar Korpusin e Paqes në 1961. Jimmy Carter i bëri të drejtat e njeriut një shqetësim thelbësor të politikës së jashtme të SHBA-së dhe strategjia ndërkombëtare e George W. Bush mbështetej në dy shtyllat e udhëheqjes së një komuniteti global demokracish dhe promovimit të lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
I vetmi parashikim që duket i sigurt është se qasja e Trump ndaj botës do të jetë më në përputhje me të parën nga këto tradita sesa me të dytën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Anticipating Trump’s Foreign Policy







